Droga, iluzioni që po e mban botën jashtë realitetit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

26 Qershori Dita Ndërkombëtare kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Paligjshëm

Nga Leonard Veizi

Në labirintin e shpirtit njerëzor, aty ku dhimbja tenton si hijet e gjata dhe ankthi troket pa pushim në dyert e brendshme të vetëdijes, disa zgjedhin të arratisen. Jo me valixhe me rroba hipur në tren, por me një cigare, një tabletë, pak pluhur të bardhë që premton qetësi. Droga bëhet strehë, një iluzion, një botë paralele ku realiteti nuk dhemb më aq fort. Dhe ti dorëzohesh para forces së saj. Ata që e përdorin nuk janë gjithmonë rebelë apo të humbur — shpesh janë të lodhur, të lënduar, të pashpresë. Kërkojnë në atë mjegull të trullosur një çlirim nga vuajtja, një mënyrë për të harruar, qoftë dhe për një orë, barrën që u rëndon mbi supe. Por arratia nga realiteti është mashtruese; sepse dhe kur trupi fluturon, shpirti mbetet po aty, duke pritur të përballet me plagët që asnjë drogë nuk mund t’i shërojë…

…Në një planet plot zhurmë, ku brezat përballen me sfidën e mbijetesës përtej krizave ekonomike dhe sociale, duket se një tjetër luftë lëviz në errësirë – ajo kundër drogës. Sipas Raportit Botëror të Drogës 2023 nga UNODC, rreth 296 milionë njerëz të moshës 15–64 vjeç – gati një në çdo 17 njerëz në planet – përdorën ndonjëherë substanca narkotike gjatë vitit të fundit . Një numër tronditës që tregon se droga është bërë për shumë individë një fshehtësi kaotike mes dëshirës për arratisje dhe humbjes së kontrollit.

Edhe Shqipëria nuk është imun ndaj kësaj realiteti të hidhur. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, në vitin 2022, mes të rinjve shqiptarë 15–18 vjeç, 7.4 % kishin konsumuar të paktën një herë kanabis, 4.2 % kishin provuar ekstasi, 3.2 % kokainë dhe 1.2 % heroinë. Sidoqoftë, qëndrimi i atij pasurimi të njohur me kohë – heroinës – mbetet problematik, ndërsa një studim më 2010 e vlerësoi popullsinë e të përdoruesve të drogërave të larta në rreth 10,000 vetë.

Për këto arësye më 7 dhjetor 1987, përmes Rezolutës 42/112, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vendosi të shpallë 26 qershorin si Ditën Ndërkombëtare kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Paligjshëm të Drogës. Kjo datë përfaqëson një shprehje të qartë të vendosmërisë globale për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe veprimet konkrete ndaj një sfide që prek individë, familje dhe shoqëri në mbarë botën.

Dita synon të ndërgjegjësojë publikun mbi rreziqet e përdorimit të drogës, si dhe të theksojë dëmet e mëdha që shkakton trafiku i paligjshëm i lëndëve narkotike, i cili ushqen krimin e organizuar, destabilizon komunitetet dhe minon zhvillimin ekonomik e social.

Kombet e Bashkuara theksojnë se lufta kundër drogave nuk është vetëm një çështje ligjore, por mbi të gjitha një sfidë shëndetësore, sociale dhe etike. Për këtë arsye, fushatat vjetore përqendrohen jo vetëm në parandalimin e përdorimit të drogës, por edhe në rehabilitimin e të varurve, mbrojtjen e të rinjve dhe ndërtimin e komuniteteve të forta dhe rezistente ndaj këtij fenomeni.

Motoja e Kombeve të Bashkuara për këtë ditë shpesh është: “Shëndeti është e drejta jote – trajtimi është përgjegjësia jote”, duke theksuar se çdo individ ka të drejtë të jetojë një jetë të shëndetshme dhe të lirë nga varësia, ndërsa institucionet kanë detyrimin të ofrojnë kujdes dhe mbështetje.

Në një planet gjithnjë e më të ndërlidhur, trafiku ndërkombëtar i drogës kërkon një përgjigje të përbashkët, përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, forcimit të institucioneve ligjzbatuese, por edhe angazhimit të shoqërisë civile, familjeve dhe vetë individëve.

26 qershori është një thirrje për veprim. Një ditë reflektimi dhe ndërgjegjësimi, por edhe një mundësi për të riafirmuar përkushtimin tonë ndaj një bote ku shëndeti, dinjiteti dhe siguria duhet të jenë të garantuara për të gjithë – të lirë nga abuzimi dhe nga kthetrat e krimit të organizuar.

Të fundit

Emigracioni sjell 2 mijë € në vit për çdo familje shqiptare,1/4 e tyre nuk ka me se jeton

Në emisionin “Thjesht”, gazetari Neritan Sejamini trajtoi temën e remitancave dhe ndikimit të tyre në ekonominë dhe financat e...

Tarifat doganore, Trump i bën presion Evropës: Do të mësojë të mos sillet keq

Gjithçka do të varet nga sa “asimetrike” do të jetë marrëveshja mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, sepse një gjë tashmë është e...

Parashikimi i motit për sot, 28 qershor 2025

Shqipëria do të vijojë në masat ajrore të qëndrueshme që sjellin mot të kthjellët gjatë gjithë paradites. Në orët e pasdites dhe në vijim do...

Fillon Lufta Civile Irlandeze me bombardimin e Katër Gjykatave në Dublin

28 qershor 1922 Më 28 qershor 1922, në zemër të Dublinit, fillon zyrtarisht Lufta Civile Irlandeze, kur forcat e qeverisë së sapokrijuar të Shtetit të...

28 qershor 1914 – 1919, Lufta dhe Paqja në të njëjtën datë

Nga Leonard Veizi 28 qershor 1914 - Sarajevë Vritet trashëgimtari i fronit të Austro-Hungarisë, shpërthen Lufta e Parë Botërore Më 28 qershor 1914, një ngjarje në dukje...

Lajme të tjera

Web TV