Shpresë, Frikë dhe Besueshmëri, Trinom i Pashkëputur në Udhëtimin Europian të Shqipërisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Fejzo Subashi

Prej më shumë se tridhjetë vitesh, Shqipërinë e kanë shoqëruar tri ndjenja të fuqishme në udhëtimin e pa fund të saj drejt Europës: Shpresa, Frika dhe Besueshmëria. Këto ndjenja nuk janë thjesht emocione, të shpërndara në kohë dhe rrethana, por janë bërë komponentë të pandarë të identitetit tonë europian të vonuar. Që nga rënia e regjimit komunist, në vendin tonë është shpresuar, është pasiguruar dhe është vënë në pikëpyetje çdo marrëdhënie me veten dhe me të tjerët.

Shpresa: Rruga që nuk shuhet

Shpresa ka qenë motori më i fuqishëm i këtij rrugëtimi. E shprehur fillimisht në fillesat e saj, me gjuhën e protestës, të rinisë, sidomos asaj studentore, të arratisjes, dhe më pas të kërkesës për integrim. Shpresa ka ndriçuar horizontin tonë kombëtar. Por është një shpresë që ka zgjatur më shumë seç duhej. Është shpresa e brezave që lindën në fillim të viteve ’90, të cilët sot janë prindër, profesionistë, emigrantë, qytetarë të sprovuar. Është po ashtu shpresa e një brezi më të vjetër, që dikur ëndërronte për “Europën që na takon”, por sot është plakur me një ndjenjë pezmi dhe mosbesimi.

Në një shoqëri normale, shpresa duhet të pasohet nga përmbushja, nga hapat konkretë. Por në Shqipëri, shpresa është bërë një gjendje e përhershme. Dhe për ironi, ajo sot mbahet gjallë më shumë nga vetë europianët që besojnë ende se Shqipëria mund të ndryshojë, sesa nga një pjesë e mirë e shqiptarëve që kanë nisur të lodhen nga pritja.

Frika: Historia që nuk duam ta kujtojmë

Frika është motra binjake e shpresës në këtë rrugëtim. Ka qenë frika nga destabiliteti, nga vetë-shkatërrimi, nga krizat që shpesh i kemi shkaktuar vetë. Kriza e vitit 1997, lufta në Kosovë, përplasjet politike të dhunshme, shpërdorimi i institucioneve, konfliktet që gjithnjë janë afruar rrezikshëm me kaosin, këto nuk janë thjesht episode, por plagë të pashëruara në ndërgjegjen tonë kolektive.

Frika është gjithashtu ajo që ka penguar shumë vende europiane të japin një dritë jeshile për integrimin. Ata shohin ende një vend ku demokracia është më shumë procedurë sesa kulturë, ku shteti i së drejtës është më shumë një slogan se një realitet funksional. Dhe kjo frikë nuk lind nga paragjykimi, por nga përvoja.
Besueshmëria: Aty ku fillon (dhe mbaron) gjithçka

Ndër të treja, besueshmëria është ndoshta elementi më kritik. Ajo nuk fitohet me deklarata, por ndërtohet në heshtje, me veprime të qëndrueshme. Pikërisht këtu kemi dështuar më shumë se kudo.

Lexo edhe :  S’mund t’i besosh Shqipërinë dikujt që s’i beson askujt

Kancelaritë europiane janë lodhur nga premtimet e përsëritura dhe nga ndryshimet e përkohshme që s’ndërtojnë institucione, por mbajnë në këmbë individë. Qeveritë tona kanë shpesh më shumë talent për të manipuluar perceptimet, sesa për të ndërtuar besim të qëndrueshëm. Në vend të një vazhdimësie në reforma, kemi pasur ndërprerje, kthime prapa, diletantizëm, ose më keq: qëllime të fshehura pas fasadës europiane.

Në këtë klimë, edhe qytetarët kanë humbur besimin, jo vetëm tek politika, por edhe te vetë ideja e integrimit si diçka që mund të ndodhë në jetën e tyre. Dhe këtu nis problemi më i madh: kur nuk ke më besim as në veten tënde, as tek partneri yt, atëherë çdo marrëdhënie bëhet thjesht një formalitet që ushqehet nga dyshimi dhe jo nga dëshira.

Tre mesazhe, për tri palë përgjegjësish

Ky shkrim nuk është vetëm reflektim, por thirrje për veprim , në tri drejtime:

Së pari duhet të ndërgjegjësohen vetë kancelaritë europiane se: Shqipëria nuk është thjesht një vend i vogël në Ballkan. Ajo është një simbol i një bote që kërkon të jetë pjesë e Europës pa kthyer kurrizin ndaj historisë së saj. Gjykoj se këto kançelari duhet ta ndihmojeni vendin ton jo vetëm me rekomandime teknike, por edhe me një vullnet të qartë politik që të vendosë një standard të ri për integrimin, bazuar në realitet, por edhe në përgjegjësi të përbashkëta. Ata duhet të reflektojnë , ashtu si edhe ne, pasi përgjegjësia ndaj historisë së djeshme më shumë peshon nga ata.

Për klasën politike shqiptare: Integrimi europian nuk është dhe as duhet të jetë një çështje retorike. Ajo nuk duhet të jetë vetëm pjesë e platformave elektorale. Integrimi duhet të jetë për klasën politike një kontratë përgjegjësie politike dhe morale me popullin dhe me të ardhmen. Ku parsor të jetë qëllimi ku të dërtoni institucione, jo emra. Jepni besim, jo fjalë. Zbatoni reforma që sjellin drejtësi të pavarur dhe zgjedhje të ndershme, jo thjesht rekomandime që plotësojnë raportet ndërkombëtare.

Absolutisht ky hap vërtet rrënjësor i pa realizuar deri dje kërkon dhe detyra dhe detyrime për qytetarin shqiptar ku: Shpresa është e vlefshme, por jo e mjaftueshme. Të drejtën për të qenë pjesë e Europës e kemi, por edhe detyrën për të qenë europianë në sjellje, në përgjegjësi, në vetëdije. Pa këtë, Europa mbetet vetëm një ëndërr, dhe jo një shtëpi ku mund të hyjmë me dinjitet. m.p.

Të fundit

Kolegji Zgjedhor rrëzon PD, vulos rezultatin e Tiranës: Zgjedhjet nuk përsëriten

Kolegji Zgjedhor Gjyqësor rrëzon ankimin e Partisë Demokratike për pavlefshmëri zgjedhore në qarkun e Tiranës. Argumentet e paraqitura nga përfaqësuesi...

Kinë-India, ka luftë

Përplasja e herëpashershme me armë mes dy vendeve më të populluara në botë është larg zgjidhjes. Në një anë të kufirit jetojnë mbi një miliard...

Nga Shqipëria në SHBA me karkalec në valixhe! Autoritetet: Na u rrezikua bujqësia!

Autoritetet amerikane hetojnë vazhdimisht për të ashtuquajturin ‘agro-terrorizëm’. Këtë herë, specialistët e aeroportit të Detroitit në SHBA u befasuan nga ajo që zbuluan në...

Berisha: Rama po hakmerret ndaj banorëve në Theth, sepse më 11 Maj ata votuan për PD-në

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli sot në konferencën për mediat lidhur me prishjen e ndërtesave në Theth, në kuadër të aksionit të...

Ish-Presidenti u la pas hekurave/ Avokati: Ilir Meta nuk mposhtet kollaj

Avokati i Ilir Metës ka komentuar vendimin e Apelit të GJKKO-së që la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj ish-Presidentit të...

Lajme të tjera

Web TV