Në situatën dramatike që po përjeton Gramshi prej disa ditësh, ka nisur transportimi me helikopter i të lënduarve nga flakët drejt Spitalit të Djegieve në Tiranë.
Helikopterët e emergjencave civile, të dislokuar në stadiumin “Myslim Koçi” të qytetit të Gramshit, po përdoren për evakuimin urgjent të personave të djegur ose në gjendje të rëndë shëndetësore, si pasojë e zjarreve që kanë përfshirë dhjetëra fshatra të zonës.
Të plagosurit po transportohen nën masa të rrepta sigurie dhe kujdes të specializuar mjekësor, ndërsa autoritetet vijojnë betejën për të mbajtur situatën nën kontroll. Stadiumi i qytetit të Granshit është shndërruar në një qendër emergjence ku sistemohen të dëmtuarit për trajtim të menjëhershëm dhe evakuim ajror.
Zjarret kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale, të lënduar, humbje jete dhe një valë evakuimesh nga fshatra si Kullollas, Bletëz, Menkollar, Shimër, Skënderbegas dhe Bulçar. Shumë banorë ndodhen ende në nevojë për ndihmë dhe strehim, ndërsa operacionet e shpëtimit vijojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira.
Autoritetet shtetërore kërkojnë bashkëpunim dhe qetësi nga komuniteti, ndërsa çdo përpjekje po përqendrohet në shpëtimin e jetëve dhe minimizimin e pasojave të mëtejshme. m.p.