Një infermier i spitalit “Amerikan 3”, është dënuar me 2,5 vjet burg, pasi i vuri doktorit të këtij spitali GPS-në në makinë për t’i mësuar shtëpinë, me qëllim t’ia vidhte. Në vendimin që gazeta “Fjala” e disponon, infermieri, tashmë i dënuar nga togat e zeza të kryeqytetit, ka treguar të gjithë dinamikën e ngjarjes, se si e vendosi telefonin e tij personal në gomën e makinës së mjekut, si dhe emrin e bashkëpunëtorit të tij.
Nga Elvis Myrta
Serxho Qyta, me profesion infermier dhe shoku i tij, Marjan Gjonpalaj, janë dënuar me nga 2,5 vite burg, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin planifikuan të vidhnin shtëpinë e mjekut kardiolog Bekim Jaka. Togat e zeza të kryeqytetit i gjetën fajtorë dy të rinjtë, duke i dënuar ata me 5 vite burg në total, për akuzën e sigurimit të mjeteve për vjedhje, kryer në bashkëpunim. Sipas vendimit të gjykatës, Qyta dhe Gjonpalaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin, planifikuan vjedhjen e banesës së mjekut Bekim Jata, i cili punon si kardiolog në spitalin “Amerikan 3”. Nga hetimet rezulton se Qyta, që punonte në të njëjtin spital me mjekun, i ka vënë atij në gomën e automjetit një celular me GPS, me qëllim për të mësuar adresën e banesës së tij. Pasi të mësohej lagjja dhe vendi ku banonte doktori, do të kryhej edhe vjedhja, e cila do të bëhej nga Marjan Gjonpalaj.
Ky i fundit në këtë proces u gjykua dhe u dënua në mungesë. Gjatë këtij procesi, inferimieri Serxho Qyta kërkoi të gjykohej me gjykim të shkurtuar, por gjykata e rrëzoi këtë kërkesë, pasi provat janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe vepra është kryer në bashkëpunim me të pandehurin Marian Gjonpalaj, avokati i të cilit gjatë gjithë procesit pretendoi se klinti i tij ishte i pafajshëm. Sipas gjykatës, veçimi i akteve do të dëmtonte gjykimin e çështjes. Në këto kushte, ky procedim u zhvillua me gjykim të zakonshëm. Në përfundim të këtij procesi gjykata vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë, për dënimin e dy të rinjve, pasi akuzat ndaj tyre janë provuar si gjatë hetimeve parprake, ashtu edhe gjatë seancave gjyqësore.
Sipas gjykatës, Serxho Qyta dhe Mariaj Gjonpalaj veprimet i kanë kryer me dashje direkte dhe kanë qenë të përgjegjshëm dhe në dijeni se veprimet e tyre janë të kundërligjshme. Si gjatë hetimit, ashtu edhe gjatë gjykimit nuk ka rezultuar se dy të rinjtë kanë qenë të papërgjegjshëm për të kuptuar se po shkelnin ligjin, pasi i pandehuri Serxho Qyta ka venë telefonin e tij në makinën e doktorit Bekim Jaka, me qellim që të gjente adresën e shtëpisë së tij me anë të internetit, dhe më pas persona të tjerë të shkonin dhe të vidhnin shtëpinë e tij.
Dosja
Në lidhje me këtë çështje nga hetimet ka rezultuar se më datë 05.10.2019, rreth orës 14:00, në rrugën “Sulejman Delvina”, shtetasi Bekim Jaka, me profesion mjek kardiolog, pranë spitalit “Amerikan 3”, ka parkuar mjetin, në anë të rrugës, pranë hotel “Diplomat 1”. Ai është ulur në një lokal pranë spitalit ku punonte dhe ka qëndruar aty rreth 45 minuta. Pasi ka konsumuar kafenë, Jaka ka shkuar drejt mjetit të tij, dhe mbi rrotën e parë të pasagjerit, në pjesën e mbulesës plastike, poshtë parafangos, ai ka konstatuar një send të mbështjellë me natriban. Jaka e heq sendin nga goma e makinës dhe e hedh në rrugë. I shtyrë nga kureshtja, ai e hap mbështjellësen, ku vëren një aparat celular të markës HUAWEI.
Pas këtij momenti, ai ka lajmëruar autoritetet për celularin që gjeti në rrotën e makinës së tij. Ata shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisën menjëherë hetimet. I pandehuri, Serxho Qyta, i cili i pa nga larg të gjitha veprimet e mjekut, pasdite ka shkuar të takojë mjekun dhe i ka treguar se ishte ai që i kshte vendosur telefonin te rrota e makinës. Mjeku lajmëroi policinë, e cila bëri të mundur arrestimin në flagrancë të infermierit Serxho Qyta. Pas shoqërimit në komisariat, përpara hetuesve, Qyta ka treguar gjithçka dhe planin që ai kish thurur me shokun e tij për vjedhjen e banesës së doktor Jakës. Në dëshminë e tij, e përdorur si prova kryesore gjatë këtij procesi, ai ka thënë se telefoni i gjetur poshtë autmjetit të doktor Bekim Jakës, ishte telefoni i tij personal, dhe se e kishte vënë aty me GPS të ndezur, me qëllim që të mësonte shtëpinë e tij. “Unë këtë veprim e kam bërë, pasi një shoku im, që thirret me emrin Marjan Gjonpalaj, më ka tha që të gjeja një doktor me lekë dhe t’i vidhinim shtëpinë, pasi ai kishte një vëlla në burg dhe i duheshin para.
Ndeza GPS-në e telefonit tim dhe e vendosa në gomën e atomjetit të doktor Jakës, për të parë se ku banonte. Marjani më dha 5000 lekë të reja që të blija një GPS. Paratë e marra nga ai i mbajta vetë dhe vendosa telefonin tim, brenda të cilit ishte numri im personal”, ka thënë infermieri në dëshminë e tij. Gjithashtu, në dëshminë e tij Qyta ka thënë se bashkëpunëtori i tij është duke e pritur për t’i treguar vendodhjen e shtëpisë së Jakës. “Dua të shtoj se Marjani tani që unë po jap deklarime përpara jush, po më pret që të shkoj ta takoj për t’i thënë se çfarë kam bërë në lidhje me gjetjen e shtëpisë së doktorit”, është shprehur ai.
I pandehuri Serxho Qyta në deklarimet e tij përpara OPGJ-së, është shprehur se me të pandehurin tjetër kishte një javë që nuk ishte takuar, por vetëm kishte komunikuar me mesazhe. “Me Marjanin kam një javë që nuk jam takuar nga afër. Kohët e fundit kemi komunikuar me sms në whats’app, emrin e të cilit e kam regjistruar “X”, e ka mbyllur dëshminë e tij përpara oficerëve të policisë gjyqësore. Pas marrjes së dëshmisë, grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë të spitalit “Amerikan 3”, dhe nga këqyrja e tyre evidentohen të gjitha veprimet e të pandehurit Serxho Qyta pranë automjetit të shtetasit Bekim Jaka. /Ra.My.Fjala.al/E