Një incident i pazakontë ka ndodhur në një fluturim të linjës ajrore “Thai Lion Air” nga Bangkok, ku një pasagjer mbipeshë është nxjerrë zvarrë nga avioni pasi u përplas me stafin në bord për shkak të mungesës së hapësirës në vendin e tij.
Pasagjeri i paidentifikuar, i cili shihej i veshur me një bluzë portokalli me figurën e Garfield-it, u ankua për mungesë hapësire në vendin e tij pranë dritares dhe kërkoi të zhvendosej në vendin e daljes së emergjencës, ku ka më shumë hapësirë për këmbët. Megjithatë, kërkesa e tij u refuzua nga ekuipazhi i fluturimit.
Ky refuzim shkaktoi tërbimin e tij, duke e detyruar stafin të thërrasë policinë. Fluturimi u vonua për rreth një orë derisa autoritetet arritën në vendngjarje dhe e nxorën atë zvarrë nga avioni Boeing 737.
Pamjet që qarkulluan në rrjete sociale tregojnë momentin kur oficerët përpiqen ta largojnë pasagjerin kokëfortë, i cili në një moment shtrihet në dysheme duke bllokuar korridorin në shenjë proteste. Në video dëgjohen edhe pasagjerë të tjerë që i bërtasin atij: “Largohu nga rruga!”, ndërsa një grua e quan atë “shumë egoist”.
