AIDSSH: STASI kontrolloi për Martin  Camajn, Rama: Nuk ishte agjent 

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Autoriteti i Hapjes së Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit zbardh dosjen e plotë të studiuesit Martin Camaj dhe kërkon ndihmën e dokumenteve të ish-STASI-t në Gjermaninë Lindore. AIDSSH del në përfundimin se studiuesi Camaj nuk ishte agjent apo poliagjent. Gazeta “Fjala” publikon materialet survejuese mbi Camajn gjatë gjithë jetës. Kryeministri Edi Rama jep vlerësime për Camajn dhe thumbon ashpër studiuesit që, sipas tij, shpifin. Materialet e publikuara nga Auron Tare trazojnë dosjen e madhe të ish-Sigurimit të Shtetit.

 Nga Alessia Selimi 

“Kur të vdes le të bahem gur, në skajin e vendit tem të qindroj kufi.” Kështu mbyllet poezia “Vendit tem” e Martin Camajt, me dëshirën për t’u identifikuar me tokën e tij. Sepse prej saj rridhte jeta fizike, mendore dhe shpirtërore e këtij krijuesi të veçantë në letërsinë dhe kulturën shqiptare: nga vatha, mrizi, stani, delja, dhia, ara, lumi, qielli, ajri, reja dhe mali. Dje Martin Camaj nuk ishte vetëm një “kufi i heshtur”, qoftë ai edhe në tokën mëmë. Autoriteti i Hapjes së Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) mbajti një takim prezantues që tërhoqi edhe vëmendjen e kryeministrit Edi Rama, për të marrë pjesë dhe mbajtur një fjalim.

Ndoshta askush mund të mos ishte kujtuar për Camajn, edhe pse ai mbetet ndër studiuesit më të mirë në vend, por një shkrim dhe analizë e Auron Tares, pak javë më parë, hapi debate thelbësore. Tare solli dokumente që, sipas tij, vërtetonin se Camaj ishte agjent i Sigurimit të Shtetit, por më pas, në jetën aktive, agjent i shumëfishtë, duke shkuar nga UDB-ja deri te CIA. Në konferencën e mbajtur në Pallatin Presidencial nga Autoriteti i Dosjeve (AIDSSH), u pohua pikërisht kjo gjë, se nuk ka prova që vërtetojnë se Martin Camaj, “armiku” i regjimit komunist, ka qenë agjent i shumëfishtë.

AIDSSH bëri me dije se ka marrë përgjigje negative pas kërkesës zyrtare pranë Autoritetit Gjerman për hapjen e dosjeve të STASI-t (ish-Shërbimi Sekret i Gjermanisë Lindore), për vënie në dispozicion të të gjitha materialeve që zotëronte arkivi i tyre për Martin Camajn dhe katedrën e albanologjisë në Universitetin Ludvig Maximilian, të Mynihut. Homologët gjermanë nuk zotërojnë asnjë dokument për prozatorin, studiuesin dhe gjuhëtarin e formimit akademik. Ata gjithashtu kanë asistuar me ekspertizë për sa i takon trajtimit të kësaj figure intelektuale të survejuar nga Sigurimi i Shtetit, dhe jo vetëm, duke krahasuar e ballafaquar faktet me kontekstin përkatës, historik, social dhe politik. Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, deklasifikoi disa prej dosjeve.

Dhe Agjencia Qendrore e Inteligjencës, e njohur si CIA, deklasifikoi një pjesë të arkivit të saj. Në këto kushte, letrat rreth Martin Camajt dhe Ernest Koliqit do të përbënin pashmangshmërisht objekt studimi. E mira dhe e keqja, si dy nocione të gjera që mbartin subjektivitet, shihen të lidhura ngushtë te njeriu, aq më tepër te njerëzit e mëdhenj, të cilëve u vjen për shtat përqafimi i të dyjave. Kësisoj, Martin Camaj u anatemua atje ku ndodhet,  larg lavdeve dhe çmimeve. Sepse u arratis nga Shqipëria. Megjithatë, largimi i tij nga Shqipëria përkon me disa ngjarje të rëndësishme në kontekstin e Luftës së Ftohtë. Asokohe Shqipëria prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe kjo e fundit u nda nga influenca e Stalinit. Ndërkaq, Perëndimi dhe Lindja komuniste ndodheshin në kulmin e acarimit të marrëdhënieve dhe “perdja e hekurt” kishte marrë jetë.

Ndarja e Lindjes dhe Perëndimit në Ballkan nisi në tetor 1944, kur Stalini dhe Çurçilli hartuan Marrëveshjen e Përqindjes. Në konferencë studiuesi Erald Kapri hodhi dritë mbi ato vite, gjithnjë duke iu referuar historisë, dhe doli në përfundimin se dy elemente thelbësore mbi aludimin se Camaj ishte në shërbim të UDB-së (si punësimi në Radio Beogradi dhe pjesëmarrja e tij në Komitetin e Prizrenit), nuk janë aspak të vërtetë. “Fillimisht, regjimi i Titos qëndroi indiferent ndaj tyre, më pas një pjesë e madhe e mblodhi në kampe, një pjesë u sistemua në ferma të vogla, kryesisht në Kosovë, ndërsa më të kualifikuarit në punë të tjera.”

