Nga Shpëtim Luku
Kryeministri Edi Rama ka marrë personalisht drejtimin e aksionit për lirimin e disa hapësirave publike në Tiranë e në qytete të tjera, duke kulmuar me prishjen e ndërtimeve të paligjshme në Theth. Ajo që po ndodh sot është, në fakt, një kthim në normalitet, megjithëse më tepër se i jashtëzakonshëm, është i vonuar. E habitshme është se për një kohë kaq të gjatë qytetarët kanë pranuar të jetojnë në një anormalitet të thellë urban dhe estetik.
Sot, pas lirimit të sipërfaqeve të zaptuara nga ndërtime e zgjatime pa leje, Tirana duket sikur ka rifituar disi frymëmarrje. Por ky transformim ka shërbyer edhe si një pasqyrë e dështimit të disa institucioneve dhe drejtuesve të tyre. Shumë kryetarë bashkish apo zyrtarë vendorë nuk kanë arritur të ngrihen në nivelin e përgjegjësisë që u kërkon detyra.
Ndërkohë, bashkëjetesa për një kohë të gjatë me këto “çibanë” urbanë, ndërtimet e paligjshme që shëmtojnë qytetet dhe vendet turistike, është tregues i një problemi shumë më të madh: mungesës së ndjeshmërisë dhe reflektimit qytetar. Nuk është vetëm faji i institucioneve shtetërore, por edhe një çështje edukimi dhe ndërgjegjeje kolektive.
Veçanërisht zhgënjyese është heshtja e profesionistëve dhe shoqatave që pritet të kenë zë në mbrojtje të së bukurës dhe të ligjshmes.
Në Shqipëri veprojnë dy shoqata profesionale kryesore: ajo e arkitektëve dhe ajo e ndërtuesve. Por gjatë gjithë këtij procesi, nga momenti kur nisi ndërtimi pa leje e deri në ditën kur ato u prishën, asnjë prej tyre nuk bëri një apel publik, një reagim profesional apo një sensibilizim për pasojat e këtij fenomeni.
Dikur, kur ishte gjallë Maks Velo, zëri i tij kundër ndërtimeve të shëmtuara, qofshin atë edhe me leje, kishte peshën e një institucioni. Ai fliste jo vetëm si arkitekt, por edhe si qytetar i ndjeshëm ndaj asaj që është e bukur, estetike dhe funksionale për qytetin.
Prandaj, ajo çfarë ka ndodhur nuk është vetëm dështim institucional. Është, mbi të gjitha, një mungesë e madhe edukimi urban dhe qytetar, një aftësi shqetësuese për t’u përshtatur me të keqen dhe për të heshtur përballë saj, jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga ata që duhet të ishin rojet e interesit publik.