“Kodi i ri Penal, futet në krevatin bashkëshortor!/ I vendos prangat Don Zhuanëve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Florian Bonjaku*
(Ish-Prokuror)

Të merremi vesh që në fillim: Drafti i ri i Kodit Penal në Shqipëri ka ambicie të mëdha – harmonizim me standardet evropiane, modernizim të legjislacionit, madje edhe shmangie të arbitraritetit gjyqësor.

Por nën petkun e këtyre fjalëve të mëdha fshihet një tendencë e fortë për kriminalizimin e lartë të sjelljeve të përditshme. Le t’i hedhim një vështrim disa neneve “novatore” të draft-Kodit Penal, që nga tarifat “e papërshtatshme” e deri te tradhtia bashkëshortore dhe shkeljet rrugore, për të kuptuar nëse po legjitimojmë drejtësinë apo thjesht po shkruajmë një komedi ligjore.

KRIMINALIZIMI I ÇDO SJELLJEJE – NGA MORALI TE ÇMIMET E TREGUT

Një prej veçorive më tronditëse të këtij drafti është zgjërimi i listës së veprave penale me fenomenet nga më të ndryshmet. Sjellje dikur thjesht imorale ose administrativisht të dënueshme, tani propozohet të bëhen krime të mirëfillta. Kjo qasje “penalizo gjithçka” duket sikur beson se vetëm kërcënimi me burg mund të edukojë qytetarët.

Rezultati? Një kod që përfshin nga çështjet e moralit familjar e deri te çmimet e shërbimeve profesionale, sikur policia dhe prokuroria s’kanë punë tjetër veçse të rregullojnë jetën tonë private dhe tregun e lirë. Në vend që Kodi i ri të thjeshtojë dhe saktësojë ligjin – siç pretendohet me “redukimin e paqartësive”– ironikisht, ai e mbingarkon atë me nene të reja që hapin dilema të reja. Kemi gjithçka, për të gjithë: nga dënimi i ofruesve të ushqimit të pasigurt e deri te krimi fantastik i “dhënies së vendimit në keqbesim” për gjyqtarët

Një gjyqtar që jep një vendim të padrejtë tani mund të jetë vetë subjekt hetimi penal – me humor të zi mund të pyesim: vallë çdo palë e pakënaqur në gjyq do të kallëzojë penalisht gjykatësin se vendimi ishte “me keqbesim”? Klima e dyshimit universal që krijon ky nen është si të vësh të gjithë sistemin të hajë bar: askush s’guxon të marrë vendime pa parë nga të katër anët.

TARIFAT “E PAPËRSHTATSHME” – KUR AVOKATI I SHTRENJTË TË ÇON NË BURG

Ndër “risi” spikat Neni 537 i draftit: “Tarifat e papërshtatshme të shërbimit.” Me pak fjalë, nëse një nëpunës publik, avokat, këshilltar apo profesionist i licencuar kërkon pagesë që dukshëm s’përputhet me vlerën e punës apo kohën e shpenzuar, ai mund të bëjë deri 3 vjet burg

Edhe nëse klienti bie dakord dhe kontrata është formalisht e ligjshme, shteti do futet mes tyre me kod penal në dorë, po qe se “disproporcioni” në tarifë është qartësisht i dukshëm.

Në vend që tregu apo klientët të ndëshkojnë çmimet abuzive, tani propozohet ta zgjidhim me Kod Penal! Një avokat i shtrenjtë mund të quhet kriminel; mjeku privat që faturon shtrenjtë po ashtu. Ligji praktikisht i shndërron gjykatësit në rregullatorë çmimesh, që do duhet të krahasojnë tarifa me “kohën e harxhuar” – një detyrë sa subjektive aq edhe qesharake për një gjykatë penale. Avokatit si mbetet gje tjeter vetem qe kontraten me klientin ta kundërfirmose te prokurori qe te jete i bindur qe nuk ka rrezik qe te shkoje ai ne vend te klientit ne burg.

Ironia është se vetë Kodi italian, të cilit i referohemi shpesh për frymëzim evropian, s’përmban një dispozitë të tillë. Atje, konflikte të tilla zgjidhen me ligje civile ose masa administrative, jo me burgosje. Ndërsa ne po shpikim krimin e “zhvatjes me faturë”, sikur të mos mjaftonin dispozitat ekzistuese për shpërdorim detyre apo korrupsion.

Hapësira për subjektivizëm? Pa fund. Sa “i dukshëm” duhet të jetë disproporcioni i pagesës që një prokuror të ngrejë çështje? Kjo mbetet në dorë të individëve, duke krijuar terren të artë për abuzim dhe korrupsion: një profesionist “i bezdisshëm” mund të kërcënohet lehtë me këtë nen nëse nuk “kujdeset” të jetë në harmoni me zyrtarin përkatës.

