Metoda e re e përfshirjes së vrasësve me pagesë për eliminimin e rivalëve në botën e trafiqeve, por edhe në biznes. Gazeta “Fjala” sjell rastet më të bujshme të ekzekutimeve nga vrasës me pagesë.
Dyshimet e policisë se po përfshihen në krime efektivë apo ish-efektivë të mirëstërvitur nga forcat speciale të policisë dhe të ushtrisë. Vrasësit me pagesë që pas krimit sigurojnë nga 20-150 mijë euro.
Nga Elvis Myrta
Vitet e fundit Shqipëria është tronditur nga mjaft ngjarje kriminale, ku viktima kanë qenë persona me precedentë kriminalë, por edhe biznesmenë. Shumica e këtyre ngjarjeve ka mbetur pa autor dhe, sipas autoriteteve, dyshohet se janë kryer nga vrasës me pagesë. Grupet kriminale apo edhe biznesmenë “pajtojnë” vrasës me pagesë për të eliminuar konkurrentët e tyre apo personat me të cilët kanë konflikte.
Vrasësit me pagesë kanë një rrjet të mirorganizuar, me disa hallka që bëjnë të mundur funksionimin e tij. Aq mirë funksionon ky rrjet, sa në Shqipëri janë urdhëruar qindra vrasje, ku vetëm gjatë dy viteve të fundit janë kryer plot 38 ekzekutime, të cilat dyshohet se janë bërë nga vrasës me pagesë.
Qëllimi i tyre është të eliminojnë objektivin për të cilin janë paguar. Për ta, kjo është një punë që duhet të bëhet, (një shërbim në formë kontrate). Për të realizuar një “vrasje të pastër”, përveç eliminimit të objektivit, autorët nuk duhet të lënë gjurmë.
Sipas raporteve të Policisë së Shtetit, janë identifikuar një numër i madh personash, të cilët kanë marrë para në dorë për të kryer një vrasje, apo edhe grabitje të ndryshme, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda. Ata nuk e njohin viktimën e tyre, dinë vetëm emrin, banesën si dhe aktivitetin.
Vetëm kaq u mjafton për të kryer punën e paguar nga persona të tjerë. Mënyrat e ekzekutimeve të vrasësve me pagesë janë nga më të ndryshmet, por të menduara mirë nga autorët. Kjo për të mos lënë asnjë gjurmë dhe për të bërë siç thuhet në gjuhën e tyre “një punë të pastër”.
Një nga mënyrat më të përdorshme nga autorët e këtyre vrasjeve është përdorimi i pistoletës me silenciator. Vendosja e një eliminuesi të krismës së armës në grykën e pistoletës, ose automatikut bën që autorët e një krimi të kryejnë vrasjen e më pas të largohen në mënyrë fare të qetë, pa u vënë re nga askush.
Një tjetër formë që përdoret është ajo e snaiperit. Një vrasje perfekte, pa lënë asnjë grimcë gjurme që policia apo edhe prokuroria ta zbulojë. Një shënjestër në organet jetësore, e kryen këtë vrasje në mënyrë perfekte.
E jo vetëm kaq, në fund të punës autorët shpërblehen. Por, nëse do të mos lësh asnjë provë në vendin e ngjarjes, eksplozivi është një tjetër mënyrë që përdorin vrasësit me pagesë për të eliminuar prenë e tyre, ku së fundmi kjo metodë është përdorur shpesh. Kujtojmë se me eksploziv u ekzekutua biznesmeni Vajdin Lame dhe miku i tij, Artan Arsi. Po ashtu, eksploziv është përdorur dhe për vrasjen e gjykatësit vlonjat Skerdilajd Konomi.
Statistika
Gjatë vitit 2020 kriza e COVID-19 mund të ketë frenuar shumë aspekte të jetës, por jo krimin. 2020-a është një vit ku ka pasur një numër të lartë ngjarjesh kriminale. Pa u mbyllur mirë 7-mujori i parë i vitit, numërohen plot 24 vrasje, ku disa prej tyre kanë qenë me dy viktima.
Sipas INSTAT-it, gjatë 5 viteve të fundit, viti 2016 mban rekordin me plot 71 ekzekutime. Ndërsa vendi i dytë mbahet nga viti që lamë pas, me plot 58 vrasje. Vrasësit me pagesë po kthehet në një fenomen të rrezikshëm për shoqërinë shqiptare, pasi vitet e fundit shumë të rinj janë rekruetuar nga grupet kriminale dhe, duke i joshur me para i kanë kthyer ata në vrasës me pagesë.
