Ushtria e 4 Dhjetorit dhe ajo e 10 Korrikut

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Themelimi i ushtrisë së shtetit shqiptar daton më 4 dhjetor 1912, vetëm pak ditë pas shpalljes së pavarësisë kombëtare. Ishte një hap simbolik dhe politikisht i domosdoshëm, por me kufizime reale për sa i përket kapaciteteve luftarake. Kjo ushtri, e sapolindur dhe e brishtë, u përball në dekadat në vijim me kriza të brendshme, sulme të huaja dhe mungesë investimesh të qëndrueshme. Më 7 prill 1939, kur trupat fashiste italiane pushtuan Shqipërinë, ajo pushoi realisht së ekzistuari si forcë sovrane shtetërore.

Rezistenca që iu bë pushtimit ishte më shumë një shprehje vullneti qytetar sesa një mobilizim i organizuar ushtarak. Në disa pika bregdetare dhe qytete, popullata vendase, bashkë me oficerë të ndershëm dhe patriotë, u përballën me mjetet që kishin në dispozicion, ndërkohë që një pjesë e mirë e ushtrisë ose u shpërbë, ose iu bashkua pa kushte forcave pushtuese.

Më 10 korrik 1943, në kulmin e luftës së Dytë Botërore, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare u krijua nga forcat komuniste shqiptare që po drejtonin Frontin Nacionalçlirimtar. Në përbërjen e tij hynin disa batalione të organizuara dhe shumë më tepër çeta partizane që vepronin në zona të ndryshme të vendit. Ky organizim shënoi një etapë të re në lëvizjen çlirimtare dhe u konsiderua pas Luftës si data e lindjes së ushtrisë së re popullore.

Pas çlirimit, 10 korriku u kremtua për dekada si dita zyrtare e Ushtrisë Popullore të Shqipërisë. Përmes paradave ushtarake, demonstrimeve të fuqisë dhe propagandës së centralizuar, ushtria u paraqit si mburojë e popullit dhe e pushtetit. Deri më 1974, Forcat e Armatosura shqiptare ishin të pajisura me tanke, artileri të rëndë, sisteme raketore dhe formacione të fryra numerikisht, të ndërtuara sipas modelit sovjetik dhe më pas atij kinez.

Pas vitit 1990, me rënien e sistemit komunist, 10 korriku ra në harresë, ndërsa autoritetet e reja e rikthyen 4 dhjetorin si datën zyrtare të themelimit të ushtrisë shqiptare, në përputhje me traditën institucionale të shtetit të vitit 1912.

Megjithatë, ushtria shqiptare hyri në një periudhë të gjatë rrudhjeje dhe mosinvestimi. Pjesa më e madhe e mjeteve të mëkanizuara, – që mbetën nga periudha e diktaturës –  dolën në ankande dhe u shitën për skrap.

Në kushtet e tranzicionit të vështirë politik dhe ekonomik, dhe në një botë që dukej më paqësore, u krijua ideja se nuk kishte më rrezik lufte për Shqipërinë, dhe se siguria kolektive e NATO-s do ta mbronte vendin nga çdo kërcënim.

Lexo edhe :  Walt Whitman do ta urrente këtë

Kjo qasje u përforcua më tej kur Shqipëria u anëtarësua në NATO më 1 prill 2009, duke u bërë pjesë e një prej aleancave më të fuqishme ushtarake në botë. Shpenzimet për mbrojtjen u mbajtën në nivele të ulëta dhe ushtria u orientua drejt një modeli më të vogël, më të specializuar dhe më të ndërveprueshëm me standardet perëndimore.

Por zhvillimet gjeopolitike të viteve të fundit e kanë tronditur këtë qetësi iluzore. Lufta në Ukrainë, krizat në Gaza, Lindjen e Mesme dhe tensionet me Iranin kanë rritur ndjeshëm shqetësimin për sigurinë globale. Në këtë kontekst, koncepti i “paqes së përhershme” është venitur dhe po zëvendësohet nga një strategji e ripërforcimit ushtarak në të gjithë botën perëndimore.

Në këtë frymë, në Samitin e Hagës të NATO-s – që u mbajt më 24–25 qershor 2025, – udhëheqësit e 32 vendeve anëtare ranë dakord të rrisin shpenzimet për mbrojtje deri në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, përfshirë 3.5% për mbrojtjen bazë dhe 1.5% për kapacitete sigurie (si infrastrukturë ushtarake, mbrojtje kibernetike, rezerva strategjike etj.).

Ky objektiv i ri përbën një sfidë të madhe për vende si Shqipëria, e cila aktualisht shpenzon rreth 1.7–1.8% të PBB-së për mbrojtjen, përkatësisht 370–400 milionë euro në vit. Nëse do të përmbushte objektivin e ri prej 5%, Shqipëria do të duhej të investonte rreth 1.1 miliardë euro në vit në sektorin ushtarak.

Kjo do të ishte një rritje më shumë se dyfish e buxhetit aktual, një barrë e rëndë për një ekonomi që përballet me sfida të mëdha sociale, demografike dhe infrastrukturore.

Në këtë pikë, Shqipëria ndodhet përballë një dileme strategjike:

ose të përpiqet të ndjekë ritmin e rritjes ushtarake të vendeve të NATO-s për të ruajtur seriozitetin në Aleancë,

ose të mbajë një qëndrim më të kujdesshëm, duke peshuar me realizëm nevojat kombëtare dhe mundësitë reale ekonomike.

Në çdo rast, historia e dy datave të ushtrisë shqiptare – 4 dhjetori dhe 10 korriku – përfaqëson dy vizione të ndryshme për mbrojtjen:

njëra e lidhur me shtetformimin kombëtar,

tjetra me luftën partizane dhe trashëgiminë ideologjike të së majtës.

Sot, Shqipëria ndodhet në një çast ku forcimi i mbrojtjes është më shumë çështje domosdoshmërie strategjike sesa zgjedhje politike. Nëse historiana  ka mësuar diçka, është se paqja nuk është e përhershme dhe siguria kërkon përgatitje – edhe në kohë kur ajo duket e padukshme.

Të fundit

Trump mund të mos lejohet të flasë në Parlament gjatë vizitës shtetërore në Britani

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, mund të mos e gëzojë privilegjin e të adresuarit probleme...

Thashethemet për një romancë me Xhensila Myrtezajin, Ledri thyen heshtjen

Në një intervistë televizive, Ledri nuk mohoi zërat për një romancë të re në jetën e tij, pas ndarjes nga blogerja Sara Hoxha, me...

Ndryshime në kupolën e Policisë/ Korça dhe Elbasani me drejtues të rinj

Ditët e fundit kryepolici Ilir Proda ka bërë ndryshime të shumta në rang komisariatesh në gjithë vendin, por edhe në drejtues qarqesh. Raportohet se Drejtori...

Vijon aksioni në Theth, prishen rreth 70 objekte pa leje, pritet ‘kuvendi’ i banorëve

Ka vijuar edhe këtë të dielë aksioni i IKMT-së për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth. Situata ditën e sotme paraqitet më e...

Nis konflikti 34-ditor mes Izraelit dhe Hezbollahut

13 korrik 2006 Më 13 korrik 2006, konflikti i armatosur ndërmjet Izraelit dhe grupit shiit libanez Hezbollah mori përmasa dramatike, kur forcat izraelite vendosën bllokadë...

Lajme të tjera

Web TV