22 Qershor 1941
Nga Leonard Veizi
Në orën 04.00 të mëngjesit të datës 22 qershor 1941, urdhri për sulm u dha. Makinat e mbushura me trupa të armatosur u sulën egër të kalonin kufirin dhe po aq shpejt po rendnin qindra tanke. Në qiell, atë mëngjes pranvere, retë e zeza formoheshin vetëm nga avionët.
Rreth 3.8 milionë trupa, – me helmeta në kokë ku ishte stampuar kryqi i thyer, e automatikë të shkurtër mbi gjoks, me karrikatorë 72 fishekësh, – morën terren të mjaftueshëm në një “sulm rrufe”. Lufta e vërtetë kishte filluar. Njësitë ushtarake të Boshtit, të udhëhequra nga Gjermania naziste, sulmuan Bashkimin Sovjetik në një nga fushatat më të mëdha ushtarake në historinë e njerëzimit, të njohur si Operacioni “Barbarossa”. Ky ishte një çast vendimtar në Luftën e Dytë Botërore dhe shënoi fillimin e një lufte brutale në Frontin Lindor, që do të kishte pasoja shkatërruese për të dyja palët dhe do të ndryshonte rrjedhën e luftës…
…Sot e gjithë ditën është thënë e rënë dakord mes historianësh e studiuesish, se sulmi ndaj Bashkimit Sovjetik ishte një ndër gabimet më të mëdha strategjike të Adolf Hitlerit. Thuhet rëndom se si e nënvlerësoi qëndrueshmërinë sovjetike dhe kapacitetin e tyre për të luftuar në kushte ekstreme. Ndërkohë që fakti është një dhe i vetëm: Lufta në Lindje u shndërrua në një makth për Wehrmacht-in dhe çoi përfundimisht në shkatërrimin e Rajhut të Tretë…
Konteksti
Pas sukseseve të mëdha në Poloni, Francë dhe Ballkan, Adolf Hitler dhe gjeneralët e tij besonin se do ta mposhtnin shpejt Bashkimin Sovjetik brenda pak muajsh. Sulmi u planifikua në shkelje të paktit të mos-sulmimit Molotov-Ribbentrop, të nënshkruar në gusht 1939 mes Gjermanisë dhe BRSS-së. Ky akt tradhtie do ta trondiste Stalinin dhe do ta gjente ushtrinë sovjetike të papërgatitur.
Ditët e para pas sulmit Stalini reagoi shumë i tronditur, me një heshtje e paralizë politike të dukshme. Për disa ditë, nuk u paraqit as në selitë qendrore të partisë apo në takime të Byrosë Politike. Ai nuk doli publikisht dhe nuk mbajti asnjë fjalim deri më 3 korrik 1941.
Edhe pse Stalini personalisht nuk ndërhyri drejtpërdrejt menjëherë në ditët e para, aparati shtetëror sovjetik nuk u rrëzua. Disa veprime ushtarake dhe evakuime nisën në mënyrë të fragmentuar.
Më 29 qershor 1941, Stalini u takua me udhëheqësit e tjerë sovjetikë (Molotov, Beria, Zhukov etj.) në Kremlin. Kishte frikë se ata mund ta fajësonin dhe ta rrëzonin, por kur pa që ata kërkonin udhëheqjen e tij, ai rimori kontrollin.
Fjalimi i famshëm i Stalinit më 3 korrik 1941, i transmetuar në radio, ishte hera e parë që ai u paraqit publikisht si udhëheqës në këtë fazë të luftës. Ai e quajti popullin “vëllezër dhe motra” dhe bëri thirrje për luftë totale kundër agresorit fashist.
Motivimi
Hitleri donte ta eliminonte Bashkimin Sovjetik për të konsoliduar kontrollin në Evropë dhe për të shmangur një luftë në dy fronte, ashtu siç ndodhi në Luftën e Parë Botërore.
