Leonard Karaj: “Tallja” e radhës, Rama nxjerr gështenjat nga zjarri me duart e Murrizit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Politika është futur në një ngërç të ri, ndërsa u duk se marrëveshja e 5 qershorit i kishte dhënë zgjidhje të paktën reformës zgjedhore. Si e parashikoni zgjidhjen e këtij ngërçi, çfarë fati do të ketë marrëveshja e 5 qershorit? Sa i fortë besoni se është poli i tretë, siç e quan Rama, opozita e re, që të bllokojë votimin e saj?

 

Personalisht, nuk shikoj asnjë ngërç procedural dhe ca më pak juridik. Pasi, nëse mazhoranca, me mbështetjen edhe të opozitës parlamentare (legjitime ose jo, gjithkush e konsideron si të dojë, por faktet janë kokëforta, pasi vota e tyre vlen…), do të kërkojë ndryshime kushtetuese që prekin thelbësisht kodin zgjedhor, kjo gjë teknikalisht është më se e mundur.

Nga ana tjetër, marrëveshja e nisur më 14 janar dhe përfunduar më 5 qershor, nga ana formale thuajse nuk preket fare, pasi në asnjë cep të kësaj marrëveshjeje nuk flitet për lista të hapuara apo ndalim koalicionesh parazgjedhore. Dhe e tillë sikundër është, Rama dhe të tijët nuk e kanë aspak problem që ta votojnë në Kuvend ditën e nesërme (sot).

Nga ana tjetër, askush nuk e ndalon dot Ramën të bëjë llogaritë e veta për t’u futur në zgjedhjet e radhës më i qetë e, pse jo, edhe më i avatazhuar. Politikisht, kush është ai kryetar partie që nuk punon që grupi i tij politik të mund t’i fitojë zgjedhjet e radhës(?!) Ndaj, ashtu sikundër ka bërë me dhjetëra herë në të shkuarën, duke përdorur herë, Nanon, herë Berishën, herë Metën, por edhe Bashën, çfarë e pengoka sot që t’i nxjerrë gështenjat nga zjarri me duart e Murrizit & CO (?!). Sakaq, nuk është se kemi të bëjmë me ndonjë “pol të tretë”, pasi ky i fundit nuk është as pol.

Nuk ka se si të jetë “pol” një grupim i cili ka qenë vijimësisht shtojcë, paradhomë dhe, pse jo, edhe tualet i mazhorancës. Thuajse të gjitha ligjet e qeverisë janë miratuar pa më të voglin kundërshtim nga ky “pol-opozitar”, ndaj edhe në këtë rast, thjesht po përdoret në mënyrën më vulgare të mundshme nga kryeministri.

Por në fund të ditës, juridikisht, vota e Murrizit vlen apo aq sot sa edhe dje, nën siglën e PD-së. Ndaj gjasat më të mëdha janë që marrëveshja e 5 qershorit sot të kalojë ashtu sikundër është, dhe në këtë rast Rama “u bën qejfin” qejfprishurve dhe në seancën e radhës, pas 7 ditësh, të vulosë atë skenar të parapëlqyer nga ai, për gjoja lista të hapura, por që më e rëndësishsmja është se ndalojnë koalicionet parazgjedhore.

 

Nga ana tjetër, a besoni se mazhoranca do të miratojë ndryshime kushtetuese pa konsensus të gjerë politik dhe, nëse miratohen, çfarë rreziku ka kjo për prishjen e paktit politik e rikonfigurimin politik të Parlamentit të 2021-shit?

 

Jam i bindur se Rama do t’i shkojë deri në fund idesë së tij, e cila siç e theksova edhe më lart, mund të mos jetë e moralshme, por është legjitime, nëse do të votohet nga Kuvendi i Shqipërisë. Ndërkohë, konsensusi i gjerë për këto ndryshime është po aq i kuptueshëm sikundër edhe në 2008-n. Edhe në atë kohë Rama dhe Berisha nuk denjuan që të dëgjojnë zërin gjithëpërfshirës, aq sa Ilir Meta bëri grevë urie në Parlament. Pse nuk u dha atëherë konsensusi i gjerë politik dhe u dashka të bëhet tani(?!) Sot për sot, nëse pyet qytetarët, pjesa e më e madhe e tyre (ndoshta edhe në padituri), janë për lista të hapura, ndaj në këtë kontekst, duket se Rama është goxha komod, pasi ku ka konsensus më të madh sesa “konsensusi popullor”. Sakaq, Parlamenti i 2021-shit, me shumë gjasë do të jetë më i mirë, të paktën krahasuar me aktualin, i cili me gjasë mban rekordin në 100 vjet parlamentarizëm si më i dobëti. Dhe pak rëndësi ka nëse aty Rama apo Basha do të jenë mazhorancë. Zor (për të mos thënë e pamundur), se PS-ja dhe PD-ja do të mund të krijojë një mazhorancë unike, sikundër ndodhi në 2017-n.

