Nga Sam Bloch
Kur indeksi i nxehtësisë arriti 105 gradë Fahrenheit një fundjavë në fund të qershorit, unë dhe fëmija im i vogël ishim në këmbë, duke kërkuar një oazë freskie. E gjetëm atë në hijen e gjerë dhe të zbehtë që hedh një ndërtesë banimi me 26 kate në Lower East Side, në një oborr ku dëgjoheshin tingujt e domino-s që përplaseshin dhe fëmijë me skuterë që lëviznin shpejt përreth paisjeve të lojërave.
Edhe pse New York-u dhe qytete të tjera amerikane kanë nevojë të madhe për hapësira të hijezuara të tilla, krijimi i tyre është shumë i vështirë. Kodi i planifikimit urban shpesh i pengon ndërtime të larta në shumë lagje, ndërsa dizajnerët urbanë thonë se hijet e gjata prej qindra metrash e bëjnë hapësirën e lirë rreth tyre më pak tërheqëse. Por e kundërta është e vërtetë në ditë me nxehtësi ekstreme: hijezimi monolitik i ndërtesave mund të përmirësojë parqet, fushat e lojërave dhe sheshet duke i freskuar.
Meqenëse nxehtësia ekstreme po bëhet më e zakonshme, banorët e qyteteve duhet të heqin paragjykimin kundër errësirës ditore dhe të pranojnë hijet.
Sipas Kelly Turner, profesoreshë e planifikimit urban në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos, dhe ish-drejtoreshë e Qendrës për Komunitete të Rezilientë ndaj Nxehtësisë (e cila së fundmi u mbyll), hijeja e çdo lloji mund të ulë barrën e nxehtësisë deri në 30 për qind, duke parandaluar edhe dehidratimin, dhimbjet e kokës dhe sëmundjet e rënda të nxehtësisë. Ndërtesat shumë të larta mund të kapin nxehtësinë dhe të rrisin temperaturën e ajrit, veçanërisht natën – fenomen i njohur si “efekti i ishullit urban të nxehtësisë”. Por Turner thotë se gjatë ditës ngrohja lokale kompenzohet nga hijezimi ftohës.
Megjithatë, është më e vështirë të gjendet hije e krijuar nga ndërtesa dhe struktura të tjera njerëzore. Në qershor, Turner dhe studiues të tjerë nga UCLA publikuan një hartë kombëtare të hijes në mbi 360 qytete amerikane, që tregon se pjesa më e madhe e hijes vjen nga pemët, jo muret e ndërtesave.
Kjo lidhet edhe me pozicionin e diellit. Studiuesit vunë re se vetëm në mbrëmje të hershme, kur dielli perëndon, hijeja gri e ndërtesave rivalizon hijen e pemëve. Fatmirësisht, me kalimin e verës dhe rritjen e temperaturave, hijet bëhen më të gjata gjatë gjithë ditës.
Por mungesa e hijes së ndërtuar është edhe rezultat i qëllimshëm. Për më shumë se një shekull, planifikuesit amerikanë kanë punuar për të ruajtur dritën e diellit në qytete. Që në shekullin e 19-të, reformatorët synonin të krijonin hapësira ajri dhe dritare në ndërtesat e ngushta të New York-ut për të luftuar sëmundje si tuberkulozi. Planifikuesit urban e përdorën këtë për të kontrolluar dendësinë e zonave, duke studiuar hijet për të vërtetuar se ndërtesa të ulëta dhe largime të thella në rrugë ishin të nevojshme për të siguruar dritë të mjaftueshme.
Sot, shmangia e hijes është një parim bazë i dizajnit urban amerikan. Qytete si Boston dhe San Francisco kanë rregulla që ndalojnë ndërtime që heqin dritën nga parqet dhe fushat e lojërave, duke pretenduar se errësira i bën ato më pak të përdorshme. New York-u miratoi kode zonale në vitet 1970 për të nxitur diellin maksimal në sheshe publike. Disa zhvillues duhet të paraqesin studime për hije nëse ndërtesat e tyre mund të përfshijnë hapësira publike të ndjeshme ndaj diellit.
Zbulimi i këtyre hijesh mund të shkaktojë reagime publike. Për shembull, dy kulla të planifikuara në Columbus Circle u ndaluan pas një proteste në 1987, ku u imituan hijet e dimrit që do të hidheshin në Central Park. Në Upper East Side, një kulla 16-katëshe që do të errësonte një park është në pezullim të pakufizuar, dhe një projekt 68-katësh në East Harlem është paditur për shkak se do të shndërronte një fushë futbolli në “fundin e një ashensorit”, sipas një fqinj.
Sigurisht, kur u shkruan këto kode urbanistike, ngrohja globale nuk ishte në fokus. Por së shpejti, qyteti mund të përballet me rreth dy muaj me temperatura mbi 32 gradë Celsius në vit. Nxehtësia do të rritet gjithashtu në pjesë të tjera të vendit. Kjo do të rrezikojë veçanërisht fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike dhe punonjësit në ambient të jashtëm.
Studimet tregojnë se hijeja ndihmon. Kur temperatura është rreth 35 gradë dhe lagështia 60 për qind, një park i shfrytëzuar nga dielli është i rrezikshëm për të moshuarit e shëndetshëm, thotë një grup ekspertësh ndërkombëtarë të nxehtësisë. Por për ta është krejtësisht e sigurt të ulen në një stol nën hije.
Planifikuesit duhet të përdorin të dhëna të tilla për të treguar sa efektive është hijezimi. Ata kanë nevojë edhe për harta më të mira, si ajo që Turner dhe kolegët e saj nga UCLA krijuan me ndihmën e organizatës American Forests, për të identifikuar ku mungon hijeja dhe ku ka më shumë.
Kjo do të ndihmonte veçanërisht planifikuesit e transportit që duan të zhvendosin shtigjet e biçikletave në rrugë më të freskëta ose të vendosin stacionet e autobusëve në zona më të hijezuara.
Në lagjet ku ndërtesat e larta janë të ndaluara, duhet të mbillen më shumë pemë që të bllokojnë diellin dhe të ftohin ajrin. Pak kush kundërshton hijen e tyre të gjelbër.
Por në plan afatgjatë, publiku duhet të kapërcejë frikën nga hijet më të përhershme. Po, është bezdi kur një kullë e re errëson kopshtin apo pamjen tonë, por nëse mësojmë të shohim çfarë sjell hijezimi për qytetin, jo vetëm çfarë merr, mund të pranojmë hijet si një formë të freskimit urban.
Në fakt, kjo dinamike po zhvillohet tani pranë kompleksit Lands End II, ku unë dhe djali im gjetëm oazën e freskisë — në formën e katër kullave të reja prej 62 deri 80 kate, që do të mbulojnë kullat më të vjetra. Nuk është e vështirë të imagjinosh se si këto ndërtime do të nxisin rritje çmimesh dhe do të zhvendosin banorët afatgjatë. Disa kanë bërë padi të shumta për t’i ndalur. Por në një pasdite të nxehtë vere, ndërsa kaloj pranë fushave bosh të basketbollit dhe hendbollit, dhe toboganeve të braktisura, mund të imagjinoj se hijet e gjera të tyre mund të jenë një përmirësim.
*Sam Bloch është gazetar në New York dhe autor i librit të ardhshëm “Hijja: Premtimi i një Burimi të Harruar Natyror.”
Burimi: The New York Times/ Përgatiti: L.Veizi