Intriga në zgjedhjen e kreut të SPAK/ Procesi ka nisur i helmuar, çfarë s’do dëgjojmë!

Kandidatët të cilët synojnë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, kur mandati i Altin Dumanit të përfundojë, do të kenë kohë edhe disa ditë, deri më 8 tetor për të shpallur kandidaturën e tyre.

E teksa ky proces është në vazhdim, të shumta janë hipotezat që po ngrihen në publik dhe media. Por, mesa duket ky proces sipas Lorenc Vangjelit ka nisur i “helmuar” me vlerësimin e kandidatëve dhe se në ditët në vijim sipas tij do të dëgjojmë histori nga më të ndryshmet në dëm të secilit kandidat.

Analisti ka shtuar se një prej relatorëve, Sokol Stojani është tërhequr me qëllim për të mos u bërë pjesë e këtij procesi.

“Procesi ka nisur i helmuar me vlerësimin e kandidatëve, ku ligji e përcakton saktë rolin e relatorit. Detyra e relatorit ka qenë të përgatisë materialet. E fshehta ishte që z. Stojani, pikërisht për tu mos bërë palë me këtë çështje, është tërhequr nga procesi. Vetëm ky fakt tregon që procesi i helmuar. Në një vend të vogël siç është Shqipëria, roli i individit është i jashtë zakonshëm. Integriteti i tij mund të bëjë dimrin ose verën në institucion. Mund të ndajë të mirën nga e keqja.

Të gjithë aktorët dhe faktorët e rëndësishëm në politikë, po flasim për ata që kanë peshë… Ka një vëmendje të madhe qoftë nga mazhoranca, qoftë nga opozita që kanë interes të madh se kush do të jetë pasardhësi i Dumanit që ata e urrejnë me shpirt, qoftë nga bota e biznesit, qoftë nga bota e medias. Mos u habisni të dalin në media histori të çuditshme nga kandidatët. Do përdoren segmente të ndryshëm mediatike, që në mënyrë do infiltrohen informacion në dëm të secilit kandidat”, tha Vangjeli.

Lexo edhe :  Komisione të reja, kompetenca të paqarta/ Kuvendi futet në terr ligjor

Më 17 shtator KLP hapi zyrtarisht garën për kreun e ri të SPAK, pasi mandati i Dumanit përfundon më 18 dhjetor. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, relatori Sokol Stojani propozoi dy javë afat, por Vate Staka kërkoi që afati për të dorëzuar kandidaturat të jetë tre javë.

Kujtojmë se drejtuesi i ri i SPAK do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi. Zgjedhja bëhet me shumicë të thjeshtë votash nga 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë./e.t