Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka folur pa doreza për të ashtuquajturit të paprekshëm të politikës shqiptare.
Ai deklaroi në një intervistë për gazetën “Sot” se ish-kryeministri Sali Berisha është ende me fat që po përballet vetëm me aferën “Partizani”, ndërkohë që ende nuk është marrë nën hetim për krimet e rënda si Gërdeci apo 21 Janari.
Për Ilir Metën, Koçi është i qartë: po përballet me pasojat e një partie të ndërtuar mbi afera dhe kontroll familjar, dhe nuk mund të sillet si viktimë për të shpëtuar nga burgu kur vetë ishte kreu absolut i LSI-së.
Ai ngre alarmin dhe për skandalin financiar “Bankers”, të cilin e cilëson si një “minierë krimi” që ka ndotur nëntokën e financave publike dhe i bën thirrje të drejtpërdrejtë SPAK-ut që ta marrë nën hetim.
– Zoti Koçi, ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet nën akuzë për aferën “Partizani”. A mendoni se është i përfshirë realisht në këtë çështje apo është një proces i motivuar politikisht?
Berisha deri tani është me fat që po gjykohet vetëm për aferën e grabitjes së ish-klubit Partizani e shfrytëzimit të truallit nga enturazhi i tij familjar për biznes me superfitim miliona eurosh. Ndërkohë ai akoma nuk është marrë nën hetim për çështje ngjarjesh më të rënda si 21 Janari, Gërdeci, apo edhe ndërveprimi i vendimmarrjeve të qeverisë së tij në bashkëfajësi të supozuar me interesat e bizneseve të fëmijëve të tij. Ai iu rikthye politikës aktive për të shumëfishuar imunitetin politik ndaj drejtësisë dhe për ta vënë atë nën presion të hapur. Ky presion, në gjykimin tim, ka qenë një tjetër vepër e ndëshkueshme penalisht, por që fatkeqësisht deri tani askush nuk ka guxuar ta konsiderojë këtë aspekt që sfidon haptazi një institucion potent si SPAK apo GJKKO.
– Ish-presidenti Ilir Meta ndodhet në paraburgim dhe po përballet me akuza për afera si CEZ-DIA dhe lobimi në SHBA. Ai pretendon se është tradhtuar nga njerëzit e tij në LSI dhe se nuk ka hedhur asnjë firmë që ta implikojë. A është viktimë e sistemit, apo i përgjegjshëm për ato akuza?
Ilir Meta po paguan një biznes shumëvjeçar që ka bashkëdrejtuar familjarisht dhe që e ka emrin LSI. Vështirë t’ia kenë hedhur apo ta kenë tradhtuar. Ai ka qenë fuqiplotë në atë parti private. Sa është përfshirë personalisht në provat e gjetura deri tani, këtë e dinë vetëm hetuesit konkretë. Di që LSI ka qenë modeli i shndërrimit të një strukture partiake në një ndërmarrje fitimprurëse. Kjo nuk do të thotë që e njëjta skemë nuk funksionon edhe në parti të tjera, por asnjëra nuk ka kapur dot steken kampione të LSI-së.
– Si e vlerësoni punën e SPAK deri tani? A ka mbajtur balancën dhe besimin publik në përballje me të mëdhenjtë e politikës dhe krimit?
SPAK dhe GJKKO janë brenda pritshmërive të mia paraprake. Pra, nuk janë magjibërëse, por shpresëdhënëse që deri tani kanë dhënë prova të mira. Nota ime është 8 për këtë drejtësi, kur kam parasysh që nota sunduese nëpër institucione shkon nga 5 deri te 6 dhe kur mendoj që pak institucione kanë nivelin e notës 8. Mos të harrojmë që drejtësia e re u bë një bekim për procesin e integrimit europian të vendit. Krahas punës së lavdërueshme dhe shpesh spektakolare të qeverisë, drejtësia e re i dha një votëbesim moral ndërkombëtar ngjitjes së Shqipërisë drejt anëtarësimit europian.
– A ka ardhur më në fund momenti që pandëshkueshmëria në Shqipëri të marrë fund, apo jemi ende në një fazë eksperimentale të drejtësisë së re?
Uroj që të mos bëhen më eksperimente dhe personalitete si Dumani të marrin garanci të reja në vazhdimin e menaxhimit të SPAK. Kjo nuk do të thotë që nuk ka aspekte të cilat duhen korrigjuar apo ndryshuar. Lufta e fortë ndaj korrupsionit nuk duhet të kompromentohet me mangësi në atë që konsiderohet respekt i plotë i të drejtave të njeriut dhe prezumimit të pafajësisë deri në verdiktin fundor. Më lejoni të shtoj që në aferën e “Bankers” duhet të përfshihet SPAK. Ajo aferë është një minierë ku krimi është një mineral i cili duhet nxjerrë sepse ka ndotur mjedisin nëntokësor të financave publike, jo atyre private./e.t