BIGAMIA & TRADHTIA – KODI PENAL NË SHTRAT ME BASHKËSHORTËT

Harrojeni thënien “çështjet e zemrës i zgjidhim në shtëpi”. Kodi i ri penel futet edhe në krevatin bashkëshortor. Sipas draftit, mbajtja e dy a më shumë martesave njëkohësisht, apo bashkëjetesa me një apo më shumë partnerë njëkohësisht, përbën vepër penale të dënuar me gjobë ose deri 3 vjet burgim

Me fjalë të tjera, nëse dikush është i martuar dhe ndërkohë bashkëjeton me një partner tjetër (që s’është bashkëshorti ligjor), atëherë tradhtia “e ligjëruar” si bashkëjetesë do të jetë krim. Madje, nëse vazhdon përsëri pas dënimit të parë, dënimi rritet deri në 4 vjet

Ky nen i shkruar me zell puritan ka ngjallur panik dhe humor të zi njëkohësisht. Burrat dhe gratë “tradhtarë” kane mbetur pa gjumë!. A është vërtet tradhtia bashkëshortore kthyer në vepër penale? Teknikisht, Kodi flet për bigaminë dhe bashkëjetesat paralele, por mesazhi është i qartë: shteti po merr rolin e moralizuesit në marrëdhëniet familjare.

P.sh. magjinoni një bashkëshort/e që kap partnerin mat me “një tjetër”. Në vend të zënkave shtëpiake, tani mund t’i drejtohet Prokurorisë: “Urdhërojeni një fletë-arresti, se më ka shkelur besnikërinë bashkëshortore!”. Sepse po, thyerja e besnikërisë në çift deri dje quhej problem moral, por sipas projektligjit mesa duket do quhet krim. Me kete nen propozuesit do kene patur deshire te përkëdhelin ëndrrën e vjetër te shqiptareve, për te vene vesin tek muri i tjetrit dhe nuk kane faj se nese nuk e kallzon „tradhtarin“ dënohesh per „Moskallzim Krimi“

Krahasuar me Europën, ky është një hap mbrapa në kohë. Shumica e vendeve perëndimore e kanë dekriminalizuar tradhtinë bashkëshortore dekada më parë. Madje edhe në Itali – kodi penal i së cilës ende mban një nen për bigaminë – thjesht bashkëjetesa jashtë martesës nuk të çon në burg (veç nëse ke kryer një martesë të dytë civile). Ndërsa drafti ynë i ri i vendos prangat Don Zhuanëve dhe Zhozefinave shqiptare, duke na renditur krahas ligjeve të vendeve ku morali privat trajtohet me Kod Penal. Për një shtet që aspiron Bashkimin Evropian, ndëshkimi penal i “mëkateve martesore” është të paktën qesharak, në mos alarmues për lirinë individuale.

Dhe s’do mend: hapet një fushë e re për subjektivizëm dhe abuzim – cilat prova do të përdoren për të provuar “bashkëjetesën paralele”? A do ndjekim shtëpi më shtëpi partnerët e dyshuar? Këto pyetje të gjitha mbeten pa gjumë… njësoj si bashkëshortët xhelozë që mezi presin “dritën jeshile” të këtij neni.

SHKELJET E RREGULLAVE TË QARKULLIMIT – NGA GJOBAT TE PRANGAT

Edhe rrugët s’kanë shpëtuar nga zgjerimi penal. Projekt-kodi riformaton krejt kapitullin e sigurisë rrugore duke shtuar vepra të reja penale për sjelljet e këqija të shoferëve. Natyrisht, shkaktimi i aksidenteve me të lënduar apo viktima ka qenë e do të jetë krim. Por risia është se tani parashikohen edhe “kundërvajtje penale” për shkelje që deri dje trajtoheshin thjesht me gjobë, mjafton të jenë të përsëritura ose pocentialisht të rrezikshme. Për shembull, shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor në parim do të trajtohet ende administrativisht; vetëm nëse shkakton të paktën një të lënduar rëndë apo dy të lënduar lehtë, atëherë ngrihet si çështje penale me dënim deri 2 vjet

Deri këtu s’ka shumë ndryshim – parimi “no harm, no crime” ruhet. Por nenet pasuese e komplikojnë situatën.