Hitleri e shihte komunizmin si një armik ekzistencial të Gjermanisë. Në librin e tij Mein Kampf, ai e shpreh qartë përbuzjen ndaj bolshevizmit. Hitleri besonte se populli gjerman kishte nevojë për më shumë territor për të mbijetuar dhe për të siguruar burime. Ai synonte të kolonizonte tokat e pafundme të Lindjes (kryesisht Ukraina dhe Rusia jugore), duke dëbuar ose shfarosur popullsinë vendase.
Operacioni mori emrin e perandorit gjerman Frederik Barbarossa, dhe synonte asgjësimin e ushtrisë sovjetike, pushtimin e territorit deri në vijën Arhangelsk–Astrahan, dhe shkatërrimin e komunizmit si ideologji.
Forcat
Operacioni nisi me një sulm të përmasave kolosale:
-Mbi 3 milionë ushtarë të inkuadruar në 190 divizione, ku 153 divizione ishin me trupa gjermane, dhe 33 ishin divizione të blinduara e motorizuara. Pjesa e mbetur përbëhej nga ushtarët e aleatëve: Rumania, Hungaria, Finlanda, Italia dhe Sllovakia;
-600,000 mjete motorizuese, përfshirë 600,000 kuaj për logjistikën;
-3,580 tanke dhe 2,770 avionë luftarakë.
Sulmi u nda në tre drejtime kryesore:
-Grupi i Ushtrisë Veriore, i drejtuar nga field marshali Wilhelm Josef Franz Leeb, drejt Leningradit
-Grupi i Ushtrisë Qendrore, i drejtuar nga field marshali Fedor von Bock, drejt Moskës
-Grupi i Ushtrisë Jugore, i drejtuar nga field marshali Gerd von Rundstedt, drejt Kievit dhe Ukrainës.
Rezultatet
Gjatë javëve të para, ofensiva gjermane ishte rrufe apo “Blietzkrieg” siç ishte pagëzuar nga Hitleri. ata rrethuan dhe shkatërruan ushtritë ruse të pozicionuara në kufi, dhe bën përparime drejt Bjellorusisë, Ukrainës dhe vendeve Balltike. Mijëra avionë sovjetikë u shkatërruan në tokë. Ushtria e Kuqe u tërhoq me humbje të mëdha, ndërsa miliona civilë ranë në panik. Por ndryshe nga Blitzkrieg-u në Evropën Perëndimore, kjo nuk do të ishte një luftë e shpejtë. Terreni, logjistika e vështirë dhe qëndresa e ashpër sovjetike e vonuan përparimin.
Pasojat
Lufta në Frontin Lindor u kthye në një luftë për ekzistencë, me brutalitet të paprecedent. Miliona ushtarë dhe civilë do të vdisnin gjatë viteve që pasuan.
Në dimrin e 1941-1942, gjermanët nuk arritën të pushtonin Moskën. Ky ishte dështimi i parë madhor i Wehrmacht-it dhe shënoi fillimin e një lufte shteruese që do të përfundonte me disfatën totale të Gjermanisë në 1945.
Operacioni Barbarossa solli gjithashtu fillimin e Holokaustit në Evropën Lindore, me masakra sistematike ndaj hebrenjve, komunistëve dhe civilëve të tjerë, kryer nga Einsatzgruppen dhe bashkëpunëtorët vendas.
Rëndësia historike
Operacioni Barbarossa përbën pikën e kthesës në Luftën e Dytë Botërore. Ai jo vetëm që e zgjeroi luftën në një përmasë globale, por gjithashtu solli në skenë një aleancë të re: Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe dhe më pas Shtetet e Bashkuara, duke e bërë të pashmangshëm shkatërrimin e Rajhut të Tretë.
Pavarësisht suksesit të parë, gjermanët nuk ishin të përgatitur për një luftë të gjatë, veçanërisht në kushtet ekstreme të dimrit rus. 22 qershori 1941 është dita kur filloi një nga konfliktet më të përgjakshme dhe vendimtare të të gjitha kohërave, që do të ndryshonte përgjithmonë hartën politike të botës.