Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka reaguar ndaj fjalimit të fundit të presidentit rus, Vladimir Putin, duke theksuar se ky i fundit ka shprehur dëshirën për të pushtuar të gjithë Ukrainën dhe ka bërë një kërcënim të qartë për vazhdimin e ekspansionit të Rusisë në rajon.
Zelensky vuri në dukje se Putin ka pasur gjithmonë këtë ambicie, e cila, sipas tij, është e lidhur ngushtë me ideologjinë imperialiste ruse që ka udhëhequr politikën e Moskës për dekada.
“Dje, Putini organizoi një shfaqje, e cila pati edhe një mesazh për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai foli pa filtra. Po, ai e dëshiron të gjithë Ukrainën dhe këtë e dëshiron që nga shumë kohë para vitit 2014, që nga periudha kur ai vetë formohej nga ideologjia imperialiste ruse,” tha Zelensky në fjalimin e tij.
Ai shtoi se ambiciet e Kremlinit nuk ndalen vetëm me Ukrainën. Sipas presidentit, Rusia është gjithashtu e interesuar për vendet baltike, Moldavinë dhe Kazakistanin, duke theksuar se Putin dhe regjimi i tij po synojnë të ekspandojnë ndikimin e tyre dhe të realizojnë qëllime të tjera të rrezikshme.
“Kur ai flet për Ukrainën dhe ushtarët rusë, ai po flet gjithashtu për Bjellorusinë, vendet baltike, Moldavinë, Kaukazin dhe Kazakistanin. Pushteti i Putinit mbaron aty ku mbarojnë aftësitë e vrasësve rusë,” tha Zelensky, duke theksuar se përpjekjet e Rusisë për të zgjeruar kontrollin e saj në këto territore janë të qarta.
Megjithatë, presidenti ukrainas i siguroi qytetarët e Ukrainës dhe aleatët e saj ndërkombëtarë se Ukraina do të vazhdojë të luftojë dhe të mbrohet nga agresioni rus. Ai nënvizoi se vendi ka marrë masa të reja dhe ka marrë vendime strategjike për të përballuar kërcënimet e reja.
“Sigurisht, Ukraina do të mbrohet. Ne kemi miratuar një numër vendimesh të reja, duke pasur parasysh sinqeritetin e vrasësve rusë që deklarojnë se nuk do të ndalen,” tha Zelensky, duke shtuar se mbrojtja e sovranitetit të Ukrainës është një prioritet i patjetërsueshëm. m.p.