Nga Sebi Alla
Ndërsa janë rinumëruar rreth 40 për qind të votave të qarkut Tiranë, rezultatet nuk ndryshojnë, as në mandate, por as edhe në preferencë kandidatësh, të cilët pretenduan se u ishte ngrënë haku, me dyshimin se votat e tyre kishin kaluar për kolegët e së njëjtës parti. Kjo ka zhgënjyer pritshmëritë ku më e dëmtuara del Partia Demokratike, e cila shpresoi të ishte bërë një “lëmsh” i madh me votat e më pas të kapej pas fillit të këtij lëmshi për të thurur kauzën se zgjedhjet e 11 majit u deformuan nga qeverisja në pushtet, e madje edhe u vodhën përgjatë numërimit.
Deri në këto momente diçka e tillë nuk është provuar, duke sprovuar se partitë e mëdha, si PD ashtu edhe PS gati secila për hesap të saj, ka marrë vota nga subjektet e tjera duke ia bashkangjitur vetes. Megjithatë edhe këto vota nuk ngrenë peshë në kandarin e madh të ndarjes së mandateve.
Politikisht PD luajti keq, ndonëse nuk është rasti i parë që opozita në inatë e sipër ha veten. Pas rinëumërimit, jo vetëm të Tiranës por edhe qarqeve të tjera ku është vendosur numërim i pjeshëm ose i plotë, Rama do ketë një fije ku të mbahet dhe si mjeshtër i propagandës, këtë fije do e kthejë në tërkuzë të fortë me peretendimin se zgjedhjet ishin të lira dhe ndershme dhe nuk u tjetërsua vullneti i zgjedhësve. Për këtë do i referohet pikërisht rinumërimit.
Këtë “fije-tërkuzë” PD nuk duhet t’ia kishte ofruar Ramës. Që nga viti 2009, deformimi i rezultatit zgjedhor nuk ndodh në kutitë e votimit, por përgjatë fushatës dhe ditën e votimit. Përdorimi i administratës, lidhjet me krimin e organizuar dhe dyshimi për shitblerje votash dhe shantazh ndaj zgjedhësve ndodh para se qytetarët ta gjejë veten pranë dhomës së fshehtë me fletën përpara. Rinumërimi thjësht dërgoi ujë të bollshëm në mullirin e PS-së e cila po siguron aq shumë “miel” për mandatin e katërt radhazi.
Daljet thuajse çdo ditë të kryetarit të PD-së Sali Berisha në konferenca shtypi duke demoncuar raste që sipas tij vërtetojnë “farsën zgjedhore” të 11 Majit nuk janë të mjaftueshme, por paradoksalisht edhe sikur të jenë të mjaftueshme aqsnjë fuqi e madhe nuk ka nge të merret me zgjedhjet në Shqipëri. Situata dramatike botërore është konflikti gati në luftë të hapur Izrael-Iran, me përfshirjen ditët e fundit edhe të SHBA-ve. Mund të ngjajë aq paradpoksale por ky konflikt ende i ndezur dhe vapa përvëluese përpara që shoqërohet me turizmin për tu shëllërë në diell e shuar etjen me birrë nuk kanë shenjë të qartë për opozitën e cila sot për sot vëmendjen e ka minimale, pavarësisht problemit thelbësor që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Po ashtu me të drejtë edhe vëmendja e BE-së nuk është aspak me Shqipërinë jo e jo, por as me atë të Ballkanit Perëndimor. Në një situatë të tillë opozita është e destinuar që të presë verën, me shpresë se tensionet e vërteta ndërkombëtare do të ulen për të bërë edhe ajo “luftën” e saj, në pretendimin se zgjedhjet e 11 Majit ishin të ndikuara nga krimi, shitblerja, shantazhi dhe përdorimi masiv i administratës publike në shërbim të pushtetit.
Si për të shkëputur vëmendjen, kryeministri Rama mori nismën e së ashtëquajturës “akademia politike”, ku deputetët e rinj të PS-së u rreshtuan për të “marrë leksione” nga më të vjetrit, si për mënyrën e të bërit politikë, ashtu edhe sesi duhet t’i qasen problematikave apo kontaktit me qytetarët që i kanë zgjedhur në zonat që mbulojnë. E gjitha është një spektakël veror, që në kushte të zakonshme nuk sjell asgjë, përveç një letargjie pa ndryshim në mënyrën qeverisëse, por edhe një vegjetim të opozitës, e cila ka dhënë shenja se nuk do të ketë asnjë zhvillim të brendshëm dhe aq më pak një dorëheqje të mundshme të liderit Sali Berisha. Dyshimi se edhe me numërimin e votave kishte tjetërsim të vullnetit të qytetarëve tashmë duket jo vetëm I rënë, por edhe një blof që PD si forcë më e madhe opozitare në vend ia bëri vetes. m.p.