Kreu i PD Sali Berisha ka vijuar akuzat e ashpra ndaj qeverisë, duke e cilësuar Shqipërinë si një “diktaturë autoritare”, ku sipas tij, droga dhe krimi kanë marrë rolin udhëheqës në të gjitha hallkat e shtetit.
Në një dalje për mediat, Berisha theksoi se vendi ndodhet në një regjim ku nuk ekziston më vlera e votës së lirë, dhe se opozita ka si mision rikthimin e saj me çdo kusht.
“Shqipëria është sot në një diktaturë autoritare. Nuk kemi më një shtet të qytetarëve, por një regjim ku forca lëvizëse është droga, e cila vendos kush zgjidhet, kush emërohet dhe kush sundon,” – u shpreh Berisha.
Ai e cilësoi procesin e zgjedhjeve të 11 majit si “një farsë të turpshme elektorale”, duke pretenduar se as rezultati dhe as përfaqësimi që dolën prej saj nuk reflektojnë vullnetin e qytetarëve.
Berisha publikoi gjithashtu një letër që, sipas tij, vërteton ndërhyrjet e qeverisë ndaj misioneve ndërkombëtare vëzhguese për të ndryshuar raportin për zgjedhjet. Ai deklaroi se ka prova të tjera të ndërhyrjeve dhe presioneve të kryera nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm Igli Hasani, por zgjodhi të paraqesë dokumentin zyrtar si provë të padiskutueshme.
“Unë kam dhe dëshmi të tjera për veprimet banditeske të Edi Ramës ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë, por kjo letër është fakt i shkruar,” – theksoi ai.
Sipas Berishës, Shqipëria ndodhet në një nga format më të rrezikshme të diktaturës autoritare, që e dallon atë nga vendet e tjera: “Nëse diktaturat totalitare mbështeten te ideologjitë komuniste apo fetare, ajo shqiptare mbështetet te krimi dhe droga.”
Ai akuzoi qeverinë se kontrollon gjithçka – nga gjykatat e deri te emërimet në polici e drejtësi – përmes lidhjeve me trafikantët dhe krimin e organizuar.
Duke theksuar se opozita do të përqendrojë të gjithë energjinë në mbrojtje të votës së lirë, Berisha bëri thirrje për një mobilizim të përgjithshëm qytetar:
“Ne do ta bindim shqiptarin e fundit se duhet t’i dalim zot votës, dinjitetit dhe lirive tona.”/E.T