Këtë javë OFL ka shkuar në Durrës e Tiranë dhe kërkon që të plotësohet formulari i deklarimit të pasurisë nga 5 të dënuar për trafik të lëndëve narkotike, Pjesëmarrja në organizatë kriminale dhe vjedhje me armë. Ata janë: Erneo Farruku, Ahmet Alla, Edison Alhasa, Dritan Gjata dhe Ardian Sula.
NJOFTIMI I PLOTE
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
E. F., me banim në Durrës, i dënuar në Spanjë për veprën penale “Trafik droge” kryer në bashkëpunim dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”;
A. A., me banim në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”;
E. A., me banim në Tiranë, i dënuar për veprën “Vjedhja me dhunë”;
D. Gj., me banim në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”;
A. S., me banim në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
la.mi/Fjala.al