Kryetarja e bashkisë së Prrenjasit, Miranda Rira përmes një statusi në facebook, ka reaguar lidhur me letrën e Vilma Nushit publikuar pak ditë më parë, nga Turqia ku edhe po kurohet nga koronavirusi.
“Thuaj shyqyr që jeton në Shqipëri se të ishe ne një vend tjetër, nuk do ishe ne spital, por në një vend tjetër tani!”, i është drejtuar Nushit publikisht kryebashkiakja.
“Vilma, tu bëfsha unë ty!”, duket se i drejtohet me ironi Miranda Rira.
STATUSI I PLOTË
Na qënka mërzitur Vilma Nushi!! Madje, na paska shkruar dhe një letër!!
Emrin e Vilmës, se kisha dëgjuar kurrë më parë! Por tani, si gjithë shqiptarët, të gjithë e dimë se Vilma Nushi rrëmbeu plot 120 milionë euro, për të famshin check up, një nga koncesionet PPP, më të dyshimta të qeverisë Rama 1.
Vilma, tu bëfsha unë ty!
Janë 120 milionë euro, sjanë gorrica, as dardha, jane miliarda lekë të marra nga xhepat e shqiptarëve, e që përfunduan në xhepin tënd, në xhepin e ish ministrit Beqaj dhe në xhepin e shefit të Beqajt!
Plot 120 milionë euro nga check up, plus 738 tendera të marrë nga firma TRiMED shpk, që dikur e kishe ti dhe tani njerëzit e tu, janë shumë para, që mi ke marre mua dhe mijëra shqiptarëve të tjerë! Prandaj, mos na bej moral se na hape barkun me ndërgjegjen tende të vrarë!
Thuaj shyqyr që jeton në Shqipëri se të ishe ne një vend tjetër, nuk do ishe ne spital, por në një vend tjetër tani!
Me 120 milionë euro do të ishin ndërtuar të paktën 60 spitale të mira në 60 bashkitë e vendit. Eja në spitalin e Prrenjasit, e gjithë bashkia prej 40.000 banorësh ka një spital katrahurë, ku urgjenca nuk ka shtretër, ku gratë lindin në dhoma të ftohta e pa perde, ku tualetet janë shembur e janë jashtë funksionit, ku dhomat e mjekëve nuk kanë kushtet minimale. Nuk ka para për një spital të ri në Prrenjas, edhe pse ai ju eshte premtuar prej dy dekadash banorëve të këtij qyteti.
Nuk ka para për spital të ri, sepse ato i more ti për check up in tënd, i more me një dorë të vetme!!
Nuk kishte para dhe nuk ka para për mjekët që po luftojnë në vijën e parë me virusin vdekjeprurës, sepse gjithë ato para i more ti me ministrin Beqaj dhe shefin e Beqajt! Ik Vilma, ti shko ne Turqi, ndërsa shqiptarët të vdesin këtu me shëndetësinë falas të Beqajt!!
Ik Vilma dhe rri e qetë se milionat e shqiptarëve i ka “perandoria” jote. Ironi e madhe! Paska dhe drejtësi në kete botë!!