Këtë e vërteton edhe vetë SHISH-i, i cili në raportin e vitit 2019 vë në dukje kontraktimin në rritje nga grupet kriminale të vrasësve me pagesë. SHISH-i ka informacione se këta individë përdorin identitete të ndryshme dhe disponojnë pasaporta origjinale ose false nga disa vende evropiane.
Edhe pse në botë këta kriminelë që vrasin për para, janë një fenomen shumë i përhapur, në vendin tonë kjo mënyrë ekzekutimi, deri para dy dekadash ishte e panjohur. Vrasjet me pagesë janë dëgjuar për herë të parë në Shqipëri pas viteve 2000, ndërsa kohët e fundit është folur gjithmonë e më shumë për “kontratat e vdekjeve”.
Këtë vit vrasësit me pagesë dyshohet se po përdoren në masë nga porositësit e krimeve, si një metodë e sigurt dhe e vështirë për të mos u gjurmuar. Në fund të muajit maj, në Laç, 4 persona të veshur me rroba të ngjashme me ato të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të policisë, ekzekutuan Bujar Likën dhe Paulin Gjergjin.
Policia identifikoi autorët e kësaj ngjarjeje, duke vënë në pranga dy prej tyre, mes të cilëve edhe qitësin. Sipas autoriteteve, mes viktimave dhe ekzekutorëve nuk ka pasur asnjë konflikt, dhe dyshimet janë se ata mund të jenë paguar për ta kryer vrasjen e 29 majit. Një tjetër ngjarje e rëndë tronditi vendin, kur në 8 qershor, në Elbasan, Ardjan Çapja u qëllua me snaiper, në një atentat të mirorganizuar.
Pak milimetra gabim i qitësit, i shpëtuan atij jetën, duke e lënë të plagosur rëndë. Për këtë ngjarje policia dhe prokuroria ka ngritur dyshime se mund të jetë kryer nga ushtarakë, pasi vetëm një profesionist mund ta kryejë atë qitje. Burime nga policia i thanë gazetës “Fjala” se departamenti i krimeve të rënda disponon një listë me emrat e killer-ëve që dyshohet se veprojnë dhe janë përfshirë në ngjarje kriminale.
Këto lista përpunohen herë pas here edhe në bazë të informacioneve që dërgojnë strukturat e policive kriminale në rrethe. Burimet pohojnë se deri tani janë përballur me dy lloje vrasësish me pagesë. Ata që punojnë për llogari të tyre dhe mund të kryejë punë për porosi të disa bandave apo individëve, dhe vrasësit apo të etiketuarit ndryshe si qitësit e grupeve kriminale që rekrutohen nga ato vetëm për këtë qëllim. Eksperienca ka treguar se në Shqipëri për të vrarë, paguhen shifra të frikshme. Dhe këto nuk janë të panjohura për policinë.
Si rekruetohen vrasësit me pagesë
Sipas ekspertëve të kriminalistikës, përgjithësisht vrasësit me pagese janë ndarë në dy katergori. Ata janë ose kontingjent të botës së krimit, të cilët janë me rekorde të hershme kriminale dhe ish-pjesëtarë të forcave ushtarake. Kategoria e parë janë persona të rekruetuar nga grupet kriminale që operojnë në vendin tonë dhe i përdorin këta persona për të ekzekutuar kundërshtarët e tyre.
Ndërsa, për sa i përket katogorisë së dytë, ata janë më të kërkuarit dhe më të paguarit në tregun e vrasësve me pagesë. Kjo për dy arsye kryesore, nuk gabojnë pothuajse asnjëherë, dhe janë të trajnuar me metoda të sofistikuara për të mos u zbuluar. Në atentate të mirorganizuara, të pazbardhura, ka pasur gjithmonë dyshime për përfshirje të njerëzve të specializuar dhe trajnuar nga shteti, që për arsye të ndryshme kanë ndërruar rol, nga kundërshtarë të krimit në shërbëtorë të tij.
