Roland Qafoku: Rama kërkon një mandat të tretë për të mbetur në histori

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Vjeshta politike duket se do të jetë e ashpër, ku nuk do të ketë vetëm deklarata të forta mes kundërshtarëve, por edhe një “lojë shahu” për të fituar në tavolinë banuse që më vonë mund të përkthehen në çelës fitoreje në zgjedhjet e ardhshme; dy prej tyre janë Kodi Zgjedhor, sipas marrëveshjes së 5 qershorit, por edhe ndryshimet kushtetuese. Si parashikohet të veprojnë palët në Këshillin Politik? 

Jemi të gjithë koshientë që i rëndësishëm në Shqipëri është aspekti politik dhe jo ai teknik. Palët vijojnë të qëndrojnë ekstremisht larg njëra-tjetrës edhe për çështje të rëndësishme kombëtare. Janë armike të shpallura publikisht dhe tashmë jemi të bindur që, edhe kur të jetë PD-ja në pushtet, kështu do të sillet edhe PS-ja, sepse kështu është sjellë PD-ja. Është një sjellje që lidhet me mosbesimin ndaj kundërshtarit politik dhe kjo është tipike një sjellje otomano-lindore dhe aspak normale për një shoqëri demokratike. Ndërkohë që vjeshta do të jetë e mbushur me ngjarje dhe situata që më shumë do të kenë në qendër të vëmendjes situatën e pandemisë. Shqipëria pritet të kalojë një stinë ankthi që, për dreq, këtij vendi nuk i janë ndarë. Vjeshta do të përcaktojë vijueshmërinë e situatës në vend, nëse pandemia do të agravohet apo do ta ulë kurbën e saj. Po ku pyesin politikanët tanë për pandemi! Ata janë gati të përleshen me njëri-tjetrin për pushtet në mes të pandemisë, dhe nuk duan t’ia dinë, nëse situata është e tillë. Jemi përpara zgjedhjeve dhe politika shqiptare po mendon pikërisht për to, dhe jo se ç’do të ndodhë me pandeminë. E keni vënë re si sulmohen politikisht mjekët? Këtu nuk bëj dallime PS e PD. Kështu ka bërë edhe PS-ja dhe kështu bën edhe PD-ja. Ky është një turp. Ata mjekë mund të kenë edhe defekte, por për një gjë jemi të bindur, që janë heronjtë e kësaj situate. Politika bën vetëm kalkulime për zgjedhjet. Ndryshimet kushtetuese tashmë janë fakt dhe përballë këtij fakti të gjithë kuptojmë që tensioni i situatës sa vjen dhe shtohet. Ç’do të ndodhë? Çdo gjë. Mund të kemi edhe konsensus. Mund të kemi edhe trazira politike, mund të mos kemi asgjë. Jetojmë në Shqipëri. Çdo gjë mund të ndodhë.

 

 

Ndërsa forcat politike janë në lojë, kemi thuajse në mënyrë permanente edhe përplasjet e kreut të shtetit me qeverinë. A do të ndikojë edhe ky “konflikt” me ulje ngritje edhe në frymën e fushatës së ardhshme zgjedhore? 

 

Pa diskutim që po. Jemi në të njëjtën situatë, si edhe përpara pandemisë. Presidenti i Republikës është diga e vetme reale që e shqetëson dhe e çarmatos mazhorancën. Po marr aspektin e komunikimit. Dukshëm kryeministri Edi Rama dhe kombinati i tij i komunikimit e fiton lehtësisht betejën e tij me opozitën. Ndërsa kur vjen puna me presidentin, komunikimi ka shumë kërcitje. Ne nuk mund të harrojmë që një ditë Rama thotë publikisht se Meta është presidenti më i mirë që kemi pasur. Servilët mediatikë rreth tij u bien tam-tam-eve me shkrime, opinione në banakët e televizioneve se më të mirë se Ilir Meta nuk ka pasur. Por një ditë tjetër po Rama thotë që Meta jo vetëm është presidenti më i keq, por ai duhet të mbetet në histori si një president i shkarkuar për shkelje të Kushtetutës. Një ditë tjetër akoma thotë se Meta ka gabuar por “ne si mazhorancë po i tërheqim vërejtje”. Servilët mediatikë mbeten pa punë. Këto tregojnë se sa në vështirësi e vë Ramën Ilir Meta si president dhe, sigurisht, edhe si lojtar politik. Vetëm ky aspekt tregon se sa të vështirë do ta ketë kjo mazhorancë ndaj presidentit Meta jo në fushatën elektorale, sepse presidenti nuk bën fushatë, por me përplasjet e krijuara, për shkak të parimeve kushtetuese. Rama e di mirë që paqja është beteja më e mirë me Metën. Tërheqja e tij nga shkarkimi e konfirmon këtë.

