Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga vrasja e të riut Renis Dobra pranë liqenit të Shkopetit mëngjesin e 9 korrikut. Hetuesit kanë arritur të identifikojnë autorin e dyshuar për krimin.
Një prej tyre është Petrit Çakrri. Ky i fundit, rezulton të jetë një prej dëshmitarëve okularë të vrasjes së ish-deputetit të PD, Azem Hajdari mbrëmjen e 12 Shtatorit 1998.
Sipas raportimeve, Çakrri kishte marrë me qira dy makina në Rinas, një Range Rover dhe një Hyundai të bardhë. Çakrri u tradhtua nga kamerat e sigurisë dhe GPS e makinës që kishte marrë me qira dhe që përdori në krim.
Sipas pamjeve filmike u zbulua pika e dhënies së automjeteve me qira ndërsa rezulton se pasi kanë dorëzuar makinat që përdoren në krim, kanë marrë automjete të tjera po me qira.
GPS e makinës i ka mundësuar grupit të hetimit se automjeti me të cilin udhëtonte Çakrri, që tashmë e ka ndryshuar mbiemrin në Hoxha ka lëvizur në trajektoren ku ka lëvizur edhe Renis Dobra.
Pas krimit, Petrit Çakrri është larguar nga Shqipëria dhe besohet të ketë dalë jashtë vendit nga pika e kalimit kufitar të Morinës.
Nipi i tij u ndalua nga policia dhe iu sekuestrua celulari, aty ku besohet se janë gjendur prova të shumta që mund të zbërthejnë detaje të mëtejshme për vrasjen e Renis Dobrës.
Çakrri rezulton një person me precedentë të shumtë penalë ndërsa nuk kanë munguar dhe përplasjet e tij me policinë.
Çakrri në vitin 2017 u arrestua nën dyshimet se kishte mashtruar një biznesmen në Vorë duke i marrë 4.4 milionë lekë të reja duke u prezantuar si tregtar. Çakrri i premtoi biznesmenit se do t’i siguronte mallra me çmim të lirë. m.p.