Agjenti i Lewandowskit zbuloi se sezonin e kaluar, sulmuesi refuzoi një ofertë të majme nga Arabia Saudite për të qëndruar te Barcelona. Ndërkombëtari polak pritej të merrte 100 milionë euro në sezon.
“Një vit më parë, Lewandowski mori një ofertë nga Arabia Saudite, që i ofronte 100 milionë euro në sezon. Për sezon! Dhe ai nuk donte të largohej. Ai donte të luftonte për tituj të rëndësishëm, Ligën e Kampionëve me Barcelonën”, shpjegoi Pini Zahavi, i cituar nga ‘Sport’, pa zbuluar emrin e klubit që donte të nënshkruante me lojtarin.
Ai shtoi: “Lewandowski interesohet shumë për vendin ku jeton. Dhe është i kënaqur që jeton në Barcelonë dhe luan për Barçën. Përveç kësaj, klubet saudite janë plot me lojtarë dhe mezi dinë çfarë të bëjnë me ta. Ka një kufi për numrin e lojtarëve të huaj. Sidoqoftë, Lewandowski nuk donte të shkonte në Arabinë Saudite. Mund ta kishte bërë, por nuk e bëri.”
Lewandowski, i cili ka një kontratë me Barcelonën deri në qershor 2026, shënoi 42 gola dhe dha tre asiste për klubin spanjoll sezonin e kaluar./e.t