 

Duke marrë në konsideratë gjendjen në të cilën ndodhet vendi, i ndikuar edhe nga pandemia apo nga pasojat e rënda të tërmetit tragjik të vitit të kaluar, a pritet që këta dy faktorë të ndikojnë edhe në zgjedhje? 

 

Pa diskutim po. Pandemia po ndikon në SHBA, e jo më në Shqipëri. Pandemia ka sfilitur shtetet më të pasura të rruzullit e jo më Shqipërinë tonë, që mezi mbahet edhe në kohë me diell, edhe në kohë me shi. Pandemia do të ndikojë shumë në zgjedhje, edhe në rezultatin e tyre. Por dua të shtoj se ky ndikim do të jetë si ndaj qeverisë, ashtu edhe ndaj opozitës. Të gjithë do ta votonin me të dyja duart opozitën, nëse do të ishin të bindur se kjo opozitë ka aftësinë ta zhdukë virusin COVID-19. Në këtë situatë rreziku më i madh është braktisja e votimit.

 

Në të gjitha rastet, duke marrë në konsideratë të shkuarën, e cila thuajse ka qenë identike, a do të shkojnë palët drejt një konfliktualiteti të dukshëm dhe në fund të duhet ndërhyrja ndërkombëtare për “marrëveshje të orëve të fundit”, apo këtë herë ndërkombëtarët po vënë në provën finale klasën tonë politike, për të parë deri ku mund të arrijë?

 

Ndërkombëtarët janë lodhur me Shqipërinë. Ne duhet të kishim vite që duhet t’i kishim zgjidhur vetë punët tona, por vijojmë më sindromin “Po amerikanët dhe gjermanët çfarë thonë”. Në situatën që po kalon BE-ja dhe SHBA-ja, pak gjasa ka që ata të kenë orekse për t’u marrë me pajtimin e Edi Ramës me Lulzim Bashën. Ata e kanë provuar këtë më parë dhe përsëri ajo marrëveshje po sjell nevojën për një marrëveshje të re. Po pse luftë botërore është kjo, që ndërkombëtarët të merren me shqiptarët?

Lexo edhe :  Opozita kundër Ramës për mbylljen e AKU: Një goditje e rëndë

 

Përtej logove apo formacioneve politike, cili pritet të jetë roli i liderëve apo individëve më influentë politikë, si Rama, Basha, Meta dhe Veliaj?

 

Mendoj se Edi Rama dëshiron shumë të fitojë një mandat të tretë. Madje, në raport me Lulzim Bashën, ai jo vetëm dëshiron, por edhe i ka ndezur të gjithë motorët e pushtetit që të qëndrojë në pushtet edhe 4 vite të tjera. Këtë e bën për shumë arsye, por një prej tyre është për të mbetur në histori si i pari kryeministër shqiptar që fitoi tri madate dhe qëndroi në detyrë 12 vjet. Në historinë e shtetit shqiptar mes 33 kryeministrave ai gjithashtu hyn si kryeministri i dytë më jetëgjatë pas Mehmet Shehut, i cili qëndroi në detyrë 27 vjet, 9 muaj e 28 ditë. Nëse merr mandatin e tretë, Rama do të lërë pas Enver Hoxhën që qëndroi në detyrë 9 vjet, 9 muaj e 26 ditë dhe Adil Çarçanin 9 vjet, 1 muaj e 6 ditë. Ndërkohë që vijueshëmria e pushtetit është arsyeja kryesore. Rama nuk ka më orekse dhe zelle që pas 8 viteve në pushtet të bëjë edhe 8 vjet në opozitë për t’u kthyer përsëri në pushtet. Kjo është arsyeja që Rama kërkon vijueshmërinë e pushtetit për të mbyllur edhe karrierën e tij në politikë në moshën 61-vjeçare, nga të cilat 27 vjet në politikë. Nga këto 12 vjet kryeministër, 11 vjet kryetar i Bashkisë së Tiranës, 2 vjet ministër i Kulturës dhe më e rëndësishmja vetëm 1 vit e gjysmë në opozitë, si kryetar i PS-së. Një bilanc të tillë do ta kishte zili çdokush.

