Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka ngritur shqetësimin për numrin e lartë të mjeteve motorike që rezultojnë debitorë ndaj shtetit.
Bëhet fjalë për mbi 256 mijë drejtues mjetesh, të cilët nuk kanë paguar taksat, një dëm ekonomik që kap shifrën e 170 milionë dollarëve.
“Numri i mjeteve debitore në sistemin e-DPSHTRR është rreth 356.741 mjete. Dëmi është rreth 170 milionë dollarë, por duhet të kuptojmë që dëmi apo debia është dinamike, sepse mund të ndryshojë nga dita në ditë, domethënë, një individ mund ta paguajë dhe ai automatikisht rezulton i pastër në sistem,” tregon zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR, Endri Haxhiu.
Por zyrtari paralajmëron edhe masat që do të merren për drejtuesit e mjeteve që rezultojnë debitorë.
“Për të gjitha mjetet debitore nuk mund të ofrohet shërbim për sa i takon kontrollit teknik, fizik, ndërrimit të pronësisë, ndërrimit të targave në rast vjedhjeje apo humbjeje, miratimit të xhamave të errësuar, konfirmimeve të ndryshme për këto mjete,” shprehet z. Haxhiu.
Sipas ekspertëve të sigurisë rrugore, këto mjete mund të jenë shitur për pjesë këmbimi ose të braktisura nëpër parkingje, por ka nga ato që qarkullojnë ende, duke rrezikuar sigurinë në rrugë.
“Është papërgjegjshmëri e këtyre individëve apo edhe e institucioneve, që kanë mjete të cilat s’paguajnë as siguracion, as taksa… edhe kontroll teknik rrallë i bëjnë. Pra, në këtë këndvështrim, janë mjete me rrezikshmëri të lartë,” thotë eksperti rrugor Artur Sulçe.
Qarku i Tiranës rezulton me numrin më të lartë të mjeteve debitore, i ndjekur nga Durrësi, Shkodra dhe Fieri./