Lexo edhe :  Arrestohet kryebashkiaku Erion Veliaj, masë edhe për bashkëshorten

 

Pse debati për lista të hapura kandidatësh u hap kaq vonë, kur Këshilli Politik që prej janarit e kishte si çështje në tryezë dhe asnjëra nga palët e mëdha nuk shprehu interes për këtë çështje, çfarë loje politike po luhet me “listat e hapura”?

 

Sepse askush nuk i ka dashur listat e hapura. As Rama dhe as Basha. Madje, Rama nuk i do as tani, përderisa po hap listën vetëm për ata që dihet se nuk fitojnë. Por debati u hap tani, për faktin se Rama ka kuptuar më së miri në referencë të sondazheve të vazhdueshme që bën, që opozita e bashkuar e lë me shumë pikë pas mazhorancën aktuale. Ndaj heqja e koalicioneve parazgjedhore i jep vetvetiu PS-së një avantazh të mjaftueshëm, sa teorikisht të jetë parti e parë dhe më pas të ketë mundësi të bëjë allishverishe me cilin të dojë (në atë pikë, LSI, PAA, PDIU etj., do të “luteshin” për pakëz pushtet).

 

 

Si e vlerësoni rolin e ndërkombëtarëve në këtë situatë politike, a duhet të ketë një presion më të drejtpërdrejtë të tyre në mbrojtje të marrëveshjes së 5 qershorit, e cila ishte produkt i investimit direkt të diplomacisë së huaj?

 

Një fjalë e urtë popullore thotë: “Ç’të mbjellësh, do të korrësh”! Nëse ndërkombëtarët e kanë përkëdhelur me tepri gjatë gjithë kësaj kohe Ramën (kanabis pa fund, koncensione tejet të dyshimta, korrupsion i dukshëm, pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë, borxhi publik alarmant, dhe asnjë reagim, apo deklaratë e fortë kundër qeverisë), normalisht, sot janë në kulmin e tekave të këtij të fundit. Ndaj në këtë kontekst, janë thuajse të dorëzuar përpara kryeministrit. SHBA dhe komuniteti evropian janë investuar realisht shumë për marrëveshjen, por në fund edhe ata, më shumë sesa demokracinë dhe të drejtën, duan stabilitetin. Dhe jo pa qëllim Juri Kim theksoi pak ditë më parë: “Ne punojmë me atë që zgjedh populli shqiptar….”. /Ra.My.Fjala.al/

Të fundit

Shqipëri, lufta kundër pasurive të krimit të organizuar përballet me pengesa

VOA Në Shqipëri, lufta kundër pasurive të krimit të organizuar ka pësuar statistikisht rritje gjatë viteve të fundit, por menaxhimi...

Armëpushimi në Gaza, Hamasi publikon emrat e tre pengjeve që do të lirohen të shtunën

Hamasi publikon emrat e tre pengjeve izraelitë që do të lirohen të shtunën. Pengjet, sipas njoftimeve të Hamasit dhe autoriteteve izraelite, përfshijnë 36 vjeçarin amerikano-izraelitin...

“SPAK do të ‘godasë’ sërish majtas?”/ Gazetari zbulon arrestimet e radhës

Gazetari Almer Toska ka zbuluar në një studio televizive se ka skenarë ndërkombëtarë që mund të çojnë në shtyrjen e zgjedhjeve të 11 majit...

12 ide se çfarë duhet të bëni për Shën Valentin

A ka rutina e përditshme një tërheqje për intimitet?  Këtu janë 12 ide për ta bërë mbrëmjen e Shën Valentinit me të vërtetë të veçantë...

Nënpresidenti Vance paralajmëron Evropën për lirinë e shprehjes dhe imigrimin

Nënpresidenti amerikan, JD Vance e ka shfrytëzuar fjalimin e tij në Konferencën e Sigurisë në Munih, më 14 shkurt, për të paralajmëruar që liria...

Lajme të tjera

Web TV