Përkeqësohet ndjeshëm bilanci i tragjedisë së shkaktuar nga përmbytjet në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Autoritetet kanë konfirmuar të paktën 100 persona të vdekur, ndërsa dhjetëra të tjerë raportohen ende të zhdukur. Mes viktimave ka shumë fëmijë, të cilët ishin mbledhur në San Antonio në një kamp vajzash të krishtera.
Më shumë stuhi priten në Teksas gjatë orëve të ardhshme dhe kjo gjë mund të pengojë punën e ekipeve të kërkim shpëtimit, që aktualisht po përballen me probleme të shumta, përfshirë edhe gjarpërinjtë shumë helmues, ndërsa kontrollojnë në baltë apo rrënoja.
Guvernatori Greg Abbott, theksoi se autoritetet nuk do ta ndalonin punën e tyre për asnjë lloj arsye derisa të konfirmohet fati i çdo personi të zhdukur.
Aktualisht po zhvillohet operacioni më i madh i kërkim shpëtimit në historinë e Teksasit. Gjithçka filloi vonë të premten, me lumin Guadalupe që u tejmbush vetëm për 45 minuta, gjë e cila i gjeti pa përgatitur si fëmijët që po flinin në kampe, ashtu edhe autoritetet./e.t