Ajo qe dukert se nuk shkon eshte parashikimi ne Nenin 416, I cili  identifikon një listë të shkeljeve “të rënda” të qarkullimit – fjala kyçe: “mospërfillje haptazi e rregullave”

Kjo përfshin:

Parakalime të rrezikshme (p.sh. parakalimi i gabuar që pothuaj shkakton aksident)

Mosrespektim flagrante i sinjalistikës (p.sh. “fluturimi” te vijat e bardha pa ndalur për këmbësorët)

Shpejtësi shumë mbi normë në zona kritike (kthesa pa shikueshmëri, kryqëzime, pranë shkollave, etj)

Manovra të rrezikshme në autostradë (si kthim përkundër trafikut apo ecje mbrapsht në autostradë)

Mosvendosja e trekëndëshit kur makina prishet në rrugë, kur kjo krijon rrezik serioz aksidenti

Drejtimi i automjetit duke u shpërqendruar (p.sh. duke shkruar mesazhe apo kryer veprime të tjera që të heqin vëmendjen) ose mosrespektimi i STOP-it, në mënyrë që “sfidon dhe vë në rrezik jetën a shëndetin e tjetrit”. Drejtimi i mjetit me defekte të rrezikshme teknike, që rrezikojnë jetën e njerëzve! Kush kryen njërën nga këto gjeste “alla-Fast&Furious” në trafik, dënohet deri në 3 vjet burg (ose gjobë)

– POR, me një kusht interesant: duhet të ketë precedentë administrativë. Sipas paragrafit 2, procedimi penal fillon vetëm nëse autori i shkeljes ka pasur më parë masa administrative për shkeljet në fjalë

Me fjalë të tjera, herën e parë që bën njërën nga këto gjëma, do të gjobitesh; po s’vure mend dhe e ripërsërite, prokurori të pret me pranga. Një mënyrë kreative për të dalluar “gabimin e parë” nga recidiva, por që në praktikë mund të krijojë ngatërresa: Sa shkelje “të rënda” duhen numëruar para se të quhesh i përsëritur? Ç’ndodh kur shkelja s’është identike me atë të mëparshmen? Këto detaje do t’i lëmë në dorë të policisë dhe prokurorit, me shpresën e verbër se ata do t’i përdorin me maturi. Ironik është fakti që në emër të sigurisë rrugore evropiane, ne po shkruajmë nene që mezi i gjen edhe në vendet me trafikun më të disiplinuar. Kodi Rrugor italian, fjala vjen, i trajton shumicën e këtyre rasteve me heqje patentash dhe gjoba të kripura, por jo domosdoshmërisht me precedim penal, përveç situatave me pasoja. Ne, megjithatë, vendosëm t’i fusim në Kodin Penal – me idenë se frika nga burgu ndoshta do na bëjë shoferë të sjellshëm. Shtrohet pyetja: A do të kemi prokurorë të specializuar për “krimet e semaforëve”? Apo do të mbytemi në dosje penale për çdo tejkalim shpejtësie me “mospërfillje haptazi”, ndërkohë që aksidentet reale shpesh mbeten pa u ndëshkuar si duhet? Nga ana tjetër, drafti kërcënon penalisht edhe autoritetet publike për çështje rrugore. Për shembull, leximet paraprake tregojnë se lejimi i qarkullimit të mjeteve në rrugë të papërfunduara ose pa sinjalistikë esenciale do të quhet kundërvajtje penale. Mos u çudisni: mund të kemi kryetarë bashkie a drejtorë rrugësh nën hetim penal për një gropë të pambushur a për mungesë tabelash, në vend që këto të zgjidhen me masa disiplinore e civile. Ideja në parim është e mirë – të rritet përgjegjësia – por trajtimi me burg edhe i gropave të rrugës tingëllon qesharak.

