“Unë e kisha mik, ai jo mua”, Rama homazh Maks Velos: S’kishte diktaturë ideologjike që e fuste në rresht

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje
“Maks Velo u lind në 31 gusht të 85 vjetëve më parë. Kjo është e para ditëlindje pas ikjes së tij nga kjo botë, ku ai jetoi vetëm me hijen e tij, pa grua, pa fëmijë, pa miq”.
Kështu e nis homazhin e tij kryeministri Rama dedikuar artistit dhe arkitektit Maks Velo. Ndër rradhë Rama shprehet ai e kishte mik Maks Velon por që ky i fundit jo dhe shton që miqtë e tij i kishte gënjyer mëndja se ai mund të ishte miku i tyre.
“Unë e kisha mik Maksin, po jo ai mua dhe më vinte keq për disa si unë, miq të tij, që ngase s’e kuptonin që Maksi s’mund t’i kishte miq, hatërmbeteshin si t’i kishte tradhëtuar, shpërfillur, zhgënjyer. Po ç’faj kishte Maksi që miqtë e tij i kishte gënjyer mendja se ai ishte miku i tyre”, shkruan më tej Rama në postimin e tij.
Rama shkruan dhe për periudhën në burg të Maks Velos e thotë që s’kishte diktaturë ideologjike që e fuste në rresht artistin.
“Edhe jeta e tij, me burgun si një kulmim të saj, ishte një siklet i jetuar me pasionin e dashurisë të shfrenuar mes vetes dhe vetvetes, Maksit dhe hijes së vet. Prandaj edhe s’kishte diktaturë ideologjike a rend normash shoqërore, që e fuste dot në rresht Maks Velon, s’kishte lloj marrëdhënieje të kësaj bote që e mbante dot Maksin lidhur me çfarëdo filli.
Ai ishte një asket, po ama që nuk rrinte dot pa u dukur dhe ishte një ekzibicionist, që ama nuk rrinte dot pa u zhdukur. Maks Velo nuk e duronte dot mungesën e lirisë, po njeri i lirë nuk ishte. Sepse hija e tij nuk i’a lejonte.”, shkruan më tej Rama.
Postimi i plotë i kryeministrit Rama
?HOMAZH
MAKS VELO u lind në 31 gusht të 85 vjetëve më parë. Kjo është e para ditëlindje pas ikjes së tij nga kjo botë, ku ai jetoi vetëm me hijen e tij, pa grua, pa fëmijë, pa miq. Ishin si dy dashnorë xhelozë, që e donin njëri-tjetrin me gjithsej e që grindeshin sa herë dikush hynte në jetën e Maksit apo jeta e tij sillte diçka të re.
Unë e kisha mik Maksin, po jo ai mua dhe më vinte keq për disa si unë, miq të tij, që ngase s’e kuptonin që Maksi s’mund t’i kishte miq, hatërmbeteshin si t’i kishte tradhëtuar, shpërfillur, zhgënjyer. Po ç’faj kishte Maksi që miqtë e tij i kishte gënjyer mendja se ai ishte miku i tyre!
Kur Maksi vdiq nuk arrija dot t’i mbaja mend të qeshurën, as sot që përpiqem t’ia kujtoj nuk ia mbaj dot mend. Është e sigurtë që edhe kemi qeshur, por jo, duket sikur ai është kujdesur të fshijë me penelin e ujshëm çdo buzëqeshje nga akuareli i kujtesës sime për të. Edhe nja dy miq që kam pyetur, nuk e mbajnë mend të qeshurën e Maksit.
Hijen e tij po, e kam para syve dhe qyshse ai vdiq, ajo është e qartë dhe qartësisht shkaktarja e jetës vetmitare, e vuajtjeve të mëdha, e sherreve me miqtë, e xhirove natën nëpër qytet dhe e ikjeve të tij arratiake nëpër botë, e padiskutim është ajo frymëzuesja e artit dhe poezisë së tij. Edhe e shpërthimeve të tij publike, padyshim.
Maksi nuk ishte një talent si ata që e kanë artin në vena dhe ngjyrat, tingujt, fjalët u dalin si fryma që marrin. Kishte sforcim në artin e tij. Figurat e tij kanë një gjymtim sekëlldisës, ngjyrat e tij kanë një pengim lodhës, poezitë e tij kanë një ngërç sfilitës, opinionet e tij kanë një ton çjerrës. Arti i tij është si një pasqyrë e sherrit të xhelozisë mes tij dhe hijes së vet. Edhe jeta e tij, me burgun si një kulmim të saj, ishte një siklet i jetuar me pasionin e dashurisë të shfrenuar mes vetes dhe vetvetes, Maksit dhe hijes së vet.
Prandaj edhe s’kishte diktaturë ideologjike a rend normash shoqërore, që e fuste dot në rresht Maks Velon, s’kishte lloj marrëdhënieje të kësaj bote që e mbante dot Maksin lidhur me çfarëdo filli. Ai ishte një asket, po ama që nuk rrinte dot pa u dukur dhe ishte një ekzibicionist, që ama nuk rrinte dot pa u zhdukur.
Maks Velo nuk e duronte dot mungesën e lirisë, po njeri i lirë nuk ishte. Sepse hija e tij nuk i’a lejonte. Sot, kur ai s’është më dhe ndjej mall për mikun tim të penguar, që mik s’më kishte dot, fryma më lehtësohet nga ideja që së paku ai është ndarë nga hija e vet dhe ka shpëtuar. Nuk e di çfarë do të thotë historia e artit shqiptar për Maksin, po jam i bindur se kushdo do të ndeshet me pikturat e tij, do të pyesë: Kush ishte ky Maks Velo? Hija e tij do të jetë vërdallë, po nuk do të përgjigjet dhe Maksi do vazhdojë të jetojë përmes xhelozisë së saj.
#TëPAHARRUESHËM?/Jo.Be/Fjala.al

Të fundit

Kanabis në mes të pyllit/Asgjesohen rreth 12 mijë fidanë në Shkodër, procedohen 5 persona

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe Komisariatet në varësi të saj, në kuadër të operacionit të gjerë “Koordinata”, kanë...

Vrasja e shqiptares nga ish bashkëshorti në Itali, zbardhët dëshmia e banorëve

Mediat italiane kanë publikuar dëshminë e një banore të Tolentinos në Itali, e cila ka parë skenën e vrasjes së shqiptares, Gentiana Hudhra nga...

Tragjedia që tronditi botën e artit,  piktura “Danae” e Rembrandtit u sulmua me acid

15 qershor 1985 Një nga veprat më të vyera të pikturës botërore, “Danae” e Rembrandtit, u sulmua brutalisht më 15 qershor 1985, brenda sallave të...

“Në PD janë barngrënës, si SMT e kooperativave”/ Berisha të hapë rrugë!

Shkrimtari Agron Tufa thotë se ka ardhur momenti që Sali Berisha të hapë krahun dhe bashkë me njerëzit që mban afër, t’i lënë vendin...

Trump paralajmëron Iranin/ Nëse sulmon SHBA-të, do të përballet me fuqinë e padëgjuar

Donald Trump ka paralajmëruar se çdo lloj sulmi nga Irani ndaj Shteteve të Bashkuara do të përballej me një përgjigje ushtarake “në një shkallë...

Lajme të tjera

Web TV