Nga muaji janar deri tani rreth 100.500 vizitorë në kalanë e Shkodrës. Kalaja e Rozafës është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore një ditë më parë bëri me dije dhe numrin e vizitorëve në kala nga janari deri në korrik 2025. “Me lajmin e mirë që për periudhën janar-korrik kalanë Rozafa e kanë vizituar rreth 100.500 vizitorë, ju urojmë një muaj të mbarë”, thuhet nga DRTK Shkodër,që herë pas here sjell në vëmendje numrin e vizitorëve në monumentet e kulturës. Kalaja e Shkodrës që mban emrin Rozafa është një monument mijëvjeçar i ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, në jug-lindje të tij. Qëndron mbi një kodër shkëmbore 130 metra mbi nivelin e detit, e rrethuar nga lumi Buna e Drin, me një sipërfaqe prej gati 9 hektarësh. Kalaja përbën një simbol të qytetit, e pranishme ndër piktura, gdhendje, etj.
Hyrjen kryesore kalaja e ka nga veri-lindja, sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre. Oborret vijnë duke u ngritur njëri pas tjetrit, i treti është në pjesën e lartë të kodrës. Muret dalëse kanë të dalura drejtkëndore që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm kullat janë më të dendura. Brenda kalasë ka disa ambiente që lidhen me një kullë cilindrike, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohëve venedikase, quajtur Kapiteneria. Oborri i dytë në pjesën qendrore ka katër depozita për grumbullim uji, katërkëndëshe të mbuluara me qemerë, prej ku merrej uji përmes grykave të puseve rrethore. Aty është depoja, burgu si dhe Xhamia e Fatihut. Pak ditë më parë Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit hapi një procedurë konkurrimi publik për dhënien në përdorim të hapësirave shërbimi në dy monumente kulture të kategorisë së parë, ku një prej tyre ishte kalaja e Rozafës në Shkodër. Qëllimi i kësaj nisme, sipas njoftimit zyrtar, është “rijetësimi” i këtyre pasurive kulturore./kb