DISPOZITA “MBROJTËSE” PËR GJYQËSORIN: NGA INTIMIDIMI TE KOMENTET E PADËSHIRUARA

Projekt-Kodi Penal 2025 ka futur një arsenal veprash penale të reja për të “mbrojtur” drejtësinë dhe autoritetin gjyqësor. Disa prej tyre janë të kuptueshme – p.sh. dënimet e ashpra për kërcënimet apo aktet e dhunës kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve. Është e arsyeshme që kanosja e një gjyqtari gjatë ose për shkak të detyrës së tij të dënohet deri në 7 vjet burg. Po ashtu, “pengimi i drejtësisë” me manipulim provash, fshehje gjurmësh, apo devijim të hetimit sanksionohet qartë – një masë logjike për të ndëshkuar ata që sabotojnë zbulimin e së vërtetës. Mirëpo, Kodi i ri shkon përtej ndëshkimit të atyre që realisht pengojnë procesin. Ai prek edhe fushën e fjalës publike rreth proceseve gjyqësore. Për shembull, “fyerja e gjyqtarit” gjatë ushtrimit të detyrës është rikthyer si kundërvajtje penale. Pra, nëse një avokat a palë e irrituar lëshon ndonjë fjalë të rëndë ndaj gjykatësit në sallë, rrezikon gjobë ose deri 3 muaj burg. Kjo mund të kuptohet si përpjekje për etikë në gjykatë, por ama tregon edhe një ndjeshmëri të lartë të sistemit ndaj kritikës, sado emocionale. Ironikisht, gjyqtarët tanë qenkan kaq të brishtë sa një fyerje “i trondit”, por mos u shqetësoni: Kodi i ri vrapon t’i mbrojë me nen special! Më problematike bëhet puna me nenet që ndëshkojnë edhe komentet publike jashtë sallës së gjyqit. Kemi një dispozitë të re që penalizon “ndikimin në pavarësinë e gjykatës” përmes komenteve publike. Me fjalë të tjera, kush bën deklarata publike që synojnë haptazi të ushtrojnë presion mbi gjykatën apo të krijojnë mosbesim te pavarësia e saj, mund të dënohet deri në 3 vjet burg. Kjo vepër, e parashikuar në nenin 536, tingëllon si një “mashë ligjore” për të kapur gojët e liga që guxojnë të komentojnë procese ende në zhvillim. Në teori synohet të parandalohet presioni i jashtëm mbi gjyqtarët – një objektiv i denjë – por formulimi është aq i gjerë saqë mund të kapë çdo lloj kritike publike.

KOMENTI QË TË ÇON NË BURG: CENIMI I LIRISË SË SHPREHJES “NË EMËR TË DREJTËSISË”

Dispozita si ajo e mësipërmja (neni 536 i draftit) ngre shqetësime serioze për lirinë e shprehjes. Fraza të tilla si “krijimi i rrethanave shtypëse ndaj pavarësisë së gjykatës” apo “imponimi për të krijuar pabesueshmërinë në publik” janë të mjegullta. A do të thotë kjo se një gazetar, analist apo qytetar që thotë “besoj se gjykata po ndikohet politikisht” mund të akuzohet se po “imponon mosbesim te pavarësia” e gjyqësorit? Me gjasë, po. Nëse deklarata bëhet para se të jepet vendimi, plotësohen kushtet e veprës penale sipas kodit të ri. Kjo mban erë censurë. Një nen i tillë mund të përdoret si shkop mbi kokën e medias dhe publikut, për t’u thënë: “Mos flisni për gjykatat, se prishet magjia e drejtësisë së pavarur!”. Thuhet se drejtësia duhet të bëjë transparencë, por duket se transparencën do ta arrijmë duke heshtur të gjithë. Ironia vetë: gjykatat do jenë “të pavarura” sepse askush s’guxon të thotë të kundërtën, me ligj! Standardet evropiane vështirë se pajtohen me këtë qasje. Neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) mbron lirinë e shprehjes, madje edhe kur ajo përdoret për të kritikuar institucionet shtetërore. Gjykata e Strasburgut ka theksuar se gjyqtarët, si pjesë e një institucioni themelor të shtetit, duhet të tolerojnë edhe kritika personale brenda kufijve të arsyeshëm, ashtu si figurat e tjera publike

Veç në rastet e sulmeve krejtësisht të pabaza dhe jashtëzakonisht shpifëse mund të justifikohen dënime penale për “cenim të autoritetit të gjykatës”

