Nga Alban Çakalli
Sulmi ndaj blegtorëve të vegjël u bë në mënyrë të qëllimshme dhe të papritur. Synimi nuk ishte që ata të ndihmoheshin për t’u rritur e për t’u kthyer në blegtorë të mesëm, por për t’u shkatërruar krejtësisht.
Të veprosh në këtë mënyrë, pikërisht në një kohë kur numri i bagëtive ka arritur nivelet më të ulëta historike në shtetin shqiptar, është një akt antikombëtar dhe antihuman. Duhet thënë se blegtorët e vegjël nuk u bashkuan kurrë me blegtorët e mesëm gjatë protestave të ndryshme, si kur fabrikat e mëdha ulën çmimin e qumështit apo kur shteti refuzoi t’i subvenciononte.
E kam theksuar edhe më parë: nëse blegtorët e vegjël nuk krijojnë një formë bashkëpunimi midis tyre, janë të destinuar të zhduken. Për shembull, në një fshat të caktuar mund të prodhojnë të gjithë të njëjtin lloj djathi, të krijojnë një markë të përbashkët, dhe ta zhvillojnë e marketojnë atë si produkt lokal.
Mund të ndërtojnë një baxho të përbashkët, ku secili të ketë aksione në bazë të sasisë së qumështit që prodhon.
Sepse kjo është një luftë interesash ekonomike, dhe kur përballesh vetëm, nuk ke asnjë shans të fitosh ndaj një sistemi që është ndërtuar për të të përjashtuar. m.p.