Ata dyshohet se vijnë nga radhët e forcave speciale të policisë, por edhe nga forcat komando të ushtrisë. Vetëm gjatë këtij viti dyshohet se pjesëtarë apo ish-punonjës të forcave komando janë përfshirë në të paktën dy ngjarje të rënda kriminale. Më konkretisht, autoritetet kanë hedhur dyshime se pjesëtarë të forcave ushtarake janë përfshirë në vrasjen e Kastriot Reçit, në 7 janar të këtij viti, dhe në plagosjen e Ardjan Çapjas në Elbasan, rreth një muaj më parë. Të dy këta persona janë qëlluar me snaiper që mund të përdoren vetëm nga profesionistë.
Ekzekutimet e bujshme që dyshohet se janë kryer nga vrasës me pagesë
Aktiviteti i grupeve kriminale shqiptare jashtë vendit ka bërë që falë lidhjeve të tyre të kontraktohen edhe vrasës të huaj me pagesë dhe të mirëpërgatitur. I tillë është rasti i grekut Efthymiou Efthymious, ish-anëtar i forcave speciale greke. Ai u arrestua rreth dy vite më parë si personi që ekzekutoi Devi Kasmin, në janar të 2018-s, në Tiranë.
Një tjetër vrasje e bujshme, e cila dyshohet se është kryer nga vrasës me pagesë, është ajo e 26 qershorit të vitit 2014, kur në mes të Bllokut do të ekzekutohej Artan Santo. Ndërkohë, e pazbardhur ka mbetur edhe vrasja e vitit 2010 në zonën e Pazarit të Ri. Franc Konomi u ekzekutua nga 2 persona që lëviznin me një motor, të cilët në atë kohë u dyshuan si vrasës me pagesë, por asnjëherë nuk u zbuluan nga policia.
Ekzekutorët gjakftohtë, që marrjen e një jete e kosiderojnë si “punë”, kanë marr hov në fillim të viteve 2000, ku njerëz me konflikte të hershme, dhe të përfshirë në ngjarje kriminale janë gjetur të vrarë.
Edhe në atë kohë rastet janë të shumta, ndër to mund të kujtojmë vrasjen e njërit nga krerët e Komunitetit Mysliman, Salih Tivari, ngjarje e ndodhur në janar të vitit 2002. Kaq i kopsitur ka qenë realizimi i vrasjes, saqë edhe sot e kësaj dite, kanë mbetur pas vetëm hamendësime për vrasësit.
Florian Vila u ekzekutua po kaq mjeshtërisht, në derën e shtëpisë së tij, në prill të vitit 2003, ngjarje kjo ende e pazbardhur nga autoritetet. Në 29 mars të vitit 2004, vrasja e Fatmir Ramës, ose Mirit të Xhikes, ishte po kaq perfekte. Të gjitha këto dosje janë ende pa autor.
Zbardhja e vrasjeve
Ligji për masat shtesë të sigurisë publike, i miratuar në vitin 2016, që përcakton se bizneset, por edhe institucionet private e shtetërore duhet të jenë të pajisura me kamera sigurie, ia ka lehtësuar punën policisë.
Gjithnjë e më shumë në duart e ekspertëve ka materiale të bollshme filmike. Por sërish zbardhja e këtyre ngjarjeve lë për të dëshiruar. Megjithatë ka edhe raste kur teknologjia ka ndihmuar në zbulimin e killer-ëve. Mikel Shallari , i cili vrau ish-drejtorin e policisë së Vlorës Artan Cuku, kundrejt shumës së premtuar prej 25 mijë eurosh, nga të cilat mori vetëm 3 mijë, u zbulua nga kamerat e sigurisë, por edhe nga provat e gjetura në rrobat që hodhi pas vrasjes.
Gjithashtu, ndër ngjarjet e fundit të zbardhura nga kamerat e sigurisë është atentati i dyfishtë në Laç, ku u vranë Bujar Lika e Paulin Gjergji, si dhe vrasja e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, në Durrës. Vrasësit me pagesë kanë gjetur një terren të përshtatshëm për të kryer krimet, që gjithmonë e më shumë po marrin përmasat e një biznesi, edhe pse të jashtëligjshëm. Por cila është arsyeja që bandat shqiptare lakohen shpesh në raportet e agjencive të huaja të zbatimit të ligjit?
Duke parë këtë historik të zhvillimit të krimit dhe konkretisht të tregut të vrasësve me pagesë, duket se gjithmonë e më shumë po lind nevoja e perfeksionimit të hetimeve. Aktualisht ne kemi një laborator kriminalistik në Tiranë, por sipas ekspertëve, ka nevojë për më shumë vëmendje dhe investime në këtë drejtim.
