Pasi vendosi të sulmonte Iranin, presidenti amerikan Donald Trump donte të përqendrohej vetëm në bazën e Fordow, por kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e bindi atë që të godiste edhe dy të tjerat; Natanzin dhe Isfahanin. Gazeta ‘Jerusalem Post’ e zbuloi këtë detaj ditën e sotme.
“Katër ditë më parë, pati një tjetër telefonatë midis Netanyahut dhe presidentit amerikan, të cilët kanë folur çdo ditë që nga fillimi i luftës. Gjatë asaj telefonate, Trump tha: ‘Kam vendosur të nis një sulm'”, citohet të jetë shprehur një zyrtar izraelit për ‘Jerusalem Post’.
Shtëpia e Bardhë me sa duket vendosi ta bënte këtë për shkak të lehtësisë me të cilën Izraeli goditi objektiva të shumtë dhe mori kontrollin e hapësirës ajrore iraniane.
Trump kishte planifikuar vetëm të bombardonte uzinën e pasurimit në Fordow. Por Netanyahu dhe Ministri i Çështjeve Strategjike Ron Dermer “arritën ta bindnin atë të godiste edhe uzinën e Isfahanit dhe vendin e pasurimit në Natanz, të cilin Izraeli e kishte sulmuar tashmë”.
Në ditët para operacionit amerikan, si Izraeli ashtu edhe Shtetet e Bashkuara, kishin shprehur mosmarrëveshje, por ky ishte vetëm një devijim, siguroi media në fjalë. m.p.