Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian, Josef Borrel tha se qëllimi i Bashkimit Evropian është të arrihet një marrëveshje e cila është tejet e rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, por edhe vetë Bashkimin Evropian.
“Jemi këtu për të nisur dialogun Kosovë-Serbi, edhe pse e dimë që “marrëveshja” nuk është një proces i lehtë, por është një hap shumë i rëndësishëm,” ka thënë Borrel.
Përmes një video-konference rifillon sot, nën organizim të Bashkimit Evropian, dialogu në nivelin e lartë mes Kosovës dhe Serbisë.
Nga shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) është njoftuar se Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrel, dhe i dërguari i posaçëm për dialog Miroslav Lajçak, së pari do të kenë biseda me njërën palë, pastaj me tjetrën për të mbajtur në fund një konferencë të përbashkët të kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
BE vlerëson se me këtë takim shënohet rifillimi i dialogut pasi takime në nivelin e lartë nuk ka pasur që nga viti 2018.
Për t’i inkurajuar palët që të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialog, të premten ishte zhvilluar një samit virtual mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë me ndërmjetësimin e presidentit të Francës Emanuel Macron dhe kancelares Gjermane Angela Merkel./Bl.Ba/Fjala.al