Zyrtarët shëndetësorë britanikë kundërshtojnë pretendimin e Trump se paracetamoli lidhet me autizmin.
Zyrtarët dhe ekspertët shëndetësorë në Mbretërinë e Bashkuar kanë hedhur poshtë pretendimet e presidentit amerikan Donald Trump, i cili së fundmi tha se përdorimi i paracetamolit gjatë shtatzënisë mund të jetë shkak për rritjen e rasteve të autizmit.
Trump, duke folur të hënën, deklaroi se ka pasur një “rritje meteorike” të rasteve me autizëm dhe sugjeroi se përdorimi i Tylenol-it – versioni amerikan i paracetamolit – gjatë shtatzënisë mund të jetë një shkaktar i mundshëm.
Por këto komente u kundërshtuan gjerësisht nga autoritetet shëndetësore britanike, përfshirë Sekretarin e Shëndetësisë, Ëes Streeting, i cili u shpreh:
“Sinqerisht, unë u besoj mjekëve më shumë se presidentit Trump për çështje mjekësore. Dua të jem shumë i qartë: nuk ka asnjë provë që të lidhë përdorimin e paracetamolit nga gratë shtatzëna me autizmin tek fëmijët. Aspak.”
Ai gjithashtu përmendi një studim të madh në Suedi të publikuar vitin e kaluar, që përfshiu 2.4 milionë fëmijë, dhe që nuk mbështeti aspak pretendimet e Trump.
“Unë do t’u thoja të gjithë atyre që po na ndjekin: mos i kushtoni aspak vëmendje asaj që thotë Donald Trump për çështjet e mjekësisë. Madje, mos më besoni as mua si politikan – dëgjoni mjekët britanikë, shkencëtarët dhe sistemin shëndetësor britanik,” – shtoi ai.
Në të njëjtën linjë, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) deklaroi se nuk ka asnjë provë të re që do të ndryshonte rekomandimet aktuale për përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë.
Ndërkohë, përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tarik Jasarevic, tha në një konferencë për shtyp se lidhja mes paracetamolit dhe autizmit “mbetet e paqëndrueshme dhe e pavërtetuar”.
Konkluzioni i ekspertëve është i qartë: paracetamoli është i sigurt për përdorim gjatë shtatzënisë, dhe nuk ka asnjë provë shkencore që ai lidhet me zhvillimin e autizmit tek fëmijët. /e.t