Leah Pattem*
Pas protestave të koordinuara në gjithë Evropën fundjavën e kaluar, është e lehtë që një turist etikisht i ndërgjegjshëm të ndihet në dilemë. Në gjithë Evropën Jugore – veçanërisht në Spanjë, Itali dhe Portugali – titujt e mediave fajësojnë vizitorët për gjithçka, nga mbipopullimi e deri te mungesa e strehimit. Në lagje që po gentrifikohen, parulla si “Turistët të ikin” janë shfaqur mbi mure e dritare, ndërsa banorë të irrituar janë bërë lajm duke spërkatur turistët me armë lodër me ujë.
A do të thotë kjo se epoka e artë e turizmit ka mbaruar? Jo. A ka nevojë për një rishikim marrëdhënia e ndërlikuar mes atyre që duan të vizitojnë vendet më interesante në botë dhe atyre që jetojnë në to? Me shumë gjasë, po.
Në shumicën e rasteve, protestuesit po kërkojnë një ristrukturim tërësor të modelit aktual të turizmit, i cili – sipas tyre – rrit koston e banesave, dëmton mjedisin dhe krijon vende pune me paga të ulëta e të pasigurta, ndërsa përfitimet përqendrohen në duart e pak vetëve.
E kam parë këtë nga afër. Jetoj në Lavapiés, një lagje e gjallë dhe shumëkulturore pranë stacionit kryesor të trenit në Madrid. Kur u vendosa këtu 12 vite më parë, zona kishte bare tradicionale, restorante dhe dyqane të pavarura. Sot, shumë nga këto restorante – që dikur ofronin një menu të plotë ditore për 8 euro – kanë dyfishuar çmimet. Një hotel i sapondërtuar i zinxhirit Ibis, me një tabelë dixhitale çmimesh që të kujton stacionet e karburanteve, reklamonte çmime të natës nga 150 deri në 250 euro. Bizneset vendase janë zëvendësuar me apartamente turistike në katin përdhesë, nga ku kalimtarët mund të shohin drejt e në dhomat-kapsulë.
Lavapiés ka një nga përqendrimet më të larta të banesave turistike pa licencë në Madrid. Këto apartamente të vegjël, ndërtuar fillimisht në shekujt XVIII-XIX për punëtorët industrialë të qytetit, kishin mbetur për një kohë të gjatë të përballueshme. Sot, mijëra prej tyre listohen në Airbnb me çmime të krahasueshme me lagjet më të shtrenjta të qytetit. Por turistët nuk i zgjedhin këto banesa nga ndonjë qëllim i keq – platformat e qirave afatshkurtra ofrojnë mundësi më të lira dhe fleksibël, sidomos kur një dhomë e zakonshme hoteli kushton mbi 100 euro nata.
Kjo nuk është thjesht histori e zëvendësimit të banorëve nga turistët; është histori e dështimit të politikave dhe e një pabarazie ekonomike. Në Madrid, ushqimi i mirë ende është relativisht i përballueshëm – por jo edhe akomodimi. Pansionet e thjeshta e të këndshme me perde dantelle dhe ballkone prej hekuri po zhduken me shpejtësi, dhe vendin po ua zënë qiratë e paligjshme në shtëpitë e dikurshme. Vetëm në Madrid janë rreth 15 mijë apartamente turistike të paligjshme; në gjithë Spanjën – mbi 66 mijë.
Për hir të së vërtetës, qeveria e koalicionit të majtë në Spanjë ka tentuar të rregullojë qiratë dhe ka premtuar ndërtimin e më shumë banesave. Por këto plane, të kombinuara me rezistencën e qeverive rajonale, nuk arrijnë të trajtojnë ndikimin e menjëhershëm që kanë qiratë turistike mbi ofertën e banesave të përballueshme. Në rastin e Madridit, qeveria rajonale e udhëhequr nga Partia Popullore e djathtë ka refuzuar të shpallë “zona tensioni të lartë”, gjë që do të mundësonte bashkive të vendosnin kufij në rritjen e qirave, siç parashikohet nga ligji i ri kombëtar.
Po ashtu, bashkia e Madridit – gjithashtu e dominuar nga PP – ka miratuar një ndryshim në rregulloren urbanistike, duke ndarë formalisht akomodimin turistik nga ndërtesat rezidenciale. Ndonëse në letër ky ndryshim synon mbrojtjen e strehimit për banorët vendas, në praktikë ai ka hapur rrugën për të kthyer të gjitha ndërtesat në prona vetëm për turistë dhe ka lehtësuar shndërrimin e hapësirave tregtare në katet përdhese në banesa me qira turistike.
Ndërsa qytetet dhe ishujt e Evropës Jugore kanë kaluar pikën e kthesës, disa po kërkojnë ndalimin e plotë të qirave turistike, duke nisur me ato të palicencuara. Kjo mund të jetë e nevojshme, por zgjidhja e krizës së strehimit kërkon më shumë se thjesht rregullore më të forta dhe ndërtim banesash – nevojitet edhe përmirësimi i ofertës për akomodim të mirë, por të përballueshëm, për turistët. Spanja vazhdon të ndërtojë hotele, por shumë prej tyre janë projekte luksoze katër apo pesë yje, që synojnë klientelën elitare. Kjo mungesë e opsioneve modeste e komode pasqyron mungesën më të gjerë të banesave të përballueshme për qytetarët.
Ndërsa në Evropë shtohet pakënaqësia ndaj turistëve, shumë vetë pyesin: a është e mundur të shijosh një udhëtim pa qenë pjesë e problemit? A mund të vizitosh ende Madridin, Barcelonën apo Ishujt Kanarie pa u përballur me parullat “Turistët të ikin” – apo me armët e ujit? A duhet ta bësh?
Përgjigjja është po. Së pari, duhet të vendosim në kontekst incidentet me armët e ujit: janë veprime simbolike, të izoluara dhe larg normales. Më e rëndësishmja, turizmi është jetik për ekonominë spanjolle, duke përbërë rreth 12% të PBB-së. Vendi i do turistët, por kjo nuk do të thotë se duhet të vazhdojmë me të njëjtën mënyrë si më parë. Qeveritë kombëtare dhe rajonale, si dhe bashkitë, duhet të bëjnë shumë më tepër për të rregulluar qiratë afatshkurtra, për të mbështetur komunitetet vendase dhe për të investuar në infrastrukturë të përballueshme – si për banorët, ashtu edhe për vizitorët.
Por edhe vetë udhëtarët kanë një rol të rëndësishëm: duke zgjedhur strehim të ndërtuar për turistët, kur është e mundur; duke u informuar për presionin që qiraja ushtron në vendin që vizitojnë; ose duke gjykuar me kujdes se ku dhe kur udhëtojnë. Vizita në një qytet bregdetar në tokë, për shembull, mund të ketë më pak ndikim mbi komunitetin lokal sesa një qytet në një ishull.
Kohët janë të tensionuara, por mos lejoni që ndjenja e fajit të përcaktojë prezencën tuaj si turist. Të ndihesh keq që po viziton një vend, vetëm sa ushqen zemërimin dhe e zhvendos vëmendjen nga vendi i duhur: mungesa e strehimit dhe e opsioneve të akomodimit për turistët. Këshilla ime është: jo më armë uji – përkundrazi, të planifikojmë dhe të ndërtojmë ashtu që vendet të funksionojnë si për banorët, ashtu edhe për turistët.
*Leah Pattem është gazetare multimediale me bazë në Spanjë. Përgatiti për botim: L.Veizi