Por formula e Kodit tonë nuk flet gjëkundi për shpifje apo akuza të rreme – mjafton “koment që synon të ushtrojë ndikim” dhe je i pandehur. Me kaq pak kufizime, çdo opinion i fortë rreth një çështjeje gjyqësore mund të quhet presion i paligjshëm. Le të imagjinojmë një skenar: Një çështje e profilit të lartë po gjykohet dhe një grup qytetarësh protestojnë jashtë gjykatës me pankarta ku shkruhet “Drejtësi për viktimën, mos e lironi kriminelin!”. Sipas nenit 536, këto pankarta mund të interpretohen si “krijim i rrethanave shtypëse ndaj pavarësisë së gjykatës”, me qëllim favorizimin e njërës palë. Organizatorët e protestës, në vend që të shihen si qytetarë që ushtrojnë lirinë e shprehjes, mund të shihen si kriminelë potencialë që meritojnë deri 3 vjet burg! E njëjta gjë vlen për ndonjë gazetar që publikon prova e komente “të shtrembëruara” për të ushtruar presion – në gjykim sipas Kodit të ri mund të përfundojë jo objekti i kritikës, por kritiku. Efekti ftohës mbi median dhe debatet publike do jetë i pashmangshëm: vetëkënaqësia ose autocensura do zërë vendin e transparencës, për të shmangur ndonjë padi penale. Në krahasim, Kodi Penal Italian nuk njeh një krim kaq gjithëpërfshirës për komentet publike gjatë proceseve. Sigurisht, Italia (dhe demokracitë perëndimore në përgjithësi) ndëshkojnë shkeljen e sekretit hetimor apo cenimin e prezumimit të pafajësisë me publikime të parakohshme, por kjo bëhet me masa të balancuara. Fjala vjen, në Francë apo Britani, ekziston koncepti i “kontemptit të gjykatës” për deklarata që rrezikojnë seriozisht gjykimin e drejtë, por aplikimi i tij është kufizuar dhe i rrallë, pikërisht nga frika se mos cenojnë lirinë e mediave. Ndërsa tek ne po krijohet një “super kontempt” i kodifikuar: më i ashpër se vetë standardet e vendeve ku u shpik ky koncept. Një aspekt komik (ose tragjik?) është se formula e nenit 536 përfshin edhe “shtrembërimin e qëllimshëm të cilësisë së provave” në komentet publike. Me fjalë të thjeshtë, nëse unë në një emision televiziv citoj gabim ose njëanshëm provat e dosjes për të mbështetur një opinion, rrezik të konsiderohem kriminel. Si mund të përcaktohet “shtrembërim i qëllimshëm” i provës? Ndoshta gjyqtari i prekur bëhet vetë “gjykatës” i së vërtetës mediatike. Kemi hyrë në një spirale ku gjyqësori jo vetëm nuk duhet kritik dhe i influencueshëm, por as i gabueshëm në sytë e publikut – kush thotë se gjykata gabon ose s’është e pavarur, qenka vetë fajtor. Ky është përmbysje rolesh: institucioni bëhet i shenjtë, qytetari bëhet i dyshimtë.

Lexo edhe :  "I hape derën djalit plangprishës"/ Adriana Kalaja mesazhe të koduara Berishës

LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT APO KRIMINALIZIMI I TË SHANTAZHUARIT?

Në emër të pastrimit të sistemit, draft-Kodi Penal 2025 ashpërson ndëshkimet për korrupsionin aktiv dhe pasiv. Korrupsioni pasiv – marrja e ryshfetit nga zyrtari – dënohet deri me 8 vjet, po aq sa në shumicën e vendeve të Evropës. Risia është se Kodi ynë i ri parashikon veçmas edhe “zhvatjen në sistemin e drejtësisë”, ku një gjyqtar, prokuror a zyrtar i drejtësisë që qëllimisht vonon apo pengon një detyrë me qëllim përfitimi ndëshkohet edhe më ashpër, me 5 deri 8 vjet. Pra, nëse një gjyqtar t’ju lërë çështjen tuaj të pluhurosë me vite derisa “t’i shkojë mendja” ta zgjidhë – me mendjen se kështu do ta detyrojë palën t’i ofrojë ndonjë të mirë materiale – ai kryen krim sipas nenit 534 të Kodit. Kjo dispozitë duket si e bërë për skenarin ku zyrtari i korruptuar luan rolin e kaposhit, e mban peng drejtësinë derisa viktima të detyrohet t’i japë gjë. Deri këtu mirë: më në fund ligji e quan këtë viktimë “viktimë” dhe jo bashkëfajtore, apo jo? Epo, mos u gëzoni shpejt… Në anën tjetër të medaljes kemi korrupsionin aktiv, pra vetë qytetarin që jep ryshfet. Projekt-Kodi nuk e kursen aspak këtë: premtimi, oferta ose dhënia e çfarëdo përfitimi të parregullt një personi që ushtron funksion publik dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet. Me një të rënë të penës, ai qytetari i shkretë që u detyrua të japë para “nën dorë” për të marrë një shërbim që i takonte, kthehet nga viktimë në kriminel. Ligji i ri duket sikur u thotë qytetarëve: “Nëse ju kërkojnë ryshfet dhe ju e jepni, të dy palët jeni po njësoj fajtorë!”.

