Qeveria ka rikthyer për diskutim projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet. Referuar draftit të rishikuar të hedhur për konsultim publik, nisma është një domosdoshmëri në kushtet kur Shqipëria është një nga vendet më të ekspozuara në Europë për fatkeqësitë natyrore si tërmetet, përmbytjet apo zjarret.
Projektligji I hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore synon të krijojë një instrument ligjor dhe financiar për mbulimin e humbjeve që mund të pësojnë pronarët e banesave nga dëmet e shkaktuara nga tërmetet, duke garantuar kompensim më të shpejtë.
Për zbatimin e këtij ligji është parashikuar edhe ngritja e Fondit për Tërmetet që do të përcaktojë edhe primin e fondit e sigurimit që do të paguhet nga të siguruarit.
Detyrimin për të lidhur një kontratë sigurimi e ka çdo individ, person fizik e juridik, publik e privat qoftë vendas apo i huaj që është pronar apo përdorues I pronës në vend. Po ashtu, janë të detyruar të lidhin kontratë sigurimi të detyrueshme për pronën subjektet që përfshijnë banesat sociale me qira, banesat në proces legalizimi si dhe njësitë e qeverisjes vendore që do të financojnë pagesën e primit nga buxheti i tyre.
Drafti parashikon që primin e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet për shtresat sociale do ta financojë shteti. Sigurimi I detyrueshëm do të mbulojë vetëm dëmet material të pronës, duke përjashtuar dëmet trupore, jopasurore, sendet brenda banesës së siguruar apo shpenzimet në lidhje me heqjen dhe zhvendosjen e mbetjeve nga objekti.
Kontrata për sigurimin e detyrueshëm të pronave do të rinovohet çdo vit dhe primi i sigurimit, metodologjia dhe llogaritja do të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave pas propozimit nga Fondi për Tërmetet.
Për rastet kur pronari i banesës së siguruar ndryshon, kontrata e sigurimit të detyrueshëm i kalon pronarit të ri./e.t