Ardon Jashari ka folur për herë të parë si lojtar i Milanit në konferencën e tij të parë për media të enjten, duke ndarë mendimet e tij mbi transferimin, presionin dhe ambiciet me kuqezinjtë.
23-vjeçari iu bashkua Milanit nga Club Brugge për 37 milionë euro në gusht, duke u bërë transferimi më i shtrenjtë në Serie A këtë afat kalimtar.
Pavarësisht tarifës së lartë, Jashari tha se presioni është normal dhe se nuk e tremb. Ai gjithashtu shprehu besimin e tij në trajnerin Massimiliano Allegri.
“Ardhja në Milan është një ëndërr e bërë realitet për mua dhe familjen time. Është një nder ta vesh këtë fanellë. Historia e Milanit flet vetë. Kaq shumë lojtarë të shkëlqyer kanë dalë nga këtu. Pirlo ishte idhulli im si fëmijë. Kur isha më i vogël, më pëlqente të shikoja Milanin dhe Barcelonën. Kam qenë në ‘San Siro’ më parë dhe mezi pres të luaj këtu”, ka thënë fillimisht Jashari.
Negociatat midis Milanit dhe Club Brugge zgjatën javë të tëra dhe në disa momente dukeshin të vështira, duke e detyruar Jasharin të stërvitej individualisht për pjesën më të madhe të pushimit.
Ai tha se durimi ishte i nevojshëm pasi ishte një lojtar i rëndësishëm për Club Brugge.
“Sapo unë dhe Tare i nisëm bisedimet, qëllimet e mia ishin të qarta dhe ai më dha mbështetje të vazhdueshme. E dija që do të ishin negociata të vështira. Isha një lojtar i rëndësishëm për Club Brugge. Duhej të ishim të duruar. Ia dhashë fjalën klubit. Dua gjithashtu ta falënderoj Ibrahimovicin”, nënvzoi Jashari.
Jashari foli edhe për sezonin e tij të fundit në Belgjikë, i cili sipas tij ishte i suksesshëm, dhe për presionin e pritshëm te Milani.
“Presioni është normal te Milani dhe nuk më tremb. Do të punoj sa më shumë që të mundem dhe do të jap gjithçka nga vetja për ta shpërblyer besimin e klubit tek unë dhe për t’i bërë tifozët të lumtur”, pohoi mesfushori me prejardhje shqiptare.
Mesfushori kosovar ka ambicie të mëdha me Milanin, duk shprehur dëshirën për fitore.
“Në fushë ne duam të fitojmë, sepse është ajo që Milani e meriton. Dua të kontribuoj dhe t’ia jap energjinë time ekipit. Shpesh, ekipi që e dëshiron më shumë është ai që fiton. Ndihesha i lirë të luaja në Dublin, nuk kisha luajtur prej kohësh, por doja të lija një përshtypje të mirë. Ende kam shumë vend për përmirësim”, ka thënë Jashari.
Sa i përket pozicionit, Jashari e lë këtë vendim te trajneri Allegri.
“Allegri do ta vendosë këtë. Kam luajtur si 6 dhe 10, sepse mund të luaj në mbrojtje ose sulm. Gjëja më e rëndësishme është të mos pësosh gol, por padyshim, më pëlqen të shënoj dhe të asistoj”.
Ai shprehu gjithashtu entuziazmin për të luajtur përkrah Luka Modricit. “Do të jetë një privilegj të luaj përkrah një lojtari të nivelit të lartë si Luka Modric. Do ta shijoj dhe padyshim që do të më ndihmojë në zhvillimin tim.
Edhe Interi ishte në garë, duke tentuar në fund transferimin e mesfushorit, ai deklaroi se donte vetëm Milanin.
“Doja vetëm Milanin. E di sa i rëndësishëm është derbi për tifozët, por gjëja më e rëndësishme është ta çojmë Milanin përsëri në krye”, përfundoi Jashari./ D.C