 

Lulzim Basha është përballë provimit më të rëndësishëm poltik në jetën e vet. Zgjedhjet e vitit 2021 do të jetë vendimtare për të dhe do të përcaktojnë edhe të ardhmen e tij politike. Pas 8 viteve në opozitë, PD-ja mund të kthehet në pushtet dhe do të jetë ai kryeministër. Të paktën rregulli i pashkruar i politikës shqiptare kështu e ka dashur. Po a vlen rregulli i pashkruar? Çfarëdo që të ndodhë, Basha do t’i përmbysë parashikimet. Nëse fiton zgjedhjet dhe bëhet kryeministër, do të përmbysë parashikimet e atyre që thanë se nuk do të bëhet. Por edhe nëse nuk i fiton zgjedhjet, do të përmbysë parashiket e atyre që ëndërronin se do t’i vinte radha. Prandaj 46-vjeçari do të ketë provimin e jetës në zgjedhjet e vitit 2021. Një provim që do të përcaktojë shumë fatin e tij: ose ylli i tij politik do të ngjitet në majë, ose do të shuhet.

 

Ilir Meta do të vijojë të jetë president i Pepublikës deri në vitin 2022. Personalisht, këtë parashikim kam bërë vetë dhe më vjen mirë që doli i saktë dhe ai nuk u shkarkua. Meta do të vijojë të jetë qendra e rëndesës së opozicionit ndaj kësaj mazhorance dhe do të jetë vendimtar madje, më shumë se e gjithë opozita. Meta ka treguar i vetëm se di të bëjë beteja politike, të fitojë me to dhe të jetë këmba e tretë e perustisë në politikën shqiptare. Tashmë, në një moshë të maturuar, ai i njeh shumë mirë kulisat, lëvizjet dhe, më e rëndësishme se kaq, e njeh Ramën në pushtet dhe në opozitë. Ia di instinktet, nuhatjet dhe stilin se si funksionon. Kështu që parashikoj se çfarëdo që të ndodhë, Meta do të jetë faktor i rëndësishëm në çdo vendimmarrje.

 

Aktualisht Erion Veliaj ndodhet në syrin e ciklonit të opozitës. Në një javë aktivitet politik, përfaqësuesit e opozitës bëjnë më shumë deklarata, statuse, komente, video, editoriale kundër Erion Veliajt sesa edhe vetë Edi Ramës. Mua më ngjan si momenti kur PS-ja e vuri Lulzim Bashën në syrin e ciklonit, kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Po përse ndodh kjo? Sigurisht edhe për faktin se Veliaj është kreu i bashkisë më të rëndësishme në vend, por edhe pse është një nga njerëzit më të pushtetshëm. Por ama më e rëndësishmja fare është se Veliaj është e ardhmja e drejtimit të Partisë Socialiste. Ata që e sulmojë sot, do ta kenë kundërshtatrin numër një politik nesër dhe ata që e mbështesin sot do ta kenë shefin e tyre politik nesër. Për natyrën e politikës shqiptare, kjo është normale, sepse në të tilla beteja janë farkëtuar figurat më të rëndësishme, si Sali Berisha, Fatos Nano, Edi Rama. Nuk mund të bëjë përjashtim as Veliaj. Zgjedhjet e vitit 2021 do të jenë të rëndësishme për të, sepse Tirana është “Stalingradi” shqiptar i zgjedhjeve. Dhe në rast se PS-ja fiton, pa diskutim që fitorja do t’i dedikohet kryebashkiakut. Por nëse humbet sigurisht që Veliaj do të humbasë shumë kuota. Megjithatë, fiton apo humbet, këtë nuk mund ta parashikojmë dot sot, por ama një gjë është e sigurt, që pasardhësi i Edi Ramës në drejtimin e PS-së do të jetë Erion Veliaj.

Të fundit

Ekipet shqiptare në Europë: Egnatia dominon, fiton edhe Drita e Kosovës

Egnatia fitoi sot 1-0 në nisjen e rrugëtimit të saj në UEFA Champions League. Kampionët e Shqipërisë u përballën...

“Arrestuat ketrin, jo klientët e Epstein”/ Elon Musk shpërthen kundër Trump

Elon Musk ka ndezur një valë të re polemikash pas një postimi të ashpër dhe ironik në platformën e tij X (ish-Twitter), ku sulmoi...

Merkato, Igli Tare po ndjek dy emra në kampionatin anglez

Milan synon të përforcohet jo vetëm në mesfushë këtë merkato ku po ndiqen emra si Granit Xhaka, Ardon Jashari, Javi Guerra e ndonjë tjetër,...

“Salianji është kurban i Berishës, ai është i përdorur”

Pas 9 muaj e gjysmë në burgun e Fierit ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji i cili u dënua për kallëzim të rremë, si...

Ardian Ismaji ndryshon ekip, zyrtarizohet te Torino!

Futbollisti nga Kosova që luan për kombëtaren e Shqipërisë, Ardian Ismajli është bërë me skuadër të re. Mbrojtësi shqiptar është prezantuar te skuadra e...

Lajme të tjera

Web TV