Pensionistët s’do të ende më gjyqeve, ligji për njohjen e viteve të punës gati për zbatim

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Vetëm pak javë pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të ligjit për njohjen e viteve të punës për të gjithë ata që kanë punuar në ish-kooperativa apo ndërmarrje shtetërore përpara viteve ‘93, qeveria ka gati listën e tyre.

Ky vendim është derivat i ligjit, ndërkohë që priten edhe udhëzime të tjera plotësuese mbi mënyrën se si do të zbatohet më tej. Deri vitin e kaluar, Instituti i Sigurimeve Shoqërore kishte një listë me vetëm 72 ish-kooperativa ku njiheshin vitet e punës, pasi dokumentacioni i tyre shpesh nuk gjendej ose ishte i cunguar. Tanimë, gama ndërmarrjeve shtetërore, bujqësore dhe ish-kooperativave është shumë më e gjerë, vendim falë të cilit do të mund të përfitojnë afro 30 mijë persona që dalin çdo vit në pension.

Mjafton një deklaratë nga personi që kërkon të dalë në pension që ka punuar për disa vite në një ish-kooperativë, ish-ndërmarrje bujqësore a shtetërore që t’i bashkëngjitet dosjes së dokumenteve të tjera që vitet e kërkuara të konsiderohen si vite pune. Kësisoj, ata nuk do të enden më gjyqeve për të kërkuar vitet e punës të padokumentuara, por do t’u njihen automatikisht. Edhe kjo procedurë, sado e lehtë në dukje, kërkon disa kushte që të vërtetojnë që personi ka punuar asokohe si: të ketë qenë banor i zonës pranë ndërmarrjes ku pretendon se ka punuar, të mos ketë qenë i dënuar dhe të ketë qenë në moshë dhe i aftë për punë në vitet që kërkon t’i njihen për efekt pensioni. Ky ligj eliminon burokracitë dhe shpenzimet, që mijëra qytetarë janë detyruar të përballojnë për të provuar vjetërsinë në punë.

Duke komentuar vendimin e djeshëm të qeverisë, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi se objektivi kryesor i miratimit i listës së ish-ndërmarrjeve bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore është njohja e periudhave të punës deri në vitin 1992, sipas legjislacionit në fuqi. Gonxhja vuri në dukje se ligji do të lehtësojë njohjen e periudhave të sigurimit, duke zgjidhur problemet me dokumentacionin e vjetër dhe duke shmangur pengesat administrative. Kjo do të ndihmojë shumë qytetarë që nuk kanë arritur të plotësojnë periudhën minimale të sigurimit për përfitimin e pensionit, duke shmangur proceset gjyqësore të gjata dhe të shtrenjta.

“Miratimi i kësaj liste është një nismë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe ISSH, për të garantuar të drejtat e punonjësve të dikurshëm dhe për të përmirësuar sistemin e pensioneve në vend”, – tha Gonxhja.

Lexo edhe :  Vrau efektivin e Patrullës, Gjykata dënon me burg përjetë Azgan Mërnicën

Këshilli i Ministrave miratoi listën e ishndërmarrjeve bujqësore, sipas vitit të krijimit të tyre dhe territorit të ushtrimit të aktivitetit. Kjo listë u miratua në mbështetje të ligjit “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ishkooperativat bujqësore, për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore”, – me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Me ndryshimet në fjalë, qytetarët që kanë punuar në institucionet shtetërore, ndërmarrjet shtetërore, ato bujqësorë dhe kooperativat, mund të bëjnë deklaratë për njohjen e viteve të punës me kusht që gjatë periudhës së deklaruar, kërkuesi ka qenë me vendbanim në qytetin apo fshatin ku ka ushtruar veprimtarinë subjekti punëdhënës dhe nuk ka qenë duke vuajtur dënimin me heqje lirie.

Miratimi i ligjit mundëson njohjen e periudhave të sigurimit pa pengesa procedurale, siç ndodh kur dokumentacioni që pasqyron periudhën e vjetërsisë në punë paraqet mangësi që e bëjnë të pamundur njohjen e saj administrativisht, pa shpenzime për përfituesit dhe mbi të gjitha, do të mundësonte përfitimin e një pensioni, të paktën sa masa e pensionit social. Kushtet e përfitimit të pensionit të pleqërisë, sipas ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, ndryshojnë sipas gjinisë dhe për vitin 2024, mosha për përfitimin e pensionit të pleqërisë për burrat është 65 vjeç, për gratë është 61 vjeç e 8 muaj, ndërsa periudha minimale e sigurimit është e njëjtë për të dyja kategoritë, 15 vite.

Grumbullimi i dokumentacionit të vjetërsisë në punë para vitit 1994, për këto ente ka problematika të konsiderueshme, si mungesë e plotë të dhënash, të dhëna të pjesshme, të korrigjuara, të fshira, identitete të pasakta, fletë të dëmtuara, mungesë dokumentacioni për subjekte të caktuara etj..

Për shkak të problematikave të tilla dhe kompetencave të kufizuara të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, periudha të konsiderueshme vjetërsie në punë nuk janë konfirmuar dhe nuk janë njohur administrativisht, me pasojë refuzimin e kërkesave për caktim pensioni. Kjo ka detyruar shumë qytetarë t’u drejtohen gjykatave me kërkesëpadi për njohjen e këtyre periudhave, proces i cili zgjat në kohë dhe ka shpenzime të mëdha, e shpesh të papërballueshme.

Deri më datë 01.10.1993 – Në institucionet dhe ish-ndërmarrjet shtetërore.

Deri më datë 17.10.1992 – Në ish-ndërmarrjet bujqësore.

Deri më datë 19.07.1991 – Në ish-kooperativat bujqësore./e.t

Të fundit

A ke përdorur drogë? Ja si u përgjigj Rama për gazetën gjermane

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për “Die Ziet” ku ka folur për fëmijërinë dhe arritjet e tij...

7 persona vdiqën nga kequshqyerja në Gaza brenda 24 orëve

Shtatë persona të tjerë kanë vdekur nga kequshqyerja në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, tha Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga...

Real Madrid gjen mbrojtësin perfekt, luan në La Liga!

Pavarësisht 4 transferimeve të bujshme që ka bërë tani, përfshi edhe qendërmbrojtësin Dean Hujisen, Real Madrid nuk e ka mbyllur ende merkaton dhe planifikon...

Rama: Kemi bërë reforma që nuk kanë ndodhur që prej 1912

Në një intervistë për revistën gjermane ZEITmagazin, Kryeministri Edi Rama është ndalur te lufta kundër korrupsionit. I pyetur nëse korrupsioni është i përhapur në radhët...

Xhepat bosh, bankat plot, paradoksi shqiptar i kursimeve

Të varfër, por me kursime në banka. Në një kohë që gati 42 për qind e popullsisë kanë në xhepa më pak se 550...

Lajme të tjera

Web TV