Një gjykatë në Indi ka dhënë dënimin me vdekje për një burrë që i vuri flakën së shoqes për shkak të ngjyrës së lëkurës, raporton BBC.
Në deklaratat përpara vdekjes, Lakshmi tha se i shoqi, Kishandas, “e torturonte vazhdimisht që kishte lëkurë të errët”.
Gjykatësi i Udaipur shpjegoi dënimi nme vdekje për këtë vrasje për të cilën tha se përkiste kategorisë së “më të rrallave” dhe ishte “një krim kundër njerëzimit”.
Avokati i Kishandas tha për BBC se klienti i tij është i pafajshëm dhe do ta apelojnë vendimin.
Vrasja e Lakshmi tetë vite më parë dhe vendimi i dhënë gjatë fundjavës pushtuan lajmet në një vend ku fiksimi i përgjithshëm me ngjyrën e lëkurës është i mirëdokumentuar.
Sulmi ndaj Lakshmi ndodhi më 24 qershor 2017. Në vendim, citohen deklaratat e saj para vdekjes ku thoshte se i shoqi e quante shpesh “kali” ose me lëkurë të errët dhe e tallte për trupin që nga momenti kur ishin martuar, në vitin 2016.
Natën që ajo vdiq, Kishandas kishte marrë një shishe plastike me një lëng ngjyrë kafe, për të cilin tha se ishte një mjekim që t’i zbardhte lëkurën.
Sipas deklaratave, ai ia aplikoi në trup dhe kur ajo tha se vinte erë acidi, i vuri flakën me shkrepëse. Pasi trupi i Lakshmi mori flakë, i hodhi pjesën tjetër të acidit dhe u arratis. Prindërit dhe motra e Kishanda e dërguan në spital, ku ajo ndërroi jetë.
Prokurori Dinesh Paliwal e quajti vendimin “historik” dhe tha se shpreson që do të shërbejë si “mësim për të tjerët në shoqëri”.
“Një vajzë e re në të 20-at u vra brutalisht. Ajo ishte motra e dikujt, vajza e dikujt, kishte njerëz që e donin. Nëse ne nuk shpëtojmë bijat tona, kush do ta bëjë?”, tha ai.
Më tej shtoi se ia ka dërguar vendimin gjykatës së lartë për konfirmim të dënimit me vdekje, por autori ka 30 ditë afat për ta apeluar.
Vendimi i gjykatës së Udaipur risjell sërish në vëmendje preferencën e lëkurës së bardhë në Indi. Gratë dhe vajzat me lëkurë më të errët përballen me fyerje dhe diskriminim, ndërsa produktet për zbardhjen e lëkurës sjellin miliona dollarë fitime për bizneset.
Në njoftimet martesore, ngjyra e lëkurës theksohet gjithnjë dhe vajzat me lëkurë më të çelët kërkohen gjithnjë e më shumë./E.T