Tre vatra zjarri të shfaqura mbrëmjen e djeshme në tre fshatra të ndryshëm të zonës së Vlorës, sipas Ministrisë së Mbrojtjes janë zjarrëvënie të qëllimshme dhe të kryera nga një grup i strukturuar kriminal.
Në një reagim në llogaritë në rrjetet sociale, teksa përditëson të dhënat mbi situatën në terren, Ministria e Mbrojtjes nënvizon se këto zjarrvënie po bëhen natën, për shkak se ndërhyrja nga ajri në këto kushte është e pamundur.
“Mes orës 20:15 dhe 22:15, është shfaqur një numër i konsiderueshëm vatrash zjarri në fshatrat Dukat, Drashovicë dhe Vajzë. Tipologjia dhe kronologjia e këtyre vatrave krijojnë bindjen e arsyeshme se kemi të bëjmë jo vetëm me zjarrvënie të qëllimshme, por me një grup të strukturuar kriminal në veprim në këtë zonë, anëtarët e të cilit kanë zgjedhur të veprojnë në orët e natës, kur është e pamundur ndërhyrja nga ajri”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Më tej bëhet me dije se pas reagimit të shpejtë të emergjencave civile të Vlorës, zjarri në fshatin Dukat i Ri është izoluar plotësisht, duke evituar përkeqësimin e situatës dhe rrezikun ndaj zonave të banuara./kb