Të bëhesh prind të bën të shohësh qytetet ndryshe. Meritojmë më shumë sesa parqe të mbyllura dhe pishina për fëmijë me dry
Rhiannon Lucy Cosslett
Nuk ka gjë që të ndërgjegjëson më fort për nevojën e hapësirës së jashtme sesa një verë përvëluese me një fëmijë energjik në krah. Ne kemi fatin të kemi një kopsht, megjithëse të egërsuar dhe aspak miqësor për fëmijët, kështu që si shumica e prindërve, mbështetemi kryesisht te hapësirat publike për ta lënë atë të luajë dhe të shfryjë energjinë e madhe që ka. Dhe, nëse je i/e aftë fizikisht, prania e një fëmije të bën të shohësh ndryshe hapësirat publike.
Shkallë në vend të rampave. Mungesë stolash për të ushqyer beben apo për t’i dhënë një biskotë fëmijës. Mungesë hijeje. Pa qasje në tualete apo tryeza ndërrimi. Asnjë vend për të mbushur një shishe me ujë. Asnjë gardh apo portë që të ndante hapësirën këmbësore nga rruga e ngarkuar, një liqen i thellë apo rreziqe të tjera të panumërta. Këto janë gjërat që fillojnë të bëhen me rëndësi. Para syve të tu, mjedisi urban shndërrohet dhe shpesh bëhet i pashpresë. Gjerat si parqet e fëmijëve të mbyllura me çelës (po të shikoj ty, Bashkia e Camdenit – parku Falkland Place ka muaj që s’ka hapur) mund të të prishin gjithë mëngjesin. Në një valë të nxehti, pishinat për fëmijë të bllokuara apo të dëmtuara (zhgënjimet e fundit: Brighton dhe Leamington Spa) duken si akte mizorie të qëllimshme.
Nuk është çudi, pra, që ato “hapësira publike” të privatizuara që janë bërë të zakonshme në qytete – të gjitha me një ndjesi të ftohtë e të njëtrajtshme – fillojnë të duken tërheqëse. Para se të kisha fëmijë, nuk më pëlqente zhvillimi i ri në Coal Drops Yard, pranë King’s Cross në Londër. Kur eca aty sapo ishte rihapur, më dukej një vend i ftohtë, distopik. Por kjo ishte para se të mbërrinin njerëzit. Tani ndjehet i sigurt, i gjallë dhe plot jetë – me fëmijë që çirren nga gëzimi teksa lozin nëpër shatërvanët e Granary Square. Është një hapësirë miqësore për fëmijët, por jo e dominuar prej tyre: nga tregu ushqimor e deri te kinemaja në natyrë, apo studentët që praktikojnë kërcime dhe pijnë birra buzë kanalit, gjithçka krijon një ndjesi komuniteti.
Por në Britani, hapësirat publike të vërteta dhe të përshtatshme për fëmijët – ndryshe nga ato “pseudo-publike” të krijuara nga investimet private – mbeten një llotari e vërtetë, varet ku banon. Shatërvanët e parë të lojës që kam parë ndonjëherë ishin në Piccadilly Gardens, Manchester, të rindërtuar përpara Lojërave të Commonwealth-it 2002. Dikur ishin të shkëlqyer, por prej vitesh zona është shoqëruar me sjellje antisociale. Premtimet për rikualifikim urban janë vonuar për shkak të problemeve buxhetore. Qyteti meriton më mirë.
Shembuj nga kontinenti
Me rritjen e temperaturave, duhet të marrim frymëzim nga kontinenti. Gjatë pandemisë u fol shumë për rëndësinë e hapësirës publike, dhe shpresova se kjo do sillte më shumë zona për këmbësorë dhe më shumë investim në ambiente të jashtme. Por kjo nuk ndodhi gjithmonë. Nuk është se do të bëhemi ndonjëherë një shoqëri që jeton në një piazza si në Itali apo Spanjë, por mënyra se si këto vende ndërthurin lojën e fëmijëve me jetën sociale të të rriturve – me parqe të hijëzuara, përreth të cilëve janë tavolina barash dhe kafesh – është frymëzuese. Ka bërë aq shumë përshtypje, sa është kthyer në fenomen në rrjetet sociale.
Deri diku, kjo ndodh sepse pranohet që mesdita është shumë e nxehtë për të luajtur, dhe kështu mbrëmja bëhet momenti për të gjithë – me kufij të zbutur mes hapësirës për të rritur dhe asaj për fëmijë. Kjo po ndodh edhe këtu. Po bëhet më e zakonshme të shohësh fëmijë që luajnë deri vonë në mbrëmje, prandaj pse të mos fillojmë të projektojmë qytetet rreth nevojave të kujdestarëve të tyre?
Asgjë s’është ideale – por zgjidhja ekziston
Nuk jam nga ata njerëz që mendojnë se gjithçka është më mirë jashtë shtetit. Vetëm sot lexova komentet nën një video për fëmijë italianë që flenë në karroca vonë natën, ndërsa të rriturit shoqërohen. Ata tashmë janë rritur dhe tregojnë se sa shumë e uronin atë gjë si fëmijë – nuk donin të ishin në piazza deri në mesnatë, por të ishin në krevat, në qetësi. Ndërkohë, unë po i bëj djalit tim rutinën e gjumit në orën 7, edhe pse jashtë është ende dritë. Duhet të ketë një rrugë të mesme, apo jo? Një hapësirë publike që u shërben njëkohësisht të rriturve dhe fëmijëve gjatë mbrëmjeve të ndriçuara, që ndjehet e sigurt dhe gjithëpërfshirëse.
Në fund të fundit, valët e të nxehtit do të bëhen gjithnjë e më të shpeshta.
*Rhiannon Lucy Cosslett është kolumniste në The Guardian dhe autore. Libri i saj “Republic of Parenthood” do të botohet këtë verë.
Përgatiti: L.Veizi