Romeo Gurakuqi: Pakti i Uashingtonit, një shenjë e mirë, por jo zgjidhje përfundimtare

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Si e konsideroni marrëveshjen Kosovë – Serbi, të firmosur më 4 shtator, në Uashington? A i përmbush ajo pritshmëritë e shqiptarëve? Çfarë fitoi realisht Kosova?

Marrëveshja ekonomike, e arritur në 4 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë, mes Serbisë dhe Kosovës, me ndërmjetësinë e presidentit Trump përbën një hap të mirë të ndërmjetëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Serbisë dhe shtetit të Kosovës. Para intransigjencës së Serbisë zyrtare, për të pranuar pavarësinë, integritetin dhe njohjen e pakushtëzuar të shtetësisë së Kosovës, administrata e presidentit Trump, në kulmin e fushatës elektorale, ka dashur të përmbyllë me një fazë të parë arritjeje, një marrëveshje të negociuar prej disa kohësh prej të dërguarit të posaçëm të saj, Grenell. Në kundërshtinë e patundur të Serbisë, u hoq dorë nga projekti maksimal i një marrëveshjeje përfundimtare të njohjes reciproke mes dy shteteve të pavaruna dhe bisedimet u zhvendosën për hartimin e një Letter of Intent mes palëve që merreshin vesh për krijimin e një detante, së paku njëvjeçare, d.m.th., një periudhe lehtësimi të marrëdhënieve politike mes dy vendeve, duke i përqendruar arritjet ndërmjetësuese, në fushën ekonomike dhe të transportit, ku Serbia më shumë se Kosova është e interesuar të ketë liri dhe të drejta hyrjeje, lëvizjeje dhe komunikimi. Zhvillimi ekonomik dhe i transportit mes dy vendeve do të ketë një garanci politike dhe financiare amerikane, të cilët njëlloj sikurse evropianët, kanë gjetur vështirësi të mëdha me Serbinë e varur ende politikisht nga teoremat e të kaluarës dhe nga përkrahja e Rusisë.

Po Serbia, si doli nga kjo marrëveshje, sipas jush?

E lexuar nga Beogradi zyrtar, presidenti i Serbisë, Vuçiç, ia arriti në një pjesë të mirë të tekstit të marrëveshjes të shmangë referimin shtetëror të Kosovës. Pavarësisht paritetit në dukje, mes dy entiteteve në emërtim, Kosova, shteti që ka nëvojë për t’u afirmuar dhe legjitimuar gjithnjë e më shumë ndërkombëtarisht, nuk u thirr në asnjë pjesë të marrëveshjes me emrin e vet kushtetues. Asterisku i famshëm mbeti ashtu në heshtje edhe më tutje, si një gur i varur mbi kokën e shtetit të dobët Kosovës. Po ashtu, përfshirja në marrëveshje e projekteve të fushën e komunikacionit përbën në Beogradin tradicional veç një lavdërim, për shkak se jo vetëm është e leverdisshme dhe normale për kohën e sotme të botës pa kufij, por përbën edhe një afirmim të kërkesës shekullore të Serbisë për lirinë e lëvizjes pa kusht të mallrave me portet e Adriatikut, në një hekurudhë dhe autostradë të financuar dhe garantuar ndërkombëtarisht. 107 vite pas propozimit të parë të Rusisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në një kohë të re dobësie e çorientimi strategjik të botës shqiptare nga korrupsionistët e dyanshëm, në mënyrë krejt të çuditshme, rikthehet në një tavolinë ndërkombëtare bisedimesh, çështja e lirisë për tranzit të Serbisë nëpër tokat e banuara nga shqiptarët. Ndaj, Vuçiçi kthehet formalisht në Beograd me diçka më shumë sesa me një ruajtje të status quo-së mosnjohëse, pavarësisht se ombrella e garancisë amerikane, në thelb, është një kornizim i papëlqyeshëm për politikanët nacionalistë të Serbisë. Po ashtu, edhe përgjegjësia e Serbisë për gjenocidin në Kosovë dhe zhdukjen e mijëra qytetarëve të Kosovës, u fsheh bukur mirë mes frazave të përgjithshme, që lënë në harresë konceptin e humbjes definitive të legjitimitetit moral të shtetit agresor, për respekt të ndërsjellë në hapësirat ku ka bërë krime lufte.

Çfarë do të thotë për Kosovën njohja nga Izraeli, edhe pse presidenti Trump e etiketoi si shtet mysliman?

