Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka folur sot në samitin e G7-ës që po zhvillohet në Kanada, ku ka paralajmëruar kundër çdo përpjekjeje për të ndryshuar regjimin në Iran përmes mjeteve ushtarake.
Sipas agjencive ndërkombëtare të lajmeve Reuters dhe AFP, Macron u shpreh se një ndryshim i tillë do të sillte “kaos” në rajon dhe do të përkeqësonte më tej situatën gjeopolitike në Lindjen e Mesme.
“Do të ishte një gabim i madh që një ndryshim regjimi në Iran të arrihej përmes forcës ushtarake”, tha Macron gjatë deklaratës së tij, duke theksuar se alternativa më e mençur është rikthimi në tryezën e bisedimeve për programin bërthamor të Iranit.
Presidenti francez gjithashtu theksoi rolin thelbësor të Shteteve të Bashkuara në këtë proces. “Besoj se kemi nevojë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin rolin udhëheqës për të rikthyer të gjitha palët në tryezën e bisedimeve”, deklaroi ai.
Qëndrimi i Macron vjen në një moment tensioni të lartë ndërkombëtar dhe përpjekjesh për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës në rajon, veçanërisht pas përplasjeve mes Izraelit dhe Iranit dhe rritjes së pasigurisë në lidhje me armët bërthamore.