Nga Shpëtim Luku
Shumë vite më parë, në një bisedë me një biznesmen të njohur shqiptar, ai më theksoi se sfida më e madhe me të cilën përballej në aktivitetin e tij ishte vështirësia për të gjetur njerëzit e duhur për punë. I njëjti shqetësim më dilte përpara edhe në takime me biznesmenë të tjerë, duke krijuar bindjen se kjo ishte një problematikë e përbashkët, e përhapur, dhe jo një përjashtim i rrallë. Për mua personalisht nuk ishte ndonjë çudi. Duke qenë se për vite me radhë e kisha ndjekur nga afër krimin ekonomik, e dija fare mirë se toleranca e shtrirë ndaj punës së zezë, mosdeklarimit të pagave reale, mosshoqërimit të tyre me sigurimet përkatëse shoqërore dhe kufizimi i tyre në nivele minimale, do të sillnin patjetër një reagim negativ në plan afatgjatë.
Ky reagim tashmë është i prekshëm dhe i dhimbshëm: një mungesë masive e fuqisë punëtore, një tkurrje e paprecedent e popullsisë, dhe një valë e vazhdueshme emigrimi që i ka rrënjët te përjetimi negativ i punës në Shqipëri. Në mungesë të një klime tërheqëse e dinjitoze pune, shumë të rinj dhe profesionistë kanë zgjedhur rrugën e ikjes. Sot, bizneset shqiptare përpiqen të zëvendësojnë këtë boshllëk me punonjës të huaj nga Bangladeshi apo Filipinet, duke improvizuar zgjidhje që shpesh nuk janë as të qëndrueshme dhe as të mjaftueshme.
Në këtë realitet të ri, pyetja që duhet të shtrojmë me seriozitet është: Sa përgjegjës është vetë biznesi shqiptar për këtë fenomen të gjerë emigrimi? Në fund të fundit, emigrimi nuk është as spontan dhe as fatalitet. Ai është pasojë e drejtpërdrejtë e asaj që është përjetuar më parë, në mënyrë sistematike. Për vite të tëra, sektori privat në Shqipëri ka funksionuar me një logjikë të mbijetesës afatshkurtër, duke minimizuar koston e punës me çdo kusht, në vend që të ndërtonte një raport të drejtë e motivues me punonjësit.
Fakte konkrete flasin vetë. Paga mesatare në sektorin privat vijon të jetë më e ulët se ajo në sektorin publik, pavarësisht retorikës së vazhdueshme për rritjen e pagave. Raporti kontribues–përfitues në skemën e sigurimeve është vetëm 1.1:1, një tregues që pasqyron shkallën minimale të kontributit real dhe masën e lartë të informalitetit. Këto janë të gjitha pasqyra të një modeli ekonomik ku përfitimi afatshkurtër ka qenë më i rëndësishëm sesa ndërtimi i një tregu pune të shëndetshëm e tërheqës.
Pra, biznesi shqiptar mban një pjesë të rëndësishme të përgjegjësisë për fenomenin e emigrimit. Sepse për vite me radhë u mor më shumë me menaxhimin e kostove sesa me ndërtimin e burimeve njerëzore. Sepse nuk investoi mjaftueshëm në siguri, dinjitet, apo profesionalizëm. Sepse në shumë raste, punëmarrësi nuk është ndjerë partner, por i shfrytëzuar.
Kjo nuk do të thotë se i gjithë faji qëndron mbi sipërmarrjen, sepse në këtë ekuacion janë të përfshira edhe politika shtetërore, sistemi arsimor dhe mungesa e një vizioni të qartë zhvillimor. Por biznesi, si aktori që përballet drejtpërdrejt me tregun e punës, ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol kyç në formësimin e klimës së punës në vend.
Tani është momenti që ky rol të rishikohet. Nëse Shqipëria dëshiron të ndalë valën e ikjeve, nuk mjafton thirrja për patriotizëm. Duhet ndërtuar një realitet pune ku njerëzit duan të qëndrojnë sepse ndihen të vlerësuar, të mbrojtur dhe të shpërblyer siç duhet. Dhe kjo fillon pikërisht nga biznesi/kb