Strukturat e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kanë zgjeruar hetimet në lidhje me dosjen ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa.
Për dy ditë janë komunikuar akuzat për disa prej të pandehurve, ku më kryesori është Erion Veliaj, ndaj të cilit rëndon akuza e korrupsionit, pastrim parave, fshehje e pasurisë dhe futjes e sendeve të paligjshme.
Sipas gazetares Klodiana Lala, “SPAK ka marrë të pandehur 30 persona, përfshirë përfaqësues të shoqërive tregtare, organizata jo fitimprurëse si dhe figura publike të njohura dhe njerëzve të afërm të Ajola Xoxës”.
Mes tyre ndodhet edhe deputetja Klotilda Bushka, ndaj së cilës SPAK dyshon se ka intimiduar dëshmitarët gjatë hetimeve, konkretisht Ina Goxhaj për të mos dëshmuar për çiftin Veliaj-Xoxa.
Lala po ashtu tha se “Dosja, që përmban afro 60 mijë faqe dokumentacion, pritet t’i dorëzohet Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) brenda datës 24 shtator 2025, duke hapur rrugë për kalimin në fazën e gjykimit”.
Ndaj kryebashkiakut Veliaj dhe bashkëshortes së tij, SPAK ngre dyshime për përfshirje në një skemë komplekse të pastrimit të parave, ndërkohë që vetë Veliaj ka mohuar në mënyrë kategorike çdo akuzë, duke e konsideruar çështjen si të motivuar politikisht./e.t