Egnatia i ka dhënë lamtumirën Europës për këtë edicion, duke u eliminuar në turin e tretë të Ligës së Konferencës. Një eliminim me shumë pengje, pasi ka dalë pas shtesave përballë Olimpija Ljubljanës.
Në sfidën në shtëpi, Egnatia kërkonte me çdo kusht fitoren pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë. Kështu rrogozhinasit shënuan 4 herë brenda 8 minutave të parë, por vetëm një gol, ai i Lushkjes, ishte i vlefshëm.
Rrogozhinasit vazhduan të sulmonin dhe dukeshin në kontroll, por një goditje këndi ndryshoi gjithçka dhe solli barazimin e miqve, të cilët fituan zemër dhe vunë nën trysni kampionen e Superiores. Në pjesën e dytë ata gjetën një tjetër gol dhe menjëherë pas tij Jahaja la ekipin e Egnatias me 10 lojtarë. Por Lushkja gjeti golin për të barazuar rezultatin e për të çuar sfidën në shtesa.
Aty Olimpija bëri diferencën me dy lojtarë nga stoli, Durdov e Blanko, të cilët shënuan në secilën nga kohët shtesë, duke mbyllur këtu rrugëtimin e Egnatias në këtë edicion në Europë./ D.C