Në përfundim të një takimi maratonë me përfaqësues të teknologjisë, mbajtur në qytetin e Beratit, kryeministri Edi Rama ka prezantuar përfundimet e këtij bashkëbisedimi, duke vënë theksin te rëndësia e dixhitalizimit dhe roli kyç që luajnë institucionet financiare në këtë proces.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë ka kritikuar ashpër bankat e nivelit të dytë për vonesat në përshtatjen me zhvillimet teknologjike, duke i cilësuar si një pengesë serioze për përparimin e sektorit financiar.
“Bankat janë në kushtet e një prapambetjeje që po kërcënon progresin e sektorit,” deklaroi Rama, duke shtuar se kjo vonesë është e pajustifikueshme, pasi legjislacioni i nevojshëm është miratuar dhe instrumentet përkatëse janë në dispozicion.
“Dua të them që sot ka pasur shumë brumë në tryezë edhe që nëse do të arrijmë të vendosim piketat që kemi diskutuar dhe pastaj të ndjekim një hartë veprimesh, do arrijmë të bëjmë më të mirën. Ka qenë kënaqësi edhe për të njohur nga afër disa inovatorë, edhe më prezantuan edhe një dokument të vjetër që ishte shumë tërheqës për qendrën e mendimit novator.
Bankat që janë në kushtet e një prapambetje që po kërcënon progresin e sektorit dhe për më tepër e pajustifikuar po të kemi parasysh që gjithë legjislacioni i nevojshëm është i miratuar, gjithë instrumentet janë në dispozicion dhe këmbëngulja e bankave për të mos lëvizur me të njëjtin ritëm jo vetëm dëmton sektorin, por në tërësi interesat e shoqërisë duke penguar lehtësimin e mëtejshëm të të gjitha ndërveprimeve që lidhen me transaksionet financiare”, tha Rama./e.t