Në sezonin e dytë të reality show-t të famshëm, “Love Is Blind: UK”, vëmendjen e mori një çift që preku publikun me historinë e tyre, Jed dhe Bardha.
Ai, një djalë nga Essex me origjinë libaneze, dhe ajo, një shqiptare e rritur në Mbretërinë e Bashkuar, u lidhën shpejt në “pods”, dhoma të mbyllura ku nuk mund të shihnin njëri-tjetrin – duke ndarë vlera të përbashkëta, respekt për trashëgimininë kulturore dhe dëshirën për të krijuar një familje me dy fëmijë.
Bardha ndau një pjesë të rëndësishme të jetës së saj: familja e saj u arratis nga Kosova gjatë luftës kur ajo ishte vetëm pesë vjeçe. Kjo përvojë e formoi si një grua të pavarur dhe ambicioze, por gjithmonë e lidhur ngushtë me prindërit.
Historia e saj e jetës e bëri lidhjen me Jed edhe më të fortë, pasi të dy vlerësonin jashtëzakonisht familjen. Gjatë takimeve në pods, ata folën për emra fëmijësh, planifikuan darka familjare dhe pranuan hapur se po dashuroheshin.
Në takimin e tyre të fundit, Jed i propozoi Bardhës dhe ajo pranoi menjëherë, duke shënuar një nga momentet më të bukura të sezonit. Takimi i parë ballë për ballë u mbush me emocione dhe me një “Të dua” të sinqertë nga të dy.
Gjatë udhëtimit të tyre në Qipro, ata vazhduan të forconin lidhjen, diskutuan për fëmijët e ardhshëm dhe ndanë net plot romancë. Bardha u ndje e sigurt se Jed do të përshtatej në mënyrë të përkryer me familjen e saj, ndërsa ai u zotua të kujdesej gjithmonë për të.
Gjatë gjithë sezonit të dytë, Jed dhe Bardha mbetën një nga çiftet më të forta dhe më të komentuar, duke ndërtuar historinë e tyre mbi dashuri, respekt dhe vlera familjare./E.T
