Po dëshmoj urinë e qëllimshme të fëmijëve të Gazës – pse po e lejon bota këtë?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Një armëpushim i përhershëm, hyrja e lirë dhe e sigurt e ndihmave dhe heqja e bllokadës janë të domosdoshme – të gjitha mund të arrihen me vullnet politik.

Nick Maynard

Jam duke shkruar nga spitali Nasser në Gazën jugore, ku sapo kam përfunduar një ndërhyrje kirurgjikale tek një adoleshent rëndë i kequshqyer. Në njësinë e kujdesit intensiv pediatrik ndodhet një foshnjë shtatë muajshe, aq e vogël dhe e rraskapitur nga uria, sa në fillim e ngatërrova me një të porsalindur. Shprehja “lëkurë dhe kocka” nuk përshkruan dot mjerimin e trupit të saj të përmbysur nga uria. Po tretet para syve tanë dhe, pavarësisht përpjekjeve tona, jemi të pafuqishëm për ta shpëtuar. Jemi duke dëshmuar një uri të qëllimshme në Gaza – tani.

Kjo është hera ime e tretë në Gaza që nga dhjetori 2023 si kirurg vullnetar me organizatën Medical Aid for Palestinians. Kam qenë dëshmitar i ngjarjeve me shumë të plagosur dhe kam ngritur alarmin për kequshqyerjen që në janar 2024. Por asgjë nuk më kishte përgatitur për tmerrin që po përjetoj tani: përdorimin e urisë si armë kundër një popullsie të tërë.

Kriza e urisë është bërë katastrofike që nga vizita ime e fundit. Çdo ditë shoh pacientë që përkeqësohen dhe vdesin, jo nga plagët, por sepse janë tepër të kequshqyer për të përballuar një operacion. Ndërhyrjet kirurgjikale nuk mbahen, trupat e tyre nuk shërohen, infektohen rëndë dhe vdesin. Kjo po ndodh vazhdimisht dhe është shkatërruese për ta parë. Katër foshnja kanë vdekur në javët e fundit në këtë spital – jo nga bombat apo plumbat, por nga uria.

Familjet dhe personeli përpiqen të sjellin ç’të mundin, por thjesht nuk ka ushqim të mjaftueshëm në Gaza. Për të porsalindurit, pothuajse nuk kemi qumësht formulë. Fëmijëve u jepet ujë me sheqer (10% dextrose), i cili nuk ka asnjë vlerë ushqyese. Shpesh, edhe nënat janë tepër të kequshqyera për të dhënë gji. Kur një koleg ndërkombëtar u përpoq të sillte qumësht formulë në Gaza, autoritetet izraelite ia konfiskuan.

Qasja e Benjamin Netanyahut është e dyfishtë: ndalon hyrjen e ushqimit në Gaza dhe i detyron civilët e dëshpëruar të shkojnë në pika shpërndarjeje të militarizuara për të marrë sasi të kufizuara ndihmash. Deri në maj, Gaza kishte mbi 400 pika shpërndarjeje ku njerëzit mund të merrnin ndihma me siguri relative. Tani kanë mbetur vetëm katër të tilla në jug, ku familjet e uritura janë nën kërcënim të vazhdueshëm sulmi.

Çdo ditë po mësoj për dhjetëra të plagosur që mbërrijnë në urgjencat e Gazës – shumë prej tyre me plagë nga armë zjarri në këto pika shpërndarjeje. Kam operuar mbi djem 12–15 vjeç, që familjarët thonë se janë qëlluar teksa përpiqeshin të merrnin ushqim për shtëpinë. Javën e kaluar, një 12-vjeçar vdiq në tavolinën e operacionit – i qëlluar në bark në atë që mund të përshkruhet vetëm si një kurth vdekjeje për këdo që kërkon bukën e gojës.

Kolegët në urgjencë kanë vërejtur gjithashtu një model shqetësues: plagë të përqendruara në pjesë të caktuara të trupit në ditë të ndryshme – kokë, këmbë, organe gjenitale – që sugjerojnë shënjestrim të qëllimshëm.

Lexo edhe :  Fermeri përdhunoi për dy dekada gruan dhe vajzën e mitur

Ditët e fundit kam operuar dy gra që, sipas dëshmitarëve, janë qëlluar nga dronë quadcopter teksa strehoheshin në çadrat pranë njërit prej këtyre vendndodhjeve. Njëra po ushqente foshnjën me gji kur u godit; tjetra ishte shtatzënë. Fatmirësisht të dyja kanë mbijetuar deri tani. Këto gra nuk po kërkonin as ndihma – thjesht po strehoheshin në zona që zyrtarisht konsiderohen “të sigurta”, por në realitet janë të ekspozuara ndaj zjarrit të papërmbajtur të ushtrisë izraelite, e cila ka kthyer urinë në një mjet lufte.

