Nga Klevis Bakillari
Në realitetin politik shqiptar, ku liderët e së shkuarës ende përpiqen të imponojnë të tashmen me retorikën e së kaluarës, ndodhin herë pas here disa ngjarje që kalojnë në heshtje por që përmbajnë mesazhe shumë më të forta se çdo miting apo deklaratë televizive. Një prej tyre është rasti politik i Elisa Spiropalit dhe fitoret e saj në zona që historikisht kanë qenë bastione të Partisë Demokratike.
Nuk ka retorikë të ashpër, as përplasje ideologjike në stilin klasik. Nuk ka fjalime të zgjatura për “liri dhe demokraci” dhe as simulime karizme. E megjithatë, ajo ka fituar. Dhe kjo fitore është më shumë se statistikë – është një akt politik me simbolikë të thellë, që në vetvete artikulon një ndryshim epokal: rrëzimin e heshtur të një figure të përjetshme si Sali Berisha.
Fitoret që rishkruan hartën politike.
Fitoret e Elisa Spiropalit në njësitë elektorale të Kamzës,Shkodrës,Vorës etj, të njohura gjerësisht si “zona blu”, është përtej çdo logjike të thjeshtë elektorale. Këto zona – ku për dekada mbizotëronte retorika anti-sistem dhe mbështetja pa kushte për liderin historik të PD-së – kanë kaluar,në periudha të ndryshme, në duart e një përfaqësueseje të një brezi të ri socialist. Kjo nuk ndodhi përmes përplasjes, por përmes një ndryshimi të heshtur në psikologjinë politike të elektoratit.
Elisa Spiropali nuk u përpoq të imitojë të vjetrën. Ajo përfaqësoi një stil të ri të të bërit politikë: komunikim i drejtpërdrejtë, që ndërthur referencën intelektuale me thjeshtësinë popullore. Ajo nuk është mit – është figura e një pushteti të artikuluar qetësisht, në kontrast me kakofoninë e përhershme të liderëve që kanë ndërtuar identitetin e tyre mbi krizën.
Rënie pa përplasje.
Për një lider si Sali Berisha, humbja e bastioneve është humbja e legjitimitetit. Kur qytetarët që të kanë mbështetur për dekada vendosin t’i besojnë dikujt tjetër – e aq më tepër një përfaqësuesi të palës kundërshtare – kjo nuk është më vetëm një rotacion politik. Kjo është një refuzim simbolik i udhëheqjes së kaluar.
Spiropali nuk ka bërë thirrje për dorëheqjen e Berishës. Ajo as nuk e ka shpallur fitoren si triumf personal. Por në vetë faktin që elektorati i djathtë i ka dhënë asaj votën, në kohë të ndryshme, ndodhet një mesazh i qartë: koha e Berishës ka përfunduar.
Mesazhi që jep heshtja?
Humbja e bastioneve është gjithmonë më domethënëse se humbja e pushtetit. Bastionet janë më shumë se territor; ato janë pasqyrë e besnikërisë ideologjike. Kur elektorati i një bastioni e braktis një lider historik në heshtje dhe i beson dikujt që përfaqëson të kundërtën, kjo heshtje ka fuqi më të madhe sesa çdo deklaratë publike.
Në këtë heshtje, u rrëzua një lider. Ai nuk u përjashtua me vendim gjykate, as u mposht në debat publik. Thjesht, u refuzua nga votuesit e vet, në qetësinë e një dite zgjedhjesh. Kjo është ndoshta forma më e qartë e vdekjes politike.
Një epokë që mbyllet me votë!
Elisa Spiropali nuk ka nevojë të jetë simbol kombëtar. Por përballë Sali Berishës, ajo u kthye në simbol të kohës që po vjen. Fitoret e saj janë shenja të një epoke që po mbyllet, dhe dëshmi se në politikën shqiptare, ndonjëherë heshtja e votës ka më shumë forcë se zhurma e tribunave.
Në një vend ku liderët historikë kanë krijuar idhujtari mbi frikën, mungesën e alternativës dhe retorikën e luftës, rasti i Spiropalit është një dëshmi se ndryshimi nuk ndodh gjithmonë me përmbysje. Ai ndodh kur publiku thjesht nuk e ndjek më liderin e vjetër.
Dhe kjo është mënyra më elegante, por edhe më fatale, për ta larguar atë nga skena.