Në një kohë kur krimi sofistikon çdo ditë metodat që përdor për të marrë jetë njerëzish, ekspertët ngrenë shqetësimin se ka ardhur koha që strukturat shtetërore të ecin përpara me teknologjinë e hetimit të rasteve. Dhe mund ta nisin që nga auditorët e fakultetit, ku hetuesit e rinj mësojnë si ta zbulojnë krimin në teori dhe jo në praktikë.
Vrasësit me pagesë që u kthyen në bashkëpunëtorë të drejtësisë
Rasti më i bujshëm i një killer-i të vetmuar me pagesë në Shqipëri, që merrte porosi nga individë të ndryshëm, është ai i Julian Sinanajt. Në Itali, një shtëpi botuese po përgatitet të nxjerrë në treg një libër që u kushtohet vrasësve me pagesë dhe një vend të rëndësishëm në këtë libër do të zërë edhe killer-i shqiptar me pagesë, Julian Sinanaj.
Regjistrimi i ekzekutimit të parë të kryer nga Julian Sinanaj në Shqipëri, është ai i datës 26 gusht 2012, në Vlorë. Vrasja e peshkatarit 45-vjeçar në Orikum, në një lokal buzë detit. Sipas kronologjisë së kohës, ata ishin të ulur në të njëjtën tavolinë dhe debatuan për më shumë se 15 minuta me njëri-tjetrin.
Sipas dëshmive në polici, rezulton se Sinanaj ishte siguruar më parë, duke i parë kartën e identitetit, për të garantuar se personi ishte pikërisht ai që kishte në plan të ekzekutonte dhe pas kësaj e ka qëlluar. Në atë kohë policia dyshoi për një vrasës me pagesë, por asnjë fakt nuk çoi drejt autorit. Vrasja tjetër ishte plot një vit më pas.
Në mesnatën e 20 gushtit ai ekzekutoi me një pistoletë me silenciator Agron Çelën, biznesmenin vlonjat 52-vjeçar. Për të dyja vrasjet Sinanaj ka pranuar se ka pasur porositës, të cilët janë vënë në kërkim nga policia.
Porositësit në të dyja rastet e vrasjeve kanë lëvizur nga vendbanimet e tyre dhe janë në listën e më të kërkuarve tashmë në vend, por emri i tyre nuk bëhet publik. Kartela e tij penale më pas regjistron vetëm shpërthime me eksploziv.
Për dy vrasjet e para, policia është duke mbajtur sekret porositësit e tyre, ndërkohë që vetë Sinanaj nuk është duke rrëfyer asnjë arsye pse ishte autor i vendosjes së eksplozivit në shtëpinë e kreut të PD-së në Vlorë, Ardian Kollozi, muajin qershor që ishte edhe muaji i fushatës elektorale në vend.
Ndërsa atentati i fundit, ai ndaj biznesmenit të karburanteve që jetonte në Durrës, mund të cilësohet si i dështuar, pasi Sinanaj u vu në pranga ku rrëfeu se do ta vriste sipërmarrësin duke u paguar plot 150 mijë euro. Një tjetër vrasës me pagesë, i cili pas arrestimit u bë bashëpunëtor i drejtësisë, është edhe Mikel Shallari, i riu nga Kuçova, që ekzekutoi në ashensor, komisar Artan Cukun, kur po ngjitej për në banesë. Sipas dosjes hetimore, përpara se të vritej nga Mikeli, Artan Cukun është përpjekur ta vrasë edhe kushëriri i Mikel Shallarit, Kristaq Leci, ndërsa ishte ulur në një kafe.
Autori i kësaj ngjarjeje, të cilit i ishin premtuar 20 mijë euro, përpara hetuesve ka thënë se nuk e njihte komisar Cukun, atë ia pati treguar porositësi i krimit, duke shkarkuar një foto të tij nga interneti dhe duke i bërë të ditur automjetet me të cilat lëvizte shënjestra dhe vendin ku ai parkonte para se të hynte në banesë.
Mikel Shallari shpëtoi nga burgimi i përjetshëm, pasi ra dakord me prokurorinë të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë dhe të tregonte porositësit e Artan Cukut. Porositësin e vrasjes ma prezantoi djali i dajës, që quhet Kristaq Leci, rrëfen i penduari Mikel Shallari. Ai e quante Bledar Jambellin si i madhi ose shefi.