Nuk janë vetëm pacientët që janë të kequshqyer – por edhe punonjësit e kujdesit shëndetësor. Kur mbërrita, mezi i njoha disa prej kolegëve me të cilët kisha punuar vitin e kaluar – disa kishin humbur deri në 30 kilogramë. Gjatë pushimeve të drekës, disa mjekë e infermierë nisen drejt pikave të shpërndarjes, të vetëdijshëm se mund të vriten, por pa alternativë për të ushqyer familjet e tyre.

Spitali Nasser është institucioni i fundit i madh që ende funksionon në Gazën jugore, por jemi në pikën e kolapsit, duke u përballur me pasoja nga sulmet e mëparshme, me fluks të madh të plagosurish dhe mungesë të gjithçkaje. Shkatërrimi sistematik që Netanyahu i ka bërë sistemit shëndetësor në Gaza ka përqendruar nevojat mjekësore në këtë spital të vetëm, ndërsa objektivat ushtarake janë bërë vetë punonjësit dhe pacientët. Vetëm këtë javë, një prej infermierëve tanë u vra në tendën e tij bashkë me tre fëmijët e vegjël.

Dua të jem i qartë – ajo që po u bëhet palestinezëve në Gaza është barbare dhe krejtësisht e shmangshme. Nuk mund ta besoj që kemi arritur në një pikë ku bota po sheh, e heshtur, ndërsa populli i Gazës po vdes nga uria dhe plumbat, teksa ndihmat ndodhen vetëm disa kilometra larg, në anën tjetër të kufirit.

Kequshqyerja e qëllimshme dhe sulmet mbi civilët do të vrasin mijëra të tjerë nëse nuk ndalen menjëherë. Çdo ditë mosveprimi do të thotë më shumë fëmijë që vdesin, jo vetëm nga armët, por edhe nga uria. Një armëpushim i përhershëm, hyrja e lirë dhe e sigurt e ndihmave përmes mekanizmave të OKB-së dhe heqja e bllokadës janë të domosdoshme – dhe të gjitha janë të mundura nëse ekziston vullneti politik.

Vazhdimi i bashkëpunimit të qeverisë britanike me mizoritë e Izraelit është i pafalshëm. Nuk dua të kaloj edhe një ditë tjetër duke operuar mbi fëmijë që janë qëlluar dhe uritur nga një ushtri që mbështetet nga vendi im. Historia do të gjykojë jo vetëm ata që i kryen këto krime, por edhe ata që i panë dhe nuk ndërhynë.

Nga brenda spitalit Nasser, po ju them: kjo po ndodh qëllimisht. Kjo është e parandalueshme. Dhe kjo duhet të ndalet tani.

Prof. Nick Maynard është kirurg pranë spitalit universitar të Oksfordit dhe udhëton rregullisht në Gaza prej 15 vitesh. Ai është duke shërbyer si vullnetar me organizatën Medical Aid for Palestinians në spitalin Nasser në Gaza.

Përgatiti: L.Veizi

Të fundit

Pse rusët kanë fituar gjithmonë në samite?

Nga Federico Rampini, Corriere della Sera Historia është një shenjë e keqe, vetëm disa orë para samitit të Alaskës. Pavarësisht...

Ky është i burgosuri që minutat e fundit të jetës foli veç për një poezi…

Poshtë nënkresës, në spitalin e burgut, Mirash Ivanaj mbante një poezi që ia kishte dhënë dikush dhe që ai donte të shihte dritën e botimit. Një prej...

Drejtuesit mbi 70 vjeç rrezikojnë të humbin patentën për shkak të një testi

Ndryshimet në ligje janë nxitur nga rritja e ndjeshme e aksidenteve të rënda rrugore ku përfshihen drejtues mjeti mbi 60 vjeç. Drejtuesit e mjeteve në...

Dashuria për Coca Cola i solli Guinness, koleksionon mbi 5600 objekte unike

Një fanse e pijeve të gazuara nga Karolina e Veriut rimori një titull në Librin e Rekordeve Botërore Guinness kur koleksioni i saj i...

Si të mbroni telefonin tuaj nga nxehtësia ekstreme këtë verë

Ka gjëra që mund të bëni për të mbrojtur pajisjen tuaj nga nxehtësia e lartë. Pushimet verore kanë mbërritur dhe shumë prej nesh do të...

Lajme të tjera

Web TV