Krijimet e tij ‘shkundin’ internetin, foto-montazhet po ashtu. I profilizuar në një oponencë të fortë me qeverinë, Genc Sejko mund të quhet Njeriu i Memeve në Shqipëri.
Kushdo i ka parë e i ka pëlqyer fotot e tij, të cilat në jo pak raste janë kthyer në burim frymëzimi për emisionet satirike televizive.
Me një ironi për t’u admiruar, një sens humori që gjendet shumë rrallë dhe me një sy kritik të fortë, krijuesi i këtyre fotove, ka ardhur në Shqipëri.
Lajmin e ka bërë të ditur profesori Erion Kristo i cili tregon se është takuar me mikun e tij dhe bashkë në një shëtitje nga Liqeni Artificial ka diskutuar edhe për disa pika të forta nga situata aktuale politik në vendin tonë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kristo rrëfen se pas shumë diskutimesh së bashku kanë arritur në disa konkluzione të cilat vetë profesori i ka renditur njëra pas tjetrës.
Postimi i plotë i Erion Kristo
Sot më erdhi një mik i vjetër, nga Anglia. Genc Sejko ja thonë emrin, mbreti i memeve. E qerasa me një shëtitje nga liqeni. Pas shumë diskutimeve arritëm në disa konkluzione:
- SPAK po punon shumë mirë. Këtë e tregon arrestimi i disa punonjësve të shëndetit që falsifikonin libreza shëndetësore. Asgjësimi i këtij rrjeti të rrezikshëm tregon rritje të nivelit të luftës antikorrupsion.
- Genci ishte për rrotacion. Unë për diçka të re.
- Lidhur me listat e hapura, Genci thoshte se ne nuk dimë të vlerësojmë. Unë rashë dakord. Unë thashë ta lëmë popullin të gabojë po të dojë. Ai ra dakord.
- Unë isha i pakënaqur me Lulin. Genci ishte më i rezervuar. Luli është pak më normal se Rama. Edhe unë e pranova.
- Pushteti aktual nuk prodhoi gjë në dy mandate. Përse e kërkon të tretin? Apo forca e zakonit?
- Të dy ramë dakord që shumë nga njerëzit që duan të bëhen deputetë, nuk e meritojnë. Po ne i përkrahim ambiciet e tyre.
- Nuk diskutuam gjë për vrasësit që po lirohen nga burgjet, por jam i bindur që do ishim pajtuar me idenë që ka punë plot për ta jashtë, pse të vuajnë kot.
- E cekëm dhe idenë që miq tanët po shiten gjithandej. Pushteti ka plot lekë.
- Kovidi na ka bezdisur, por më shumë na ka bezdisur propaganda.
- Janë bërë qindra milionë euro, madje miliardat, sikur të ishin akullore.
- Nuk diskutuam për ngjarjet në Amerikë, u përqendruam të hallet tona.
Si përfundim, biseda rezultoi shumë rezultative. Ndoshta ndikoi ajri i pastër i liqenit.
P.S. Harrova të shtoja që Genci u mërzit për mungesën time të ambicies politike. Kam plane më të mëdha, i thashë./Bl.Ba/Fjala.al