Në parim, është e drejtë të dekurajohet “dhenia e ryshfetit”; asnjë vend i korruptuar s’ka arritur sukses duke falur gjithë mitmarrësit. Por tek ne çështja është në ç’rrethana jepen ryshfetet: shpesh qytetari paguan sepse ndryshe nuk merr dot shërbimin jetik, sepse zyrtari e shantazhon me zvarritje ose refuzim. Pra qytetari ndodhet përballë një zgjedhjeje të pamundur: ose e jep zarfin dhe rrezikon burgun si “korrupsion aktiv”, ose nuk e jep dhe rrezikon të mos marrë fare shërbimin (ose ta marrë pasi t’i ketë rënë jeta). Ky është kriminalizimi i hallit, i viktimës së shantazhit administrativ. Një ilustrim: Një pacient i sëmurë rëndë ka nevojë për një operacion urgjent në spital publik. Mjeku i lë të kuptohet se lista e pritjes është e gjatë, por me “një farë kontributi” puna mund të përshpejtohet. Pacienti, i dëshpëruar, i jep një shumë parash. Sipas Kodit të ri, mjeku është fajtor për korrupsion pasiv (dhe me të drejtë); por edhe pacienti bëhet automatikisht fajtor për korrupsion aktiv. Ligji e sheh pacientin jo thjesht si njeri në nevojë që iu nënshtrua presionit, por si kriminel që po prish rendin publik. Në mënyrë absurde, i bie që pacienti do duhej të refuzonte ryshfetin dhe… të vdiste duke pritur? Ose të priste deri sa ta merrte shërbimin normalisht (në një sistem të kalbur) dhe pastaj të shkonte të kallëzonte mjekun. Sado cinike të tingëllojë, Kodi duket sikur sugjeron zgjidhjen “heroike”: thuaj “jo” ryshfetit dhe vuj pasojat, ose pranoje ryshfetin, por pastaj denonco veten bashkë me zyrtarin që ta hodhi grepin! Projekt-Kodi ka parashikuar një “karotë” ligjore për ata që vetë-denoncohen. Në një nen të përgjithshëm (Neni 144), thuhet se personi që ka dhënë ryshfet mund të përjashtohet nga dënimi ose t’i ulet dënimi, nëse bën kallëzim dhe jep ndihmë aktive në procedim, me kusht që të mos ketë qenë ai vetë iniciatori i mitës. Me fjalë të tjera, nëse ju e keni ofruar vetë zarfin nga xhepi pa ju kërkuar njeri, s’ka shpëtim; por nëse ju e dha halli sepse ju lanë të kuptoni “pa lekë s’ka punë”, atëherë, nëse vraponi në prokurori dhe dorëzoni veten duke kallëzuar edhe zyrtarin, mund të shpëtoni pa u dënuar. Tingëllon mirë në letër – një dispozitë për “bashkëpunëtorët e drejtësisë” – por le ta mendojmë situatën realisht. Sa qytetarë do kenë kurajën (dhe besimin te institucionet) që, pasi kanë dhënë ryshfet nën presion, të shkojnë t’i bien vetë bilbilit? Mbase ndonjë rast sporadik, po shumica do kenë frikë se mos nga viktimë bëhen dyfish viktimë: edhe me lekun e humbur, edhe me një akuzë penale po të mos iu besohet skenari. Sepse në fund të fundit, për t’ju përjashtuar nga dënimi, prokurori e gjykata do gjykojnë “sa i arsyeshëm ishte kallëzimi dhe kontributi juaj”. Kjo nënkupton se fati juaj varet nga vlerësimi i organeve – një lloj lotarie ligjore. Pra, trendi i legjislacionit të ri është të kriminalizojë më fort çdo kë ndeshet me korrupsionin – qoftë politikan i korruptuar, qoftë qytetar i korruptuar (ose i korruptuar nga halli). Në parim “zero tolerancë” për korrupsionin është sllogan i bukur, por kur zbret në realitetin shqiptar, mund të prodhojë edhe padrejtësi. Në Kodi Penal Italian, për krahasim, e kanë bërë një dallim të mençur: kur një zyrtar shtrëngon dikë të japë ryshfet, kjo quhet konkursion (concussione) dhe vetëm zyrtari dënohet, kurse qytetari trajtohet si viktimë e një shantazhi. Vetëm kur qytetari jep rryshfet pa iu bërë presion eksplicit (pra i “induktuar” ose me iniciativën e vet) atëherë ai vetë përgjigjet penalisht, por prapë me një dënim më të ulët se zyrtari. Në ligjin tonë të ri, qytetari i varfër dhe zyrtari i korruptuar trajtohen si dy macokë të zinj në të njëjtin thes – me idenë se kështu askush s’do guxojë të japë më ryshfet. Por a funksionon vërtet kështu? Ka rrezik që efekti real të jetë i kundërt: qytetari i zakonshëm do e mendojë dy herë para se të denoncojë një zyrtar të korruptuar, nga frika se mos fut veten në telashe. Kjo i jep zyrtarit abuzues edhe një armë shtesë psikologjike: “po more guxim të më kallëzosh, do hash edhe ti vetë burg!”. Një lloj omertá e imponuar ligjërisht, ku viktima hesht sepse ligji i ri i thotë “edhe ti je fajtor”. Në vend që të frymëzojë qytetarët të luftojnë korrupsionin, kjo qasje mund t’i dekurajojë të denoncojnë – sepse askush s’do të mbajë damkën e të akuzuarit.