Kosovën po e pengon më së shumti mungesa e një klase politike të kualifikuar dhe e një lideri me fuqi të plota dhe formatim të shkollës rugoviane, që do ta kishte udhëhequr në rrugën e vështirë dhe të mundimshme të kthimit në një subjekt të pakontestueshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo u pa edhe këto ditë në Uashington. Ne nuk kishim korrektues në fazën përgatitore të bisedimeve, të frazave dhe gabimeve të diplomatëve ndërkombëtarë. Kishim veç kukulla me letra para, që nuk arrinin të ndiqnin në thellësi kuptimin e termave dhe ishin të gatshëm të firmosnin edhe letra jo të arrira në pikëpamje të terminologjisë. Ata ngjanin se harronin rregullin elementar, se në bazë të Kushtetutës, Kosova është vend dhe shtet laik, evropian, me ndërlidhje themelore kulturore të popullit të saj Albanianism-in. Teza serbe për impostimin strategjik të Kosovës dhe Shqipërisë përtej Evropës, u dëgjua, për fat të keq, dhimbshëm edhe në disa interpretime dhe lexime që iu bënë njohjes reciproke të Kosovës me shtetin e Izraelit. Nuk besoj se ishte lapsus, por rrjedhojë e mosnjohjes faktike dhe se nga pala negociatore shqiptare nuk ishin korrigjuar në kohë përdorimet e pasakta të termave nga diplomatët ndërmjetësues. Kosova u gjend në tavolinë pa diplomatë të aftë për t’u imponuar në termat konceptualë të kësaj Letter of Intent, të nënshkruar në Uashington. Serbia mbeti aty ku ishte me Kosovën, madje tani ndërtoi rrugët legale për daljen ekonomike të projektuar 107 vjet më parë. Përfitimi më i madh ishte njohja nga Izraeli, por që na u ofrua mbrapsht në interpretim. Vuajtje e madhe e dy shteteve shqiptare është kapja e hapësirës politike dhe publike nga gjysmakët e pasuruar dhe “armatosur” me armën e “vrasjes” dhe fshirjes së njerëzve të ekspertizës dhe atdhetarëve evropianistë, që mund ta përfaqësojnë Arbërinë dhe Dardaninë ndryshe në Uashington DC dhe në Bruksel.

Lexo edhe :  Drejtori i Policisë Proda mesazh nga Kakavija për shërbimet kufitare

Bashkimi Evropian nuk duket fort entuziast për këtë marrëveshje dhe vijon punën me negociatat mes dy vendeve, çfarë pritet nga Brukseli? A ishte kjo ndërhyrje e shpejtë e SHBA-së një lëvizje që tregon dështimin evropian në negociatat e stërzgjatura?

A u çlirua Kosova nga vargonjtë pengues të plotësimit të legjitimitetit ndërkombëtar në Evropë dhe a është ajo më afër proceseve integruese në kontinentin e vjetër, njëlloj si vendet e tjera fqinje? Unë mendoj se kjo marrëveshje ka krijuar veç një periudhë të ndërmjetme qetësie për zhvillim dhe për shtensionim të marrëdhënieve të papajtueshme mes dy vendeve, të ndara nga një shekull ngatërresash dhe padrejtësish në dëm të populllit shqiptar në ato anë. Por, fakti që Shtëpia e Bardhë është angazhuar tërësisht në firmosjen e këtij dokumenti mirëkuptimi dhe mbështetjen financiare të pikave të hedhura në këtë letër, është një shenjë shumë e mirë për të ardhmen. Ne kemi ëndërruar përherë bri radios ditën kur SHBA-ja të interesohej dhe angazhohej për ne arbërit e harruar. Dhe kjo ndodh sërish këto ditë, ndonëse me përkufizime jo aq të arrira. Me sa kuptohet, BE-ja ka qenë jashtë negocimit të finalizuar në Uashington DC. Përparimi i metejshëm integrues i Kosovës në Evropë, po pengohet padrejtësisht edhe më tutje nga mosnjohja e saj prej Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë, Qipros dhe Spanjës, shtete anëtare të BE-së. Vendosmëria mohuese dhe mungesa e dashamirësisë dhe e realizmit të këtyre shteteve që kanë qëndruar spontanisht në krah të Serbisë në këtë çështje jetike për stabilitetin e shtetit të ri, po pengon Kosovën të ecë me ritmet e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin integrues në kontinentin e vjetër, të cilit Dardania i përket. Për shkak të kësaj mungese njësueshmërie të politikës së jashtme evropiane, i gjithë procesi evropianizues në Kosovë është i ngrirë, qëndrueshmëria politike e rajonit ende e pasigurt, ndërhyrjet çorientuese të Rusisë në Ballkan dhe Turqisë në Kosovë e Shqipëri, po e vështirësojnë edhe më tutje afrimin e zgjidhjeve definitive dhe natyrale për shtetin e dytë të shqiptarëve dhe stabilitetin demokratik në anët tona.

 

/Fjala.al/Ke.Ba

Të fundit

‘Cila të jetë vallë? Ronela Hajati: Për një këngë nëna nuk më ka folur gjashtë muaj

Ronela Hajati ka qenë e ftuar në “Podcasti Flet” me Ilnisa Agollin, ku ka folur më shumë rreth jetës...

Shqipëria do të blejë pronë në Bruksel/Do shërbejë si seli e misionit shqiptar pranë BE!

Shqipëria do të blejë një pronë në Bruksel që do të shërbejë si seli e Misionit shqiptar pranë Bashkimit Europian. Vendimi është marr sot në...

Kreu i KQZ zbulon si do votojë diaspora në 11 maj: Ja procedurat që duhen ndjekur

Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka zbuluar se në ç’fazë janë përgatitjet dhe si do të duhet të votojnë emigrantët shqiptarë...

“Nga izolimi i Berishës te arrestimi i Ilir Metës”/ SPAK protagonist i vitit në Shqipëri

Në Shqipëri, Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, ishte dhe gjatë vitit 2024 protagonist i zhvillimeve në vend, me një...

Trashëgimia e Jimmy Carter në të drejtat civile

Politika në SHBA ishte ‘ndezur’ pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të izoluar shkollat ​​në vitet e 50-ta. Me prejardhjen e tij si...

Lajme të tjera

Web TV