Duket se këtu nisi rrugëtimi i Camajt si mësues në fshatrat shqiptare të Malit të Zi. Në ato vite nevoja për mësues ishte e madhe, ai s’bëri gjë tjetër veçse përfitoi nga kjo politikë liberalizuese e Titos, për të nisur studimet në Beograd. Studiuesi Kapri u ndal gjithashtu te pjesëmarrja e pretenduar e Camajt në atë që njihet në histori si Komiteti i Prizrenit (Organizata Bashkimi i Emigrantëve Politikë Shqiptarë). Referuar informacioneve operative të CIA-s, organizata kishte për synim organizimin e të gjithë shqiptarëve të arratisur në Jugosllavi me qëllim rrëzimin e pushtetit të Hoxhës, kundrejt premtimit se Jugosllavia do të respektonte sovranitetin e Shqipërisë.

“Sipas të njëjtave dokumente, rekrutimi fillestar i të gjithë anëtarëve të kësaj organizate, ishte me forcë. Martin Camaj nuk ndodhej në 1951 në Prizren, në formimin e kësaj organizate dhe në të gjithë dokumentacionin e formimit të saj, mes qindrave emrave të anëtarësuar, emri i tij nuk ndodhet. Kjo për shkakun e thjeshtë se po studionte në Beograd dhe jugosllavët nuk kishte interes për një mësues, por për të tjerë shqiptarë që ishin mësuar me armët, profil ky që nuk i përshtatej Martin Camajt”, tha Kapri, i cili u përpoq gjithashtu t’i japë përgjigje pyetjes se përse emri i poetit del i lidhur me këtë komitet. Dokumenti operativ i CIA-s, ku bazohet ky aludim, u përket dosjeve operative të CIA-s. Ai thekson se informacionet janë të papërpunuara, për vetë faktin se CIA bën një saktësim të rëndësishëm metodologjik në dokumente.

Interpretohet dhe përkthehet se Camaj ishte anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Prizrenit. Por është qartësisht një keqpërkthim, ndoshta me qëllim, pasi të qenit anëtar dhe ekzekutiv nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ironikisht, i njëjti dokument saktëson disa paragrafë më sipër të gjithë kupolën drejtuese të Komitetit të Prizrenit, dhe Camaj nuk figuron gjëkundi.” Largimi i Camajt nga Jugosllavia përkon sërish me një ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare: ardhja në pushtet e Nikita Hrushovit normalizoi marrëdhëniet me Titon, çka jugosllavët humbën interesin ndaj Shqipërisë.

Lexo edhe :  Arlind Qori apo Agron Shehaj/ Kush është klikuar më shumë nga liderët e partive të vogla?

“Camaj mbërriti në Itali në kohën kur miku i tij, Ernest Koliqi, ishte pjesë e një plani të rëndësishëm të amerikanëve, në përpjekjen e fundit për të tentuar rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. Operacioni OBTURATE i CIA-s, i cili është deklasifikuar, por nuk ndodhet on line, përmban emrat e të gjithë shqiptarëve që u përfshinë në të, por emri i Camajt nuk ndodhet aty. Qartësisht, interesi i Camajt ishte vetëm puna e tij studimore dhe Koliqi e ka respektuar maksimalisht”, tha Kapri, duke shtuar se në vitin 1957, përmes një fondi sekret të CIA-s, ku mbështeteshin botime dhe intelektualë të shumtë në Perëndimin antikomunist, u financua revista Shejzat, e drejtuar prej Koliqit dhe Camajt.

Prej gjithçfarë u tha dhe u argumentua në tryezën e mbledhur nga AIDSSH, jeta e Martin Camajt nuk ishte ajo e një superspiuni, por e një studiuesi dhe shkrimtari, deri në ditët e fundit të jetës së tij. Fatkeqësisht, ai mbeti peng i një firme, pa produkt agjenturor, teksa veprimtaria e tij letrare dhe albanologjike u la për pak javë në harresë.

