Rrëzimi i avionit në Indi/ Kapiteni përgjegjës për tragjedinë, fiku motorët pas ngritjes

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Tre sekonda pas ngritjes së fluturimit Air India 171, kapiteni Sumeet Sabharwal ngriti dorën e djathtë, e afroi drejt dy levave në konsolën qendrore të Boeing 787 dhe ndërpreu, me shpejtësi, furnizimin me karburant fillimisht të motorit të majtë dhe më pas të atij të djathtë.

Në atë fazë tepër delikate, me gjithë vëmendjen të përqendruar në ngjitjen sa më të shpejtë të avionit, oficeri i parë Clive Kunder — i cili në atë moment ishte piloti përgjegjës për komandimin aktiv të fluturimit — nuk mund të bënte asgjë: duart i kishte të zëna duke kontrolluar avionin.

Zëri i dallueshëm

Edhe nëse nuk e pa, Kunder me siguri e kuptoi që komandanti — i cili kishte rolin e pilotit monitorues — kishte lëvizur ndërprerëset nga “Run” në “Cutoff”: tingulli që del nga lëvizja nga lart-poshtë është i pashmangshëm. Dhe ndërsa motorët nisën të humbisnin fuqinë, siç u regjistrua edhe nga audioja e një prej kutive të zeza, filloi debati, me Kunder që pyeste vazhdimisht “pse e bëre?”, me një zë gjithnjë e më të dëshpëruar, dhe Sabharwal që për disa sekonda përpiqej të mohonte, siç ka zbuluar ekskluzivisht “Corriere” dy ditë më parë. Oficeri i parë më pas u përpoq të shpëtonte situatën, duke rindezur të dy motorët pas 10 dhe 14 sekondash. Por ishte shumë vonë.

Pikat e sqaruara tashmë

Tani është “Wall Street Journal” që konfirmon dinamikën, duke cituar zyrtarë amerikanë të njohur me përmbajtjen e skedarëve audio. Material që është dëgjuar drejtpërdrejt edhe nga Jennifer Homendy, drejtuesja e NTSB, agjencia amerikane që heton aksidentet në fushën e transportit. Një rindërtim që nga njëra anë përjashton plotësisht Boeing dhe GE Aerospace, përkatësisht prodhuesin e avionit dhe të motorëve. Por nga ana tjetër, hedh hije mbi hetuesit indianë, të cilët e kanë lënë jashtë këtë detaj në raportin paraprak.

Lexo edhe :  Lufta në Gaza, Guterres i “tmerruar” nga sulmet ndaj ndërtesave të OKB-së

Fluturimi

Më 12 qershor, Boeing 787 i Air India me 242 persona në bord u rrëzua 32 sekonda pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabad. Ishte nisur drejt Londrës, Gatwick. Në total humbën jetën 260 persona: 241 nga ata që ndodheshin në avion (vetëm një pasagjer mbijetoi) dhe 19 të tjerë në tokë, që ndodheshin brenda një ndërtese mbi të cilën u përplas avioni. Raporti paraprak konfirmoi që tre sekonda pas ngritjes, ndërprerëset që rregullojnë rrjedhën e karburantit u kaluan nga “Run” në “Cutoff”, pa shpjeguar sesi.

Ndërprerja e qëllimshme

Siç ka zbuluar “Corriere”, është një prej pilotëve që me një veprim të qëllimshëm ndërpreu furnizimin me karburant, duke çaktivizuar motorët. Kutitë e zeza nuk lënë vend për dyshime lidhur me përgjegjësinë: ishte komandanti Sabharwal ai që nisi sekuencën që çoi në përplasjen fatale, duke ndalur karburantin. Oficeri i parë Kunder, fillimisht i befasuar nga veprimi, më pas u përfshi nga paniku, duke pyetur vazhdimisht e me dëshpërim eprorin e tij për arsyen e këtij gjesti, ndërkohë që kapiteni fillimisht e mohoi, dhe më pas mbeti në heshtje.

Kush ishin pilotët

Sabharwal, 56 vjeç, përshkruhet nga të gjithë — kolegë dhe fqinjë — si një njeri i sjellshëm, i përkushtuar ndaj të atit të sëmurë, ish-funksionar në Ministrinë e Aviacionit Civil Indian. Nuk kishte asnjë “njollë” profesionale në karrierën e tij, megjithëse ditët e fundit një pilot indian ka zbuluar se ai vuante nga depresioni. Kunder, 32 vjeç, kishte ëndërruar të bëhej pilot që fëmijë, edhe falë nënës së tij, e cila kishte punuar si asistente fluturimi për Air India./Corriere della sera

Të fundit

Dita e sotme me diell, temperaturat deri në 40 gradë celsius

Ditën e sotme (25 korrik), vendi ynë do të jetë në ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme. Sipas Shërbimit Meteorologjik...

Ishim mirë kur ishim keq!

Nga Edvin Kulluri Viti 1990 dhe viti 1996 kanë qënë dy vitet më kritike të Shqipërisë që po dilte nga komunizmi apo kur menduam se...

Shtojca e re e WhatsApp s’ju lë të harroni asnjë mesazh!

WhatsApp po zhvillon një opsion të ri “Remind Me” që përdoruesit të mos humbasin bisedat e rëndësishme. Risia po testohet me përdoruesit beta në Android dhe...

Prapaskena e videos virale në koncertin e Coldplay

CEO i Privateer Rum, Andrew Cabot, ndodhej në një udhëtim pune kur gruaja e tij, Kristin Cabot, u kap nga kamera e puthjeve në...

Sherri Shabani-Lapaj, Mërtiri: Përçarja nuk do të thotë se s’ka ideale.

Analisti Ergys Mërtiri komentoi për ‘Real Story’ përçarjen brenda lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’ mes Lapajt dhe Shabanit. Mërtiri tha se debatet brenda kësaj partie vijnë...

Lajme të tjera

Web TV