Më premtuan 20 mijë euro për të kryer krimin, pohon në marrëveshjen e bashkëpunimit i riu, që i shpëtoi me rrëfimin e tij burgimit të përjetshëm. Përveç shpërblimit, ata më premtuan se do të më rregullonin në Gjermani, thotë me tej Shallari. “Unë nuk e njihja Artan Cukun”, tregon Shallari, por porositësi ma tregoi duke shkarkuar një foto të tij nga interneti.
Ndërsa plani për vrasjen është thurur prej tyre në dhjetëditëshin e tretë të marsit 2017. Porositësi na foli me tone fyese, tregon i penduari, mua dhe Lecit, dhe na urdhëroi që krimin ta kryenim të nesërmen. Menjëherë pasi ka vrarë Artan Cukun ai është larguar me një taksi të rastit, ndërkohë që, edhe pse kishte lënë takim me Bledar Jambellin, ai nuk ishte paraqitur.
Prokuroria thotë se Bledar Jambelli e urdhëroi vrasjen e kryepolicit, pasi në 7 dhjetor 2012, kur drejtor i policisë Vlorë ishte Artan Cuku, ai u arrestua si i dyshuar për vrasjen e Amarildo Delajt. Bledar Jambelli u lirua dy vjet pas këtij krimi, duke u shpallur i pafajshëm, ndërsa shteti e kishte dëmshpërblyer për burgim të padrejtë.
Burgu është një vend jo vetëm i vuajtjes së dënimit, por edhe i rekruetimit të personave për të kryer vrasje, kështu ndodhi me Kristi Pinen, 10 vite më parë, i cili tashmë është 28 vjeç. Kur ishte 18 vjeç, ai u arrestua për vjedhje, në atë kohë ai qëlloi të ishte në të njëjtën qeli, me të dënuarin me burgim të përjetshëm Admir Tafili.
Gjatë qëndrimit në qeli Tafili e mbajti afër Pinen dhe e mbronte nga të burgosurit e tjerë, të cilët ishin të dhunshëm. Në këtë mënyrë ai fitoi besimin e të riut, duke e rekruetuar dhe duke e bërë pjesë të bandës së tij. Pine, i cili sot është 28 vjeç, ishte personi që bashkëpunoi me drejtësinë, duke zbërthyer bandën e vrasësve me pagesë që drejtohej nga burgu.
Pine përfundoi në gjykatë së bashku me 12 persona të tjerë për vrasjen me paramendim të shtetasit Ibrahim Mani, një ekzekutim i kryer për hakmarrje dhe i porositur përmes të dënuarit me burg të përjetshëm Admir Tafilaj. Pas vrasjes në Shkodër që, sipas Pines, ka qenë e para në jetën e tij, Alfred Qefalia, i ka kërkuar atij të vrasë edhe Edmond Çakmashin në Shkozë të Tiranës.
Për këtë vrasje, Pine u ka thënë hetuesve se ishte në dijeni edhe Admir Tafili nga burgu, i cili ka insistuar të kryente vrasjen, duke i premtuar se do t’i jepte 15 mijë euro. Mbrëmjen e datës 3 shtator të 2014 Pine është afruar pranë makinës së parkuar brenda të cilës ndodhej Edmond Çakmashi, dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tij.
Kristi Pines, me kërkesë të Tafilajt, i është kërkuar të përgatiste dhe kryente vrasjen e shtetasit Leonard Murati në Durrës, kundrejt 50 mijë eurove dhe, nëse ekzkutonte edhe nipin e Muratit, do të paguhej me 100 mijë euro. Por këtë vrasje të ndodhur në fund të tetorit, në lokalin e viktimës në Durrës, i pandehuri Pine thotë se nuk e ka kryer ai, por dy persona të tjerë.
Ndërkohë grupi që drejtohej nga Tafili ka marrë 25 mijë euro, ndërsa Pines i kishin dhënë vetëm 3 mijë euro. Më pas, në dhjetor të 2014-s, Pine është kontraktuar nga një person për të ekzekutuar shtetasin M. Lila, kundrejt 50 mijë eurove. Vrasje të cilën nuk e kishte kryer, pasi nuk kishte arritur të gjente mundësinë.
la.mi/Fjala.al