“Martin Camaj, agjent i shumëfishtë”, Rama: studiuesit përkthyen shpifje 

 Ndonëse nuk e përmendi asnjëherë emrin e Auron Tares, kryeministri Rama në fjalën e tij lëshoi kritika për të gjithë studiuesit që jepen pas disa dokumenteve dhe përkthimeve, duke i interpretuar me “djallëzi”…. “Studiuesit nuk janë studiues, nuk i hyjnë thellë studimeve, në vend që të përkthenin në shpifje ato që kanë marrë nga dosja e survejimit, të merreshin me shkodimin e mesazheve nëpër rreshta që lë Martin Camaj”, tha fillimisht Rama. “Është e papërballueshme lehtësia me të cilën një masë gjithmonë e më e madhe njerëzish që janë askush, që janë të destinuar të mbeten askush, kërkojnë të jenë të tillë, duke guxuar të prekin deri aty ku gjenden dikush-ët, për të cilët De Rada thoshte: Engjëjt që e bëjnë gostinë më vete!”, vijoi Rama duke shtuar se prishja e  këtij rendi dhe përpjekja e shfrenuar e një luzme pseudosh, meriton të luftohet pa u dorëzuar. “Është një detyrim jo vetëm ndaj Martin Camajt por ndaj vetes, shoqërisë dhe ndaj vendit.” Kryeministri shtoi se: “Ishte tipik intelektual që braktis atdheun, por me t’u ngulur diku, kur s’ishte më i ri në moshë, e kuptoi se e kishte të pamundur të lëshonte rrënjë në tokë të re, sepse e përndiqte nostalgjia për vendin e vet.”  Ndërkohë, Rama preferon ta krahasojë Camajn me një zog shtegtar, të panënshtruar ndaj motit të keq, dhe në kërkim të një moti të ngrohtë, që nuk e gjeti dot dhe e kërkoi nëpërmjet gjuhës shqipe te vargjet dhe rreshtave e librave të tij.

Kush ishte Martin Camaj 

Martin Camaj lindi në Temal të Dukangjinit, në  13 korrik të vitit 1925.  Ishte i biri i Kolë Camajt, njëherësh bari e bujk. Tereza, e ëma, ishte nga Shllaku, (Vukaj). Martini lindi i treti ndër shtatë fëmijë. Në vendlindje kaloi dhjetë vitet e para të jetës së tij. Nis të fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe matematikë, i bie në sy ish-pagëzuesit p. David Pepës (OFM), i cili ndërmjetëson pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe përgatitjen – pse jo – për meshtari. Në vitin 1935  ai vendoset përfundimisht në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë Kolegjit Jezuit Saverian, ku kaloi edhe tuberkulozin.. Rektor i kolegjit, pader Giuseppe Valentini SJ, tregon se arsimin fillor 5-vjeçar e përfundoi në 4 vjet. Pesë vitet në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për të vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdiq pak vite pasi Martini i vogël u fut në kolegj. Studimet u detyrua t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 – mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës. Themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948. Camaj merrte pjesë në rezistencën kundër partizanëve komunistë me çetën e kapiten Gjon Destanishtës (dhe në gusht qe i detyruar të jetonte në ilegalitet, derisa ia arriti të ikte në Jugosllavi bashkë me atë Daniel Gjeçajn dhe grupin me 36 veta.) Ka mbrojtur me vlerësime maksimale pranë Universitetit të Romës, tezën e doktoraturës mbi “Mesharin e Gjon Buzukut”. Camaj i përqendroi kërkimet akademike në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti në gjuhën e arbëreshëve të Italisë Jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45-vjeçar ka nisur me poezinë, së cilës i mbeti besnik gjithë jetën, edhe pse vitet e fundit u anua më shumë te proza. Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarë shqiptarë./Bl.Ba/Fjala.al

AIDSSH, ja survejimi i veprimtarisë së Camajt nga Sigurimi i Shtetit

Të fundit

Zi në familjen e Albana Vokshit, deputetja e PD humb njeriun e zemrës

Deputetja demokrate Albana Vokshi ka ndarë një lajm të trishtë këtë të martë, se një anëtare e familjes ka...

“Defender Europe 25”/ Forcat aleate të NATO-s zhvillojnë stërvitje në Shqipëri dhe Kosovë

Më 25 maj Shqipëria do të mirëpresë njërën nga stërvitjet më të mëdha ushtarake shumëkombëshe në Evropë, të njohur si “Defender Europe 25”. Kështu ka...

Krizë në Ryanair në Spanjë, kompania u kërkon stjuardesave të kthejnë rritjen e pagës

Ryanair ka kërkuar që disa stjuardesa në Spanjë të kthejnë rritjet e pagave që morën mes tetorit dhe marsit, pas një vendimi gjyqësor që...

“Putin vazhdon të luajë me kohën”, çfarë ka paketa e re e sanksioneve të BE?

Bashkimi Europian ka miratuar paketën e 17-të sanksioneve kundër Rusisë. Paketa e 17-të e masave ndëshkuese përfshin, ndër të tjera, një shtrëngim të mëtejshëm...

Paradoksi politik i 11 majit: Rama rinovoi 64% të partisë, Berisha fshin pluhurat…

Zgjedhjet e 11 majit na shfaqën një paradoks në politikën e vendit tonë. Partia Socialiste, pas 12 vitesh në pushtet, rinovoi 64% të partisë me...

Lajme të tjera

Web TV