Përfundim: Ligje me qëllime fisnike, por me përdorim djallëzor të mundshëm

Dikush mund të argumentojë: “Mos bëni gabim as mos fol, as mos jep rryshfet, e s’keni pse trembeni nga këto ligje”. Teorikisht e drejtë, por ligji duhet të parashikojë realitetin, jo ta injorojë atë. Realiteti ynë është se padrejtësitë institucionale ekzistojnë – gjykata të dyshimta, zvarritje të qëllimshme, korrupsion galopant – dhe vetëm falë denoncimit publik e presionit qytetar janë zbuluar shumë skandale. Projekt-Kodi, me disa nga këto nene, duket sikur i thotë shoqërisë civile dhe medias: “Lëreni sistemin rehat, mos bëni zhurmë, mos provoni të vetë-gjykoni gjyqësorin (se ju gjykojmë ne juve pastaj)”. Kjo mbyll gojët, por nuk hap sytë e drejtësisë. Po ashtu, realiteti është që qytetari shpesh është hallka më e dobët në zinxhirin e korrupsionit. Duke e trajtuar njëlloj si peshkaqenin atë cironkë që jep një shumë modeste për t’i zgjidhur një hall bazik, ne rrezikojmë të humbasim pikërisht aleatin më të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit: publikun e gjerë. Një qytetar që ndihet viktimë e mbrojtur nga ligji, ka gjasa të denoncojë më shumë; një qytetar që trajtohet si bashkëfajtor, thjesht do fshehë kokën. Me humor të zi mund të thuhet: Kodi i ri Penal 2025 po e bën drejtësinë “zonë të lirë” – të lirë nga kritika dhe mbi ligjin e transparencës, e njëkohësisht “zonë të rrezikshme” për këdo qytetar që guxon t’i luajë rolet pa leje. Në emër të idealeve të mëdha (pavarësi e gjyqësorit, integritet i procesit, luftë kundër korrupsionit) po krijohen mjete ligjore që, në duar të gabuara, mund të keqpërdoren për të arritur të kundërtën: për të heshtur zërat kritikë dhe për ta lënë korrupsionin në hije. Një gjyqtar i korruptuar ndoshta mezi pret një nen si 536, që t’u mbyllë gojën kritikëve të vet “me ligj në dorë”. Një zyrtar i korruptuar ndoshta fle më i qetë, duke ditur se pala që i dha ryshfet tani ka frikë dyfish të flasë. Në fund të ditës, drejtësia nuk mbrohet dot duke u fshehur pas nenesh ndëshkuese për fjalën e lirë. As autoriteti i saj s’forcohet duke burgosur njerëz që komentojnë vendimet, përkundrazi – kjo tregon dobësi dhe mungesë besimi te vetja. Një sistem gjyqësor me integritet të vërtetë fiton respekt nga transparenca dhe llogaridhënia, jo nga ndëshkimi i skeptikëve. Po ashtu, korrupsioni mund të luftohet pa u bërë padrejtësi viktimave të tij. Kodi Penal 2025 premton shumë, por rrezikon të kthehet në një karikaturë të vetvetes: një ligj i ashpër në letër “për drejtësinë”, që praktikisht mund të përdoret për të shtypur drejtësinë e hapur dhe ndershmërinë qytetare. Nëse ky kod miratohet pa korrigjime, do të duhet shumë ironi (dhe guxim) për ta komentuar… mbase nga jashtë grilave.

Hapësira për Subjektivizëm – Parajsa e Re për Korrupsionin?

