Edhe nëse Sali Berisha jep dorëheqjen si kryetar i PD, nuk është ndonjë lajm domosdoshmërisht i shkëlqyer për demokratët. Dilema nuk është vetëm dorëheqja e tij, por historia pas saj.
Imagjinojeni pak sikur në PD të ndodhë skenari i përhershëm në shtator: një garë për kreun e partisë, ku votat vidhen. Nuk është hera e parë që ndodh. Ka ndodhur sistematikisht.
Demokratët kanë një dekadë që ankohen për “vjedhje mes vedit”. Kjo do të sillte një pasojë të pakorrigjueshme për politikën shqiptare. Do të vriste përfundimisht shpresën. Ajo që PD ka nevojë, ashtu si edhe Shqipëria, është një opozitë e vërtetë dhe dinjitoze.
Për të kuptuar sesa gjatë do të mbretërojë Edi Rama, mjafton të shohim situatën në PD në muajt e ardhshëm. Pyetja “a do largohet Berisha?” nuk mjafton më. Dëmi në PD është i madh.
Pyetja e vetme që vlen është: “sa e vërtetë do të jetë gara për kryetarin e ri të PD?” Deri tani, shpresat nuk janë të mëdha. Nëse Berisha do të paracaktojë pasuesin e tij (si me Lulzim Bashën), PD do të zvogëlohet sërish.
Fat për partitë e reja, por jo për Shqipërinë. Shqipëria nuk ka kohë për të pritur 4 apo 8 vite për opozitën e re.
Nëse Saliu paracakton kryetarin e ri të PD-së, nuk e ka fajin Rama për “diktaturën” në Shqipëri. Një opozitë që prodhon “diktaturë” brenda vetes, nuk ka të drejtë të flasë për “diktaturën shtetërore”.
Pastro dhomën tënde, përpara se të kritikosh shtëpinë! m.p.