Sipas hartuesve, Kodi i ri vendos kritere objektive për dënimin dhe shmang arbitraritetin

Në letër tingëllon bukur, por shembujt e mësipërm tregojnë se në shumë raste “objektiviteti” i normës lë për të dëshiruar. Përkundrazi, formulime si “tarifë e papërshtatshme”, “disproporcion i dukshëm”, “mospërfillje e hapur e rregullave” apo “vendim në keqbesim” janë fusha minuar nga interpretimi subjektiv. Prokurorët dhe gjyqtarët do kenë në dorë një arsenal të zgjeruar akuzash potenciale – dhe sa më i gjerë e i paqartë ligji, aq më lehtë bëhet ta shtrembërosh. Në vend që të eliminojë korrupsionin, një kod i tillë mund ta ushqejë atë në mënyra të reja: Çdo zyrtar i pakënaqur me pagesën që i ofroni mund t’ju kërcënojë me nenin e “tarifës së papërshtatshme”; çdo polic mund t’ju kujtojë se ai SMS në timon “mund t’ju hapë telashe penale herës tjetër” – mjafton t’ju ketë gjobitur një herë më parë. Ndërkaq, gjuetia e tradhtarëve bashkëshortorë mund të kthehet lehtësisht në një tjetër mjet shantazhi familjar a politik, sidomos në një shoqëri ku kufiri mes jetës private dhe publike shpesh është i paqartë. Le t’ia kujtojmë vetes: siguria juridike dhe qartësia e ligjit janë parime të shtetit të së drejtës, të sanksionuara edhe nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Ligje penale të shkruara mjegullt rrezikojnë të bien ndesh me këto parime, sepse qytetari s’e parashikon dot qartë ç’është e ndaluar e ç’jo. Më e rëndësishmja, kur gjithçka bëhet krim, në fakt asgjë s’merret seriozisht. Mbingarkesa me vepra penale të kota mund të ulë fokusin nga krimet e vërteta.

Përfundim: Ligj i Rreptë apo Rripthi që Shpëton?

Drafti i ri i Kodit Penal synon shumë – ndoshta tepër. Ai kërkon t’i japë përgjigje çdo fenomeni negativ në shoqëri me dënim penal, nga më i vogli tek më i madhi. Qëllimi për një shoqëri më të drejtë dhe të sigurt është i lavdërueshëm, por rruga e zgjedhur ngjan me përdorimin e cekicit për çdo problem – edhe për ata që kërkojnë pincë apo bisturi. Me stil ironik mund të themi se ky Kod i ri po del si një “yll estrade”: premton restaurim drejtësie, por ofron potencialisht skena tragji-komike në sallat e gjyqit. Teksa ministria e Drejtësisë flet për “përshtatje me zhvillimet e reja” dhe standardet e BE-së në praktikë kemi nene që do t’u kishin zili edhe legjislacionet më puritane të shek. XIX. A do ta bëjnë Shqipërinë më të drejtë e më të sigurt të gjitha këto nene të reja? Apo thjesht do të hapin telashe të reja për sistemin e drejtësisë dhe qytetarët? E sigurt është që debati sapo ka nisur. Një kod penal për t’u përgëzuar apo përqeshur? Koha (dhe mençuria e ligjvënësve para se ta miratojnë) do ta tregojë. Për momentin, ne mbetemi me shpresën se diku mes ambicies evropiane dhe komedisë ligjore shqiptare, do të gjendet një ekuilibër që ndëshkon krimin e vërtetë pa kriminalizuar jetën e përditshme. Në të kundërt, mund të përfundojmë me një shoqëri në konflikt të përhershëm me Kodin Penal – dhe ky do të ishte vërtet një krim, por ndaj arsyes.

* Titulli i autorit: Kodi Penal i Ri: Ambicie Evropiane apo Komedi Ligjore?

Të fundit

1 gusht 1291 – Formimi i Konfederatës Zvicerane

Në fundin e shekullit XIII, territoret alpine që sot përbëjnë Zvicrën ishin pjesë e Perandorisë së Shenjtë Romake. Këto...

Rrebeshe dhe dy valë nxehtësie, ja sesi do të jetë moti në gusht

Muaji gusht do të jetë më i qëndrueshëm dhe nuk do të përjetojmë temperaturat ekstreme të korrikut. Këtë paralajmëroi meteorologia e A2 CNN Tanja...

Bonusi i bebes, Rama: Më shumë se 237 mijë fëmijë e kanë përfituar që prej vitit 2019

Më shumë se 237 mijë fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes prej fillimit të programit të qeverisë në janar 2019,  njoftoi sot kryeministri Edi Rama. Përmes...

Trump rinovon Shtëpinë e Bardhë: Do të ndërtoj një sallë vallëzimi prej 200 mln dollarësh

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili po rinovon Shtëpinë e Bardhë sipas dëshirës së tij, do të ndërtojë një sallë vallëzimi masive për...

Martesë në burgun e Fierit, një histori dashurie që sfidon izolimin

Në një realitet të mbushur me kufizime, ku muret ndajnë botën e jashtme nga ajo e brendshme, një histori e rrallë por mjaft